Është shpallur thirrja për partneritet publiko- privat për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend


Gazeta Express
14 Shkurt 2020 14:25

Ministri Bekteshi sot së bashku me drejtorin e Resurseve Energjetike të Maqedonisë (REM), Bajram Rexhepi mbajtën konferencë për shtyp  lidhur me thirrjen publike për dhënien e kontratës  për vendosjen e  partneritetit publiko-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit, përcjell GazetaExpress.

Është shpallur thirrja për partneritet publiko- privat për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend

Ministria e ekonomisë shpalli dje Thirrjen publike për dhënien e kontratës për vendosjen e partneritetit publiko-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror, njoftoi Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Në konferencën për shtyp morën pjesë Drejtori i SHA “Burimet kombëtare energjetike” Bajram Rexhepi.

Siç informoi Ministri Bekteshi, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në dhjetor 2019 miratoi Vendimin për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për krijimin e një partneriteti publiko-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo procedurë ka për qëllim të realizohet si procedurë e dialogut konkurrues, në përputhje me Ligjin për koncesione dhe partneritetin publiko privat dhe Ligjin për prokurimin publik.

“Me këtë thirrje publike fillon faza e parë e procesit të angazhimit të një partneri privat për ndërtimin e përbashkët të një sistemi të shpërndarjes të gazit natyror në të gjithë territorin e vendit. Sipas thirrjes publike, kjo fazë do të zgjasë 120 ditë, gjegjësisht të gjithë investitorët e interesuar do të kenë afat të aplikojnë deri më 9 qershor, dhe më pas do të vijojë hapja e ofertave”, theksoi Ministri Bekteshi.

Siç theksoi Ministri, realizimi i këtij projekti është rreth 300 milion euro dhe do të implementohet në tre faza në një dinamikë të paracaktuar.

“Sipas kushteve të shpalljes, investitorët e interesuar duhet të kenë së paku 5 vjet përvojë në shpërndarjen e gazit natyror, kompania që aplikon për thirrjen publike gjithashtu do të duhet të ketë të paktën 100 mijë klientë të lidhur me sistemin e tyre të shpërndarjes, të ketë shpërndarë së paku 3 miliardë m3 në 3 vitet e fundit, dhe të paktën 150 milion euro të ardhura vjetore në 3 vitet e fundit”, tha Bekteshi, duke theksuar se pret që i gjithë procesi i përzgjedhjes së investitorëve të përfundojë deri në tremujorin e katërt të këtij viti.

Ministri Bekteshi shtoi se pas dorëzimit të aplikacioneve do të vijojë faza e dytë ku të gjitha kompanitë e interesuara do të ftohen në një dialog konkurrues, ku do t’i paraqesin ofertat e tyre financiare nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në fazën e parë.

Drejtori i SHA “Burimet kombëtare energjetike” Bajram Rexhepi informoi se në fazën përfundimtare është ndërtimi i tubacionit magjistral të gazit nëpër vend, gjegjësisht deri nga mesi i vitit ai duhet të përfundojë plotësisht, ndërsa në mënyrë intenzive punohet në ndërlidhjet me vendet fqinje.

“Tashmë janë krijuar pjesa më e madhe e kushteve për të sjellë gaz deri te të gjitha amvisëritë, gjë që është qëllimi i kësaj Qeverie, dhe e gjithë kjo kushtojë lirë. Presim që deri në fund të vitit të kemi një marrëveshje për vendosjen e partneritetit publiko-privat, me çka presim që në tremujorin e katërt të fillojmë ndërtimet në disa qytete, por natyrisht që viti i ardhshëm do të jetë një vit i ndërtimit masiv të rrjetit të shpërndarjes në vend”, theksoi drejtori Rexhepi.

Sipas Rexhepit, gjithë ndërtimi do të zgjasë rreth katër vjet dhe sipas studimit të fizibilitetit partneri privat është i detyruar brenda jo më shumë se katër vjet nga marrja e secilës leje individuale ndërtimi të ndërtojë së paku 50% nga rrjeti i parashikuar i shpërndarjes të gazit natyror në komunat e qytetit dhe të paktën 20% në komunat rurale.

“Një nga kushtet në thirrjen publike është që lidhja për amvisëritë të mos kushtojë më shumë se 100 euro, por përshtatja e brendshme e pajisjeve shtëpiake sipas një studimi të fizibilitetit të llogaritur në një apartament prej rreth 85 metrash katrorë do të kushtojë mesatarisht rreth 1.500 euro, por pres që kostot të jenë më të vogla për shkak të konkurrencës së lartë në këtë sektor,” informoi drejtori.

Drejtori theksoi se aktualisht ekziston një interes i madh te shumë kompani të huaja që do t’i përgjigjen thirrjes publike dhe pret sukses në zbatimin e thirrjes publike./GazetaExpress/

Besmir Lika

Te fundit


Kthehu lart