Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Teras, ka deklaruar sot se prania e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë nënkupton mbështetje për krimet e luftës të Rusisë në Ukrainë. Ai ka bërë thirrje që presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të anulojë vizitën e planifikuar në Beograd.
Teras, eurodeputet nga Estonia dhe anëtar i Grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP) – grup në të cilin partia e Vuçiqit, SNS, është anëtare e asociuar – ka bërë të ditur në rrjetin social X (ish-Twitter) se ka nisur një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve të eurodeputetëve për një peticion që kërkon anulimin e vizitës së Costës në Serbi, e cila është planifikuar për datën 13 maj në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
Në tekstin e peticionit, Teras ka theksuar se vizita e Costës në Serbi është “veçanërisht problematike”, pasi presidenti Vuçiq mori pjesë sot në paradën ushtarake të organizuar nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë.
“Ushtria që parakaloi në Moskë është e njëjta ushtri që vazhdon të kryejë krime lufte dhe të vrasë qytetarë ukrainas për më shumë se tre vjet”, deklaroi Teras. Ai shtoi se “në botën e diplomacisë, vizita të tilla nuk janë vetëm formalitete, por akte të qarta mbështetjeje”.
Sipas tij, pjesëmarrja e Vuçiqit në këtë ngjarje është një miratim i krimeve të luftës të kryera nga Putini dhe ushtria ruse. Ai theksoi se liderët e tjerë që morën pjesë ishin kryesisht nga regjime autokratike dhe represive.
Teras theksoi se një sjellje e tillë duhet të dënohet ashpër, sepse është në kundërshtim me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
“Nëse vizitoni Serbinë në këtë kontekst, do të duket sikur BE-ja mbështet sjelljen e presidentit Vuçiq, që është thellësisht përçmuese. Si president i Këshillit Evropian, nuk duhet të jepni mbështetje për dikë që përkrah një kriminel lufte. Vizita juaj do të interpretohet si akt i tillë”, shkroi Teras në peticionin e tij.
Në postimin e tij në X, Teras shtoi se pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën e Putinit “tregon mbështetje për gjenocidin në Ukrainë”, duke etiketuar edhe llogaritë zyrtare të EPP-së dhe Parlamentit Evropian.
Ndërkohë, Këshilli Evropian konfirmoi se Antonio Costa do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga 12 deri më 16 maj, duke filluar nga Serbia. Më 13 maj ai do të takohet në Beograd me presidentin Vuçiq, kryeministrin Djuro Macuta dhe deputetët e parlamentit serb.
Pas Serbisë, Costa do të vizitojë Sarajevën, Podgoricën, Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të jetë nikoqir i samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian.
Gjatë këtij turneu, Costa do të theksojë rëndësinë e përforcimit të momentumit të ri për zgjerimin e BE-së dhe marrëdhënieve me rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian. /N1