Një hetim i publikuar nga Euractiv ka zbuluar se, ndonëse vazhdon të përfitojë miliona euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, rrjeti televiziv Euronews ka përshtatur modelin e tij të biznesit duke u varur gjithnjë e më shumë nga investitorë politikisht të lidhur, lobistë dhe partneritete komerciale me subjekte të afërta me shtete joliberale.
Sipas raportit, i cili bazohet në dokumente financiare dhe intervista me 14 ish- dhe aktualë punonjës, Euronews përshkruhet si një organizatë financiarisht e ngarkuar që ka thelluar bashkëpunimin me qeveri të udhëhequra nga liderë autoritarë, nga Serbia deri në Azerbajxhan.
Shqetësimet për pavarësinë editoriale të Euronews dolën hapur në pah gjatë një samiti për zgjerimin e BE-së, të organizuar nga vetë kompania, ku u zhvillua edhe një intervistë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit shihet prej kohësh me dyshim nga Brukseli për shkak të regresit demokratik dhe lidhjeve të tij me Moskën.
Gjatë intervistës, moderatori e pyeti Vuçiqin nëse ai vazhdon të konsiderohet një “evropian i devotshëm”, ndërsa munguan pyetjet për protestat masive në Serbi, për gjuhën fyese të presidentit ndaj eurodeputetëve apo për tensionet me qendrën e djathtë evropiane. Në vend të kësaj, Vuçiq e shfrytëzoi rastin për të ironizuar zyrtarët e BE-së dhe për ta quajtur “mik” Mario Davidin – babain e pronarit të Euronews, Pedro Vargas David.
Zëdhënësi i Vuçiqit ka deklaruar se Mario David, mbështetës i hershëm i Serbisë në BE, e njeh presidentin përmes Partisë Popullore Evropiane (EPP). Pedro Vargas David, i pranishëm në rreshtat e parë gjatë samitit, reagoi me buzëqeshje.
Lidhjet e Euronews me Serbinë u thelluan në vitin 2021 përmes krijimit të degës Euronews Serbia në partneritet me Telekomin e Serbisë, kompani kryesisht në pronësi shtetërore. Në atë kohë, ky projekt u promovua si një urë mes standardeve perëndimore të gazetarisë dhe raportimit lokal, por kritikët thonë se ky premtim rezultoi i vështirë për t’u mbajtur.
Ish-punonjës të Euronews deklarojnë se një pikë kthese ndodhi në mesin e vitit 2023, kur prezantuesja televizive Minja Miletiq u emërua drejtoreshë rajonale. “Na u tha të mos harronim kush na paguan”, ka rrëfyer një ish-producent.
Tensionet u përshkallëzuan në prill të vitit 2025, gjatë protestave masive kundër qeverisë serbe. Rreth 80 punonjës të Euronews nënshkruan një letër të hapur ku dënonin mbështetjen e menaxhmentit për televizionin shtetëror RTS, i kritikuar për afërsinë me regjimin. Disa nga nënshkruesit u pushuan më pas nga puna, ndërsa organizatat për lirinë e medias e cilësuan këtë veprim si hakmarrje.
Minja Miletiq ka deklaruar se shkurtimet ishin pjesë e një procesi ristrukturimi dhe ka mohuar çdo ndikim politik nga Telekom Serbia. Edhe Telekom Serbia ka pohuar se nuk ndërhyn në operacionet e brendshme të Euronews Serbia dhe se respekton pavarësinë editoriale të medias.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...