string(93) "europa-ne-mbrojtje-te-demokracise-merz-i-pergjigjet-vance-te-shba-se-nese-duhet-edhe-luftojme"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 13:03

Europa në mbrojtje të demokracisë, Merz i përgjigjet Vance të SHBA-së: Nëse duhet, edhe luftojmë

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 13:03

Në një përgjigje direkte ndaj kritikave të vazhdueshme të administratës Trump kundër BE-së, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar të enjten se Europa është e përgatitur të luftojë, nëse është e nevojshme, për vlerat e saj thelbësore: lirinë dhe demokracinë.

Sipas Reuters, gjatë një ceremonie për ndarjen e Çmimit “Karl i Madh” për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Merz theksoi gjithashtu se Europa nuk dëshiron një përshkallëzim të konfliktit tarifor me SHBA-në që do të dëmtonte të dyja palët.

Ndërsa, duke iu referuar një fjalimi të zv.presidentit amerikan JD Vance të mbajtur në shkurt në Mynih, ku Vance sulmoi Europën duke thënë se ajo përballet me një “kërcënim nga brenda” dhe se liria e shprehjes është “në tërheqje”, Merz dha një kundërpërgjigje të fuqishme:

“Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance na sfidoi me këtë pyetje në Mynih: Çfarë është ajo që ne europianët mbrojmë së bashku? Për çfarë qëndrojmë bashkë?”. Ai tutje shtoi:

“Zonja dhe zotërinj, nuk kemi thjesht një përgjigje për këtë. Ne kemi përgjigjen më të fortë dhe më të mirë të imagjinueshme: Ne në Europë qëndrojmë për atë që – përgjatë shekujve, përmes pengesave dhe katastrofave të panumërta – kemi konceptuar, zhvilluar, arritur dhe luftuar për të: bindjen se liria dhe demokracia ia vlejnë të mbrohen me vendosmëri, dhe nëse duhet, edhe të luftohet për to.”

Deklaratat e Merz vijnë një ditë pasi SHBA njoftoi se do të vendosë ndalime vizash për shtetas të huaj që “censurojnë amerikanët”, masa që mund të përfshijnë edhe zyrtarë europianë që rregullojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

Edhe pse nuk janë përmendur emra konkretë, administrata Trump dhe gjigantët amerikanë të teknologjisë kanë akuzuar prej kohësh BE-në për censurë në platformat e mediave sociale.

Ndërkohë, Merz, i cili mori detyrën këtë vit me premtimin për ta bërë ushtrinë gjermane forca më e fuqishme konvencionale në Europë, theksoi se Gjermania nuk do të qëndrojë më në anë, por do të marrë rol udhëheqës për forcimin e Europës.

Ai ka përmendur poashtu mbështetjen për Ukrainën dhe një rikonfigurim të marrëdhënieve tregtare dhe të mbrojtjes me Mbretërinë e Bashkuar, të njoftuar më herët këtë muaj, si shenja të “frymës së re të unitetit” në kontinentin europian.