Etiketat e kalorive në menu nuk kanë asnjë efekt mbi zakonet dietike, sepse njerëzit “nuk e kuptojnë se çfarë nënkuptojnë në të vërtetë numrat”, sugjeron një studim.
Në prill 2022, qeveria britanike prezantoi një politikë në Angli që urdhëron përdorimin e etiketave të kalorive nga të gjitha pikat ushqimore me më shumë se 250 punonjës.
Synimi ishte që duke ofruar numrin e kalorive pranë çdo pjate, konsumatorët të mendoheshin dy herë për atë që hanë kur vizitojnë fast food-e, kafene dhe restorante, për të ndihmuar në luftën kundër rritjes së shpejtë të obezitetit.
Por, sipas një studimi, politika nuk ka pasur asnjë efekt të rëndësishëm mbi numrin e kalorive që njerëzit blejnë ose konsumojnë – ndoshta sepse njerëzit ende nuk e kuptojnë saktësisht se çfarë nënkuptojnë këto numra.
Studiuesit nga Universiteti i Liverpool-it kryen dy anketa përpara dhe pas zbatimit të ligjit për të parë nëse çoi në ndonjë ndryshim të sjelljes.
Ata mblodhën të dhëna nga më shumë se 6,500 njerëz të të gjitha moshave që kishin blerë ushqim nga më shumë se 300 pika, përfshirë pub-e, restorante, kafene, pika ushqimi të shpejtë dhe vende argëtimi.
Analiza zbuloi se pas zbatimit të ligjit, njerëzit kishin më shumë gjasa të vinin re dhe të përdornin sistemin e etiketimit të kalorive.
Ata gjithashtu kishin më shumë gjasa të vlerësonin saktë përmbajtjen kalorike të vakteve të tyre.
Megjithatë, nuk pati ndryshime të rëndësishme në numrin e kalorive të blera ose të konsumuara.
Mesatarisht, njerëzit konsumuan rreth 18 kalori më pak pas zbatimit të politikës – ekuivalente me rreth nëntë rrush.
Studiuesja kryesore Dr. Megan Polden tha: “Futja e etiketimit të detyrueshëm të kalorive nuk u shoqërua me ndryshime të rëndësishme dietike në vendet ku konsumohet ushqim jashtë shtëpisë.”
Gjetjet, të publikuara në revistën Nature Human Behaviour, zbuluan se ndërgjegjësimi dhe përdorimi i sistemit të etiketimit të kalorive ishin më të larta tek gratë, të moshuarit dhe ata me të ardhura më të larta.
Njerëzit kishin më shumë gjasa të vërenin etiketat e kalorive kur porosisnin nga pub-et – ndoshta për shkak të kohës më të gjatë që shpenzojnë duke shqyrtuar menunë.
Arsyet për këto gjetje mund të jenë se shumë vende ende nuk e zbatojnë sistemin e etiketimit të kalorive në menu dhe njerëzit ende nuk e kuptojnë si funksionojnë kaloritë, sugjeroi ekipi.
“Ne e dimë se shumë biznese nuk kanë ofruar etiketim të kalorive siç rekomandohet dhe disa biznese nuk kanë ofruar fare etiketim të kalorive, gjë që sigurisht mund të shpjegojë rezultatet tona,” tha Profesori Eric Robinson, i cili gjithashtu punoi në studim, transmeton studimin GazetaExpress.
“Rezultatet tona mund të tregojnë gjithashtu se një kombinim i strategjive… si edukimi publik mbi marrjen e kalorive dhe etiketimi më i qartë, mund të jetë i nevojshëm për të mbështetur zgjedhjet më të shëndetshme të konsumatorëve.”
Studimi pohon se një pengesë e mundshme për përdorimin e etiketimit të kalorive “mund të jetë mungesa e kuptimit publik të informacionit për kaloritë të paraqitur.”
Duke komentuar mbi gjetjet, Profesor Amanda Daley, drejtuese e Qendrës për Mjekësinë dhe Sjelljen e Stilit të Jetesës në Universitetin Loughborough, tha: “Një problem me etiketimin e kalorive është se thjesht ofron numra në një faqe, pa asnjë kontekst për publikun që të kuptojë se çfarë nënkuptojnë këto numra kur marrin vendime për ushqimin.”
Ajo shtoi se studimi bazohej në të dhëna të raportuara nga vetë pjesëmarrësit dhe jo në transaksione reale ose informacion mbi ushqimin e konsumuar, prandaj kjo është “e rëndësishme për t’u marrë parasysh kur interpretohen rezultatet.”
Tom Sanders, profesor emeritus i ushqyerjes dhe dietologjisë në King’s College London, tha: “Rezultati kryesor i këtij studimi është se, vetëm, etiketimi i detyrueshëm i kalorive është një masë joefektive e shëndetit publik për të parandaluar obezitetin. Kjo mbështet pikëpamjen se etiketimi i kalorive nuk motivon njerëzit të ndryshojnë zakonet e tyre dietike”
“Megjithatë, etiketimi i kalorive është i dobishëm për individët që janë të motivuar. Etiketimi i detyrueshëm i kalorive ka ndihmuar gjithashtu programet kompjuterike dhe aplikacionet të ofrojnë vlerësime të sakta dhe të përditësuara të marrjes së lëndëve ushqyese duke përdorur kodet e produkteve, gjë që është e dobishme për dietologët, nutricionistët dhe individët e motivuar”
“Për pasojë, do të ishte një hap prapa të hiqej dorë nga etiketimi i detyrueshëm i kalorive për sektorin e ushqimit jashtë shtëpisë.” /GazetaExpress/