Drejtuesja e Europol, Catherine De Bolle ka paralajmëruar se rrjetet kriminale po rekrutojnë fëmijët përmes videolojërave. Sipas saj këto organizata tani përbëjnë kërcënimin më të madh për Bashkimin Evropian, pasi ato destabilizojnë shoqëritë duke synuar të miturit.
“Instrumentalizimi i fëmijëve nga organizatat kriminale është ajo që po ndodh tani në tokën evropiane”, tha ajo në një intervistë të përbashkët me Politico dhe Welt.
Ajo shtoi se fëmijët po përdoren për të torturuar ose vrarë. De Bolle mori rastin e një djali të mitur i cili u urdhërua të vriste motrën e tij më të vogël, një urdhër që në fund u ekzekutua.
Ajo nuk e përjashton mundësinë që fëmijët dhe adoleshentët përdoren nga shtetet armiqësore si “spiunë” pa pëlqimin e tyre, për të regjistruar komunikimet rreth ndërtesave qeveritare. Më tej paralajmëroi gjithashtu për ndikimin e inteligjencës artificiale, shpërthimin e mashtrimeve online, por edhe metodat e reja të trafikimit të drogës.
Sipas Europolit, kriminelët fillimisht u afrohen fëmijëve përmes lojërave me shumë lojtarë me veçori chati. Procesi fillon me diskutime rreth temave në dukje të pafajshme, siç janë kafshët shtëpiake ose familja.
Pastaj komunikimi kalon në një chat të mbyllur, ku ata kërkojnë informacione personale të ndjeshme, siç është adresa e fëmijës. Nga aty, fëmija mund të detyrohet ose të korruptohet për të kryer dhunë, madje edhe torturë, vetëlëndim, vrasje ose vetëvrasje.
Europoli ka regjistruar 105 raste ku të miturit janë përfshirë në akte të dhunshme të kryera , duke përfshirë 10 kontrata vdekjeje. Shumë përpjekje për vrasje dështojnë për shkak të mungesës së përvojës së fëmijëve, por pasojat janë tashmë serioze.