Është promovuar romani “Një engjëll veshë me frak” nga Stefan Çapaliku - Gazeta Express
string(68) "eshte-promovuar-romani-nje-engjell-veshe-me-frak-nga-stefan-capaliku"

Është promovuar romani “Një engjëll veshë me frak” nga Stefan Çapaliku

Arte

Gazeta Express

29/06/2022 16:04

“Një engjëll veshë me frak” nga Stefan Çapaliku, është një roman i ri, të cilin autori i mirënjohur Çapaliku, e ka promovuar në Tiranë, në Shkodër, e në një varg qytetesh të tjera, brenda e jashtë Shqipërisë. Në qendër të romanit është figura e kompozitorit shkodran Prenk Jakova, i cili në roman ka emrin Pol Gjakova. Një libër që na kthen pas në kohë në vitet 50-të, në Shkodrën e atyre viteve, ku nëpërmjet personazheve të këtij libri, çdo shkodran e gjen veten të përshkruar aq bukur nga autori Stefan Çapaliku.

Romani merret eskluzivisht me fatin e një muzikanti dhe kompozitori, duke rrëmuar në jetën private dhe profesionale të tij. E gjithë ngjarja tregohet nga bashkëkohësit dhe bashkëpjestarët në ngjarje. Figura e Pol Gjakovës, e parë nga prespektivat e të tjerëve, shndërrohet në strumbullarin e atmosferës së një qyteti, që duket se po jep shpirt. Ashtu siç thotë edhe autori, askush nuk duhet të harrojë të kaluarën dhe të fshijë historinë e Shkodrës.

Lexo Edhe:

Jemi në Shkodrën e fundit të viteve ’50 të shekullit të shkuar.Romani fillon me një grua veshur me të zeza dhe mbuluar me tyl të zi që ecën rrugëve të qytetit, duke ngjallur habi tek të tjerët, ajo i është drejtuar morgut të spitalit, për të parë për të fundit herë trupin e të dashurit dhe burrit të saj, kompozitorit Pol Gjakova.

Ai ka shkruar operan e parë shqiptare dhe e ka vënë në skenën e qytetit të tij me një trupë amatore. Kompozitori është një personazh që josh. Tek ai gërshetohet një botë e jashtëzakonshme artistike me një personalitet tejet origjinal njerëzor dhe me një histori jete tronditëse.

Ai ka vendosur të ikë nga bota e të gjallëve. Si një engjëll ka fluturuar por më parë ka joshur gjithë qytetin që të pushtojë teatrin për të ndjekur ngjarjen e madhe: inskenimin e një opere shqiptare. Trupa është amatore. Orkestrantët, solistët, koristët ditën shkojnë në punë të vet: dikush në shkollë ku jep mësim, dikush në zyrat e administratës e tjetërkush në fabrika ku punët janë fort të lodhshme. Por pas gjithë kësaj lodhjeje vjen çasti më i bukur i ditës së tyre: nisja drejt teatrit ku do të zërë secili vendin e vet në skenë apo në gropën e saj dhe do të bëjnë provat e shfaqjes. Të rrethuar nga muzika që prodhojnë veglat apo zërat hyjnorë të njeriut, vjen paqja. Ka prej orkestrantëve që u duhet të mësojnë të luajnë në një vegël nga e para. Janë veglat që orkestrës i mungojnë e pa të cilët ajo nuk do të ishte e plotë. Askush nuk shqetësohet se nuk ka bërë shkollë muzike. Muzika është brenda tyre dhe pse të mos e nxjerrin duke luajtur qoftë edhe në një vegël që nuk e kishin njohur më parë?

Është opera që do të vihet në skenë, ngjarja madhështore e qytetit të mbushur plot me histori jete nga më të papriturat.

Është opera që i shpërqendron banorët e tij nga shqetësimet. I bën të harrojnë vuajtjet ashtu si edhe vetë kompozitorin që e ka mbajtur gjallë nëpër kalvarin të cilin i është dashur ta përshkojë.

Është opera që si zgjatim i jetëve ku konfliktet përzihen me dashuritë. Opera që e ndan kohën më dysh: para dhe pas saj. Është opera e librit “Një engjëll veshë me frak”.

Në këtë libër, autori Stefan Capaliku arrin të shohë përmes syve të gjeniut të muzikës, Prenk Jakova. Siç edhe kuptohet, ngjizja e operas së parë ndodh në Shkodër, nga Prenk Jakova, i cili për të dhënë frymë e jetë, përfshiu thuajse gjithë qytetin, ndërsa Çapaliku i kushton atij tërë historinë e librit.

Në roman, përveç personalitetit të Prenk Jakovës dhe punës së tij të mrekullueshme për të shkruar dhe vënë në skenë operan e parë shqipe, një linjë dashurie mes dy personazheve, Pol Gjakovës dhe Klara Dedës, pasqyron notat liriko dramatike të një njeriu jo të zakonshëm. Shkrimtarit i intereson thelbi njerëzor që e ndihmon për të universalizuar njerëzit dhe historitë.

Duke rrëfyer për Pol Gjakovën shkrimtari rrëfen për një njeri përballë shumë njerëzve, për trazimet e tyre, ballafaqimet me emocionet e veta dhe ngacmimet që u vijnë nga jashtë, për qytetin që kërkon të gjejë mekanizmat mbrojtës ndaj degradimit të imponuar.

Duke rrëfyer për Pol Gjakovën, duke e lënë atë të rrëfejë për veten dhe të tjerët, duke i bërë të gjithë të zbulojnë shumëçka sipas këndvështrimeve individuale, shkrimtari krijon një botë të mbushur plot me ndjesi që nga dashuria deri tek dhimbja dhe frika. Të gjitha të mbështjella me shumë muzikë.

Edhe në këtë roman, vihet re, doza e humorit, që është një veçanti e librave të tij. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Gjergj Fishta, ka 192 faqe dhe kushton 800 lekë.

Stefan Çapaliku është autor i shumë librave dhe është sprovuar me sukses në shumë gjini letrare. Ai është i njohur si dramaturg, në të cilën fushë ka shënuar suksese të dallueshme, dhe ka marrë vlerësime ndërkombëtare, gjithashtu njihet edhe si studiues e estet, sidomos me një studim tejet serioz për satirën e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës. Stefan Çapaliku është edhe autor i disa romaneve, librave me tregime si dhe monografive kushtuar personaliteteve të rëndësishme të qytetit të Shkodrës. Duhet nënvizuar se Shkodra, qyteti i shkrimtarit, është në fokusin krijues të autorit, libër pas libri, histori pas historie, ai skanon ngjarjet më të rëndësishme të jetës së këtij qyteti dhe ndërton antologjinë e tij. /Neritana Kraja/albanian.cri.cn

/Gazeta Express