Eseja e javës/ Zadie Smith: Mbi atë si e kam shkruar romanin ‘The Fraud’ - Gazeta Express
string(68) "eseja-e-javes-zadie-smith-mbi-ate-si-e-kam-shkruar-romanin-the-fraud"

Arte

Gazeta Express

31/12/2025 15:11

Eseja e javës/ Zadie Smith: Mbi atë si e kam shkruar romanin ‘The Fraud’

Arte

Gazeta Express

31/12/2025 15:11

Zadie Smith (1975) është autore e romaneve White teeth, The Autograf Man, On Beauty, NW , Swing Time dhe The Fraud; përmbledhjeve me ese Changing My Minddhe Feel Free 

Njëra prej përparësive kur nuk mban ditar dhe nuk ke kujtime është se mund të zihesh në befasi nga jeta jote. Për shembull: 

Derisa ulem të shkruaj një tekst rreth asaj si/pse e kam shkruar The Fraud e kuptoj se nuk jam krejt e sigurt rreth përgjigjes sime. Kësodore, bëj atë që bëj rëndom në situata të tilla: kosultohem me e-mailat e mi. Vë fjalën ‘Tichborne’ në atë motorin e kërkimit të vjetër të shkretë Yahoo! që mban përvojen time të kaluar njëzetvjeçare, duke kërkuar momentin kur kisha nisur të mendoja për Tichborne Claimant-in. Si arriti të vinte ai njeri i çuditshëm në tryezën time të shkrimit? Nuk mund ta merrja me mend përgjigjen: 

Është një prej gjyqeve më të gjata angleze të regjistruara: 140 ditë. Pasi që ishte dënuar, kishte pasur revolta nëpër rrugë. Kishte pasur pas vetes gjithë ata mbrojtës. Ma kujton rastin kur vdiq OJ, gjithë ata njerëz në ShBA duke iu gëzuar. Çmenduri. 

Eh, po. 

Nathan Bogle!

Dëgjo, nganjëherë njerëzit duan të shohin ndonjërin prej tyre të fitojë atë gjë. Njëherë të vetme. Nuk është gjë me mend. Është e përgjakshme. 

Sidoqoftë, ai vdiq pa lënë gjë pas vetes, një lloj varfanjaku, e varrosën aty. Në gurin e varrit shkruan: ‘Roger Tichborne’.

Njerëzit besojnë atë që duan të besojnë. Hajt, ikim. 

Kjo skenë vjen nga një Word.doc i quajtur ‘NW October 2011’. Nuk e mbaj mend ta kem shkruar. Sigurisht, nuk gjendet në romanin e fundit, NW. Por këtë version të hershëm të këtij romani, një personazh, Keisha Blake, merr një personazh tjetër, Nathan Bogle-n, për një shëtitje në Peddington Cemetery (menjëherë pasi kalon Willesden Lane) dhe i tregon historinë e Tichborne Claimant-it, që përfundon siç e dhashë më sipër. Kjo pra do të thotë se kam qenë duke menduar rreth Tichborne Claimant-it për njëzet vjet. Megjithatë ende nuk e shpjegon me tamam si kam arritur deri aty. Së fundmi Peddington Cemetery ka vënë ca shenja me një guidë te figurat me nam të varrosura aty, por nuk kishte asgjë të tillë më 2011 dhe paskëtaj kurrë më nuk kam ecur nëpër atë hapësirë varresh: po vetëm gjatë kufizimit të lëvizjes në kohën e Covid -19 fillova prapë të shëtisja andej. Po të kisha ecur nëpër të atëherë do të kisha marrë vesh se varri i Tichborne Claimant-it – përndryshe i njohur si Arthur Orton, përndryshe i njohur si Tom Castro – ka qenë gjithmonë pa shenjë, ashtu siç është edhe sot e kësaj dite. Varret e varfanjakëve nuk kanë guri varri.  

***

Ndoshta emri Bogle është ai prej nga i cili ka zënë fill. Jam bijë e një xhamaikani, emri Bogle nuk ka qenë kurrë i panjohur për mua. Por Bogle me të cilin isha familjare ishte Pauli. Aktivist për të drejtat e punëtorëve, lider i Morant Bay Revellion, martir kombëtar dhe hero, Paul Bogle ishte ekzekutuar në ditën e lindjes sime, ndonëse njëqind e dhjetë vjet më herët. Po, përherë më ka pëlqyer emri Bogle. Dhe hamendja ime më e saktë është se duke lexuar një tregim të Jorge Luis Borges, për Tichborne Claimant-in – ‘Mashtruesi i paparë, Tom Castro’ – sytë e mi kanë rrëshqitur mbi emrin Castro dhe Tichborne për t’u ngulur nga ana tjetër tek emri Bogle. Se ja ku është, shoku i pandashëm i Claimant-it, mbrojtësi më i madh dhe dëshmitari kyç në gjyq: ‘Ebenezer Bogle.’ Dhe ja ku janë po ashtu hollësitë e gjera biografike: zezak, ish skllav, plotësisht i nënvlerësuar: 

Bogle kishte një tjetër veti, po ashtu – megjithëse disa tekste shkollore antropologjie e mohojnë këtë atribut të racës së tij: ai ishte i pushtuar nga gjeniallëku. 

Nga këtu me gjasë kam googluar ‘Tichborne’ dhe ‘Ebenezer Bogle’ dhe në atë moment kam zbuluar se emri është një (qëllimisht?) gabim në pasazhin e Borges-it. Andrew Bogle ishte emri i burrit, i cili pastaj doli të jetë, si Paul-i, xhamaikan. Po, interesimi im mund të ketë qenë prekur në sedër pikërisht këtu. Dhe pastaj ajo koincidenca e çuditshme: se burri që ata e quanin Tichborne bën vaki të jetë varrosur nja njëqind jardë nga dera ime, në Peddington Cemetery-n e vjetër…

***

Prore kam pasur dyshimet e mia ndaj koincidencave. Unë ndihem ndaj koincidencave në të njëjtën mënyrë siç ndihen disa artistë ndaj ‘objekteve të shkrira.’ Më nxisin; kam ndjesinë se mund dhe duhet t’i pëdor kurdo që më dalin para syve dhe është një fakt i çuditshëm, kur e mendoj tash, se të gjitha romanet e mia janë shtytur ose kanë marrë zjarr nga koincidenca në një mënyrë ose tjetër. Por në rastin e The Fraud, koincidencat grumbulloheshin njëra mbi tjetrën në atë masë sa njëmend erdha në pikën kur ndjeva se libri zor se ishte më i imi dhe se unë vetëm sa kisha mbërritur në momentin e fundit për ta shkruar atë – për të bërë punën e llafazanës. Se gjithçka tjetër rreth tij thjesht më kishte rënë në pëqi. Ainsorth-i, për shembull. E njihja romancierin viktorian William Harrison Ainsworth, kryesisht ngase shpesh blej i blej ato historitë e vockla lokale që i gjeni në tavolinën e përparme të librarive lokale. E dija se Dickens-i ishte miku i tij më i mirë dhe se që të dy e kishin zakon të vizitonin njëri-tjetrin. E dija se ai ishte fort popullor aso kohe, por tash njeri i gjallë nuk e merrte mundin ta ribotonte. Dhe e dija se ai jetonte në një shtëpi të madhe në Kensal Rise. Kaq dija për jetën e tij dhe prore më ka mahnitur kjo. Sa fluturake janë reputacionet letrare! Dhe sa të varura nga konteksti i tyre. Nuk kishte asgjë më të lehtë për mua se të imagjinoja disa lexues, pas dyqind vjetësh, duke kapur një roman timin dhe duke ardhur në përfundimin se është krejtësisht i palexueshëm. (Po ashtu mund të marrë me mend këtë skenar edhe në të tashmen.) Tema m’u duk një ide e lezetshme për një roman: e ndava anash. E ruajta diku mbrapa mendjes sime, përkrah një gjëje të mençur që kisha dëgjuar para shumë vitesh ta thoshte një shkrimtar i madh, kur isha e re. Ai tha: ‘Nuk është si atëherë kur ju uleni çdo ditë duke menduar, Do të shkruaj një roman të tmerrshëm. Romanet e tmerrshme thjesht ju ndodhin. E merrni vesh se ju kanë ndodhur vetëm më vonë.’ Më kujtohet se po qeshte derisa po e thoshte këtë rresht – paksa me trishtim – dhe se unë nuk mund ta kuptoja. Isha ende në moshën kur nuk mund të kuptoja pse dikush do të shkruante një roman të keq, ose do të bënte ndonjë gjë të keqe. Mandej kaluan ca vite dhe unë i rashë në të dhe e pashë se ishte njëmend qesharake dhe e trishtë. M’u duk një mendim i thellë, që shkonte bukur përtej aktit të thjeshtë të shkrimit, tamam tek ideja e vetë jetës. Ngado ka zhgënjim. Ne e vuajmë atë individualisht dhe kolektivisht. Priremi të mos shohim zhgënjimet tona derisa të mos jemi më pre e tyre dhe nga ai moment ne në të vërtetë bëhemi pre e disa të tjerave të reja. Natyrisht, një botë e përbërë plotësisht prej të zhgënjyerish s’do mend se do të ishte botë e zorshme dhe e shkretë – por do të ishte po ashtu një botë komike. Një botë të pafajshmish. Por bota nuk është veçanërisht provinca e të zhgënjyerve. Ësthë po ashtu edhe një vend tragjik, ku zhgënjimet shfrytëzohen dhe përdoren çdoherë nga të fuqishmit, keqdashësit, të pashpirtët, të dhunshmit dhe sadistët I gjithë sistemi ekonomik mund të jetë dashalig, i gabueshëm në mënyrë sadiste. Të gjitha shtetet, po ashtu. 

***

Një ditë, shumë kohë pasi që kisha pasur këtë mendim, u zgjova dhe më erdhi një mendim tjetër. Mendova: Më në fund do të shkruaj atë roman komik për William Ainsworth-in, vetëzhgënjimin, ambicien dhe marrëzinë njerëzore. Kështu që nisa gjahun e librave të vjetër të Ainsworth-it, gjeta disa shënime mbi jetën e tij dhe ndoqa fusnotat në biografitë e njerëzve më të mëdhenj dhe më nme fat se sa Williami. Mësova gjithçka rreth darkave të tij letrare dhe se si, sado që ai ishte shkrimtar i keq, ai ishte po ashtu një njeri gazmor dhe i këndshëm. Dhe ja ku nxjerr kokën koincidenca. Një ditë, derisa po lexoja rreth mysafirëve të tij të darkave, ndoqa një fusnotë të shtuar për njërin prej tyre, një poet të ri irlandez të quajtur Edward Kenealy, i cili – disa vite pas njohjes me Ainsworth-in – përfundoi si avokat në rastin e pagjasë të Tichborne Claimant-it…

Nuk është nevoja të ma thuash dy herë!

***

Në kohën kur nisa të shkruaja seriozisht The Fraud, rreth vitit 2020, nuk ishte më roman komik. Prej atëherë ishte më tepër si jeta: komik dhe tragjik në të njëjtën kohë. Derisa shkruaja mund të betohesha se kisha ishte Trump-i ai që ishte në mendjen time, ai personazh i çuditshëm dhe i rrezikshëm, i cili, si Tichborne, triumfoi në vetëdijen publike duke e paraqitur veten si paradoks. Edhe një tjetër aristokrat i klasës punëtore. Edhe një tjetër hero fisnik i popullit. Edhe një tjetër rrenc i ndershëm. Por dëshmitë në inbox-in tim Yahoo! më sugjerojnë se kjo figurë paradoksale kthehet mbrapa bukur gjatë në kohë me mua. Vrasësi i pafajshëm. Njeriu i pasur i shkretë. Burri i bardhë zezak. Burri zezak i bardhë. Te njerëzit kaq paradoksal personalja dhe politikja, komikja dhe tragjikja, ekzistencialja dhe absurdja përplasen. Ata e fshehin të vërtetën dhe nganjëherë e shtrembërojnë vetë natyrën e tyre. Ata janë ajo që ndodh kur fiksioni përhapet në botë dhe nganjëherë – për shkak të besimit të tyre të patënzonë te tropetë e fiksionit – mund të na bëjnë të kemi dyshime ndaj vetë fiksionit. Por unë e dua fiksionin. E dua mënyrën si gënjen për ta thënë të vërtetën. Dhe me romanin The Fraudshpresoja t’ia kujtoja vetes fuqinë e fiksionit, që, ma ha mendja, është saktësisht pafuqishmëria relative e tij. Kështu pra, zotësia e tij për të luajtur me, stimuluar, provokuar dhe madje ndryshuar mendjen tonë pa, tekembramja, e kontrolluar kurrë atë. Ajo shkathtësi e errët është thesari i demagogëve, algoritmave dhe propagandistëve – cilitdo që ka për synim të vendosë pushtetin e tij mbi ne. 

***

‘Romani i mirë na tregon të vërtetën rreth heroit të tij – por romani i keq na tregon të vërtetën rreth autorit të tij.’ Kështu ka thënë G. K. Chesterton-i. unë nuk mund t’jua them të vërtetën autores së The Fraud: nuk mendoj njëmend se e njoh atë. Dhe me gjasë e vërteta rreth vetes sonë duhet prore të përcaktohet nga të tjerët. Ne jemi personazhet kryesore në romanet e jetëve tona, por janë gjithmonë të tjerët ata që na lexojnë neve. Në The Fraud nuk heronj të vërtetë – me përjashtimin e mundshëm të Andrew Bogle-t. Por aty gjenden një mori qeniesh njerëzore. Ca nga ta janë kokë e këmbë kriminelë, ca sociopatë, ca të këndshëm, ca të guximshëm, ca budallenj, ca të talentuar, ca gdhë, ca frikacakë, ca politikanë, ca apatikë, ca progresivë, ca regresivë – një pjesë janë përzierje e të gjitha këtyre llojeve. Është bërë e modës për romancierët t’i diktojnë lexuesit e tyre, t’iu thonë cilat personazhe të respektojnë dhe cilat t’i përçmojnë, cilat t’i duan dhe cilat t’i adhurojnë, cilave t’ua kenë frikën dhe me cilat të miqësohen. Unë parapëlqej të mendoj për lexuesit që bëjnë gjykimet vetë, të ashpra a simpatike, si do që të jenë ato. Ky është lloji i lexuesit që jam unë vetë. Më pëlqen të nxjerr përfundimet e mia. Të bëj analogjitë e mia. Por jam po ashtu edhe shkrimtare. Dhe e di se të shkruash një roman është, natyrisht, të shtypësh dorën mbi pjatën e peshorës. Asnjë romancier nuk është i pafajshëm në këtë. Por është një gjë të shkruash një tregim dhe bukur tjetër gjë është të këmbëgulësh në interpretimin tënd të asaj gjëje. Të bësh këtë është të rrethosh lexuesin nga të gjitha anët. Ajo që do të them rreth The Fraud është se fjala jo edhe sekrete që përshkon, si ind, secilin rresht të tij – dhe që e përshkon gjithë jetën britanike të shekullit XIX – i përket me të drejtë Andrew Bogle-t. Se shumë njerëz nuk kanë arritur të kuptojnë plotësisht domethënien e asaj fjale – si në atë kohë si në ditët e sotme – tekembramja mund të shpjegohet pjesërisht nga një rresht tjetër i Chesterton-it: ‘Njerëzit gjithmonë mund të jenë të verbër ndaj një gjëje, mjafton që ajo të jetë e madhe sa duhet.’

/Zadie Smith, Dead and Alive’, Penguin Press, New York, 2025

/Përkthimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement