Është koha për arrestime - Gazeta Express
string(25) "eshte-koha-per-arrestimee"

Është koha për arrestime

Gazeta Express

30/03/2020 18:39

Shkruan: Arianit Koci

Ka shumë individë që me rastin e hyrjës në Kosovë, nga ana e organeve kompetente janë urdhëruar që të vetizolohen. Mos të kontaktojnë me askënd.

Lexo Edhe:

Moszbatimi i këtij urdhëri është vepër penale sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës të Republikës së Kosovës, ku dënimi i paraparë ligjor është deri në dy (2) vite.

1.

Deri më tani, Kosova, sa i përket koronavirusit Covid 19, është një prej shteteve me shkallën më të ulët të përhapjes në Evropë. Situata është e njejtë edhe sa i përket shkallës së vdekshmërisë.

Ka shumë arsye, shkencore dhe jo shkencore, siç janë: jemi ndër shteter e para në regjion dhe më gjërë që i kemi marrë masat parandaluese si ndërprerja në të tërësi e sistemit shkollor; mbylla e restoraneve, kafeneve, qendrave tregtare; thirrjet e vazhdueshme që të punohet prej shtëpisë; obligimi që të mbahen maskat dhe dorëzat, si dhe ngritja e vazhdueshme e vetëdijës së popullatës nga ana e organeve kompetente për rrezikun e mbledhjës në grupe duke përfshirë distancën sociale.

Arsye tjetër mund të jetë fakti që jemi popullata më e re në Evropë.

Padyshim, fakti që nuk e kemi turizmin e zhvilluar; nuk ka qarkullim të kulturave dhe njerëzve të ndryshme, është faktor për mospërhapjen e hovshme të këtij virusi.

2.

Sidoqoftë, nuk duhet të vetkënaqemi dhe t’a ndjejmë vetën të relaksuar. Situata shumë lehtë mund të del prej kontrollës. E nëse eventualisht del, rrethanat pozitive që i përmenda më lartë, zbehen dhe degradohen menjëherë për shkak se jemi shteti me më së paku respiratorë.

Po ashtu, është fakt notor që sistemi i shëndetësisë lë shumë për të dëshiruar. Për më tepër, nuk jemi të njohur shumë as për ndonjë vetëdije të lartë shoqërore sa i përket respektimit të normave apo rregullave që kanë karakter jo-detyrues.

Çfarë na mbetet? Disiplina. Disiplinë e hekurt!

Mos të harrojmë: në Itali, kanë vdekur brenda ditës njëmijë persona. Ne, me kapacitete skajshmërisht të limituara spitalore, na mbetet t’i zbatojmë ligjet pozitive dhe vendimet e organeve kompetente me përpikmëri.

Zbatim të saktë dhe implementim brutal.

3.

Në kohë pandemie – pakujdesia e secilit prej nesh, e rrezikon tjetrin – e rrezikon masën. E rrezikimi mund të jetë me pasoja fatale.

Në fakt, përveç pasojave fatale, pakujdesia apo neglizhenca e jonë mund të kontribuojë në përhapjen eksponenciale të koronavirusit. Qarku vicioz pastaj nuk ka të ndalur.

4.

Në fund nuk mundem pa e përmendë urdhërin për vetizolim. Ka shumë individë që me rastin e hyrjës në Kosovë, apo nëse kanë qenë në kontakt me të infektuarin, nga ana e organeve kompetente janë urdhëruar që të vetizolohen. Mos të kontaktojnë me askënd.

Moszbatimi i këtij urdhëri është vepër penale sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës, ku dënimi i paraparë ligjorë është deri në dy (2) vite.

5.

Në regjion janë ngritur shumë aktakuza dhe kemi shumë të paraburgosur. Madje në Serbi kemi edhe aktgjykimet e para për shkelje të urdhërit për vetizolim – dënime me 3 vjet burgim e më poshtë. Te ne është bërë publike që një individ është arrestuar për shkak se përmes internetit ka gënjyer që ka dalë pozitiv me koronavirus. Kjo nuk mjafton! Tash është koha që të arrestohen të gjithë ata që eventualisht nuk i përfillin urdhërat për vetizolim.

Askush nuk ka të drejtë ta rrezikoj tjetrin, qoftë edhe nga pakujdesia.

Sot me përmirësimin e kohës, u krijua përshtypja që jemi në një situatë krejt normale: qendra e Prishtinës – plotë me njerëz, e shumë prej tyre pa maska dhe dorëza.

Nuk mundemi assesi ta sfidojmë situatën dhe kapacitetet e QKUK-së.

Përndyshe, do të vijmë në situatë që të aplikojmë masa drastike: ndalimi i tërësishëm i lëvizjës së qytetarëve për një kohë.

Armën më të fortë e kemi disiplinën.