Etrit Berisha ka shkruar një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij, duke i dhuruar skuadrës suedeze BK Häcken trofeun e katërt të Kupës së Suedisë në histori, pas një finaleje dramatike ndaj gjigandit Malmö FF.
Finalja, e zhvilluar në stadiumin e Malmös dhe në një atmosferë të mbushur me tifozë vendas, përfundoi me rezultatin 0-0 pas 120 minutash lojë. Por ishte Berisha ai që u shndërrua në protagonistin absolut gjatë serisë së penalltive, duke pritur dy gjuajtje dhe duke realizuar vetë një tjetër, për t’i siguruar triumfin ekipit të tij me rezultatin 4-2.
Kjo nuk është hera e parë që ish-kapiteni i Shqipërisë shkëlqen në një finale të Kupës së Suedisë. Në vitin 2011, kur ishte pjesë e Kalmarit, ai kishte bërë të njëjtën gjë pikërisht ndaj Malmös: kishte pritur dy penallti dhe kishte shënuar vetë nga pika e bardhë, duke udhëhequr ekipin drejt trofeut.
Pas rikthimit në kampionatin suedez vetëm dy muaj më parë, Berisha ka dëshmuar menjëherë vlerën e tij dhe eksperiencën vendimtare në ndeshje të mëdha.