Një operacion ndërkombëtar i realizuar nga autoritetet e Shqipërisë dhe Europës ka çuar në arrestimin e 10 personave të dyshuar për lidhje me një rrjet kriminal shqiptar që merrej me trafik të kokainës dhe pastrim parash. Operacioni, i zhvilluar në datat 7 dhe 8 gusht 2025, u mbështet nga Europol dhe përfshiu bashkëpunimin e autoriteteve nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda.
Gjatë operacionit, janë realizuar bastisje në Shqipëri, ku u sekuestruan pasuri të shumta, përfshirë prona luksoze si hotele, vila, apartamente, si dhe një sasi të konsiderueshme parash (111 mijë euro, 880 mijë lekë dhe 3,434 dollarë). Hetimet zbuluan se rrjeti operonte me grupe kriminale të rrezikshme, duke përdorur komunikime të enkriptuara për të organizuar dërgesa masive kokainë nga Amerika Latine në portet kryesore të Europës.
Vetëm një ngarkesë i solli këtij rrjeti më shumë se 40 milionë dollarë fitime.Drejtuesi i rrjetit, i shpallur në kërkim për krime të rënda, ishte përgjegjës për organizimin e trafikimit dhe investimin e fitimeve në pasuri në Shqipëri dhe Europa. Europol ofroi mbështetje përmes analizave të thelluara dhe shpërndarjes së informacionit, duke kontribuar në goditjen e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar.