Një hetim i bërë nga The Guardian dhe partnerët e tij ka zbuluar se Europa po humbet çdo ditë sipërfaqe të gjelbra sa 600 fusha futbolli — toka që dikur ishin strehë për kafshë të egra, ndihmonin në mbledhjen e karbonit dhe prodhonin ushqim.
Analiza e imazheve satelitore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Europën kontinentale gjatë një periudhe pesëvjeçare tregon shpejtësinë dhe shkallën me të cilën toka e gjelbër po bëhet gri, e konsumuar nga asfalti për rrugë, tulla dhe llaç për fusha luksoze golfi dhe zhvillime banimi.
Humbja e pyllit tropikal të Amazonës është matur për vite me radhë duke përdorur imazhe satelitore dhe monitorim në terren, por deri më tani shkalla e tokës së gjelbër të humbur në Europë nuk ishte regjistruar kurrë në të njëjtën mënyrë.
Në hetimin e parë të këtij lloji në të gjithë Europën, projekti “Nga e Gjelbër në Gri”, në bashkëpunim me shkencëtarë nga Instituti Norvegjez për Kërkime Natyrore (Nina) për të matur humbjen e natyrës, zbulon shkallën e natyrës dhe tokës bujqësore të përfshirë nga ndërhyrjet njerëzore, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Hulumtimi i këtyre mediave në 11 vende zbuloi se Europa humbet rreth 1500 km katrorë në vit nga ndërtimi. Rreth 9000 km katrorë tokë – një sipërfaqe me madhësinë e Qipros – u kthye në gri midis viteve 2018 dhe 2023, sipas të dhënave. Kjo është ekuivalente me pothuajse 30 km katrorë në javë, ose 600 fusha futbolli në ditë.
Natyra përbën pjesën më të madhe të humbjeve, me rreth 900 km katrorë në vit, por hulumtimi tregon se ne po ndërtojmë edhe në tokë bujqësore me një ritëm prej rreth 600 km katrorë në vit, me pasoja të rënda për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kontinentit.
Steve Carver, një profesor i natyrës së egër në Universitetin e Leeds, tha: “Toka e humbur për shkak të zhvillimit është një nga nxitësit kryesorë të humbjes së natyrës së egër dhe rënies së biodiversitetit. Por ne gjithashtu po humbasim tokë të punueshme dhe tokë produktive ndërsa qytetet tona zgjerohen në brezin e gjelbër dhe në tokë bujqësore”.
Zhvillimet më të zakonshme, që përbëjnë një të katërtën e të gjitha rasteve, ishin për banesa dhe rrugë. Por natyra dhe toka bujqësore po shkatërrohen gjithashtu për të akomoduar luksin për të pasurit, turizmin, konsumizmin dhe industrinë.
Arena zbulon se në Portugali, pothuajse 300 hektarë të dunave të rërës së mbrojtura në Galé Beach pranë Melides, janë humbur për të krijuar një fushë të re golfi në CostaTerra Golf and Ocean Club, ku pronat do të shiten për rreth 5.6 milionë paund.
Resorti, i cili është ende në ndërtim e sipër, është një shtëpi e dytë për Princeshën Eugenie dhe bashkëshortin e saj, Jack Brooksbank, i cili punon për zhvillimin. Ai po ndërtohet në tokë Natura 2000, e cila supozohet të mbrohet sipas rregulloreve të BE-së.
Resorti premton “luksin e thjeshtë të jetesës europiane” në “bregun e fundit të paprekur të Atlantikut në Europën Jugore”.
Fusha e tij e golfit prej 75 hektarësh vlerësohet se konsumon deri në 800,000 litra ujë në ditë për të mirëmbajtur gjelbërimin.
Përjashtime nga zhvillimi në tokën Natura 2000 mund të jepen nëse ka interes publik mbizotërues. Autoritetet portugeze miratuan resortin, i cili është në pronësi të firmës amerikane të pronave Discovery Land Company, për shkak të përfitimit ekonomik.
Ioannis Agapakis, një avokat për ClientEarth, një OJQ e së drejtës mjedisore, tha se një fushë golfi nuk i përmbushte këto kërkesa.
“Padyshim që nuk është interes publik mbizotërues”, tha ai. “Vetëm fakti që gjen përfitime ekonomike ose ndonjë lloj zhvillimi ekonomik nga një projekt nuk e bën atë interes publik mbizotërues”.
Kompania Discovery Land tha në një deklaratë: “Ne po e zhvillojmë CostaTerra-n si një model për administrimin mjedisor dhe qëndrueshmërinë në rajon.
“Çdo aspekt i pronës – nga projektimi i fushës së golfit, te praktikat e menaxhimit të ujërave të shiut dhe mbeturinave, te zhvillimi dhe ruajtja e habitatit dhe korridoreve të jetës së egër – është projektuar për të përmbushur ose tejkaluar standardet e BE-së, duke përfshirë kuadrin Natura 2000”.
Guardian kontaktoi Brooksbank, por nuk dha komente.
Në Turqi, këneta Çaltılıdere në provincën e Izmirit në bregdetin e Egjeut është varrosur nën më shumë se një kilometër katror themele betoni për një marinë për të riparuar dhe ndërtuar jahte luksoze, tregon zbulimi.
Zyrtarisht e përcaktuar si një kënetë nga Turqia, Çaltılıdere ishte shtëpia e flamingove, pelikanëve, kormoranëve, etj. Ajo gjithashtu shërbeu si një depo jetësore karboni dhe mbrojtje natyrore nga përmbytjet.
Por autoritetet lokale e përmbysën statusin e saj të mbrojtur në vitin 2017 pas një takimi të tensionuar dhe të diskutueshëm të komisionit lokal. Imazhet satelitore tregojnë se si pika jetësore e ndalimit për zogjtë shtegtarë është konsumuar nga themelet e betonit.