string(51) "eseja-e-javes-rebecca-solnit-mbi-barazine-martesore"

Arte

Gazeta Express

06/06/2025 16:21

Eseja e javës/ Rebecca Solnit: Mbi barazinë martesore

Arte

Gazeta Express

06/06/2025 16:21

Rebecca Solnit (1961), shkrimtare dhe aktiviste amerikane. Ka botuar ‘River of Shadows’, me të cilin ka fituar National Book Critics Circle Award in Criticism, më 2004; ‘A Paradise Built in Hell’, 2009; ‘The Faraway Nearby’, 2013; dhe ‘Men Explain Things to Me’, një koleksion esesh mbi feminizmin dhe gratë shkrimtare, botuar së pari më 2014 – nga i cili është marrë edhe eseja e dhënë këtu, me titullin në origjinal: ‘In Praise of the Threat: What Marriage Equality Really Means’

LAVDI KËRCËNIMIT

(Çka do të thotë në të vërtetë barazia martesore)

Nga Rebecca Solnit

Për një kohë të gjatë, avokatët e e martesës së gjinisë së njëjtë kanë thënë se bashkime të tilla nuk paraqesin kërcënim, për t’i kundërshtuar konservatorët që thonë se bashkime të tilla janë kërcënim për martesën tradicionale. Ndoshta konservatorët kanë të drejtë dhe ndoshta ne duhet ta kremtojmë këtë kërcënim më parë se sa ta mohojmë. Martesa e dy burrave ose dy grave nuk ka impakt të drejtpërdrejtë mbi asnjë martesë burrë-grua. Por, në mënyrë metafizike, mund të ketë.

Për të kuptuar se si, duhet të shihni çka është martesa tradicionale. Dhe mënyrat se si të dy palët i bëjnë bisht: avokatët duke e mohuar, ose me më shumë gjasë duke mos e vërejtur kërcënimin dhe konservatorët duke qenë të drojtur rreth asaj se çka është kërcënimi.

Së fundmi shumë amerikanë e kanë ngatërruar frazën kaba “martesë e gjinisë së njëjtë” me termin “barazi martesore”. Fraza zakonisht përdoret për të nënkuptuar se çiftet e së njëjtës gjini do të kenë të drejtat që kanë çiftet e gjinisë së kundërt. Por po ashtu mund të nënkuptojë se martesa është mes të të barabartëve. Martesa tradicionale s’ka qenë e tillë. Në pjesën më të madhe të historisë së saj në Perëndim, ligjet që mbronin martesën e kanë bërë burrin në thelb zotërues dhe gruan posedim. Ose burrin bos dhe gruan shërbyese ose skllave.

Gjykatësi britanik William Blackstone shkroi më 1765, në komentarin e tij të famshëm mbi common-law anglez dhe, më vonë, ligjin amerikan, “Nga martesa, burri dhe gruaja janë një person para ligjit: kështu, qenia e vërtetë ose ekzistenca legale e gruas pezullohet gjatë martesës, ose në fund të fundit inkorporohet dhe konsolidohet në atë të burrit”. Nën rregulla të tilla, jeta e një gruaje vihej në dispozicionin e burrit të saj dhe sado që kishte pasur burra të këndshëm ashtu si edhe të pakëndshëm, të drejtat janë më të besueshme se këndshmëria e dikujt që ka pushtet absolut mbi ty. E të drejtat ishin tejet larg kësaj. Deri te Aktet Pronësore të Grave britanike të martuara, të viteve 1870 dhe 1882, gjithçka i përkiste burrit; gruaja ishte trokë në llogarinë e saj, pavarësisht trashëgimisë ose të ardhurave të saj. Ligjet kundër gruas së nënshtruar ishin kaluar rreth asaj kohe si në Angli ashtu edhe në Shtetet e bashkuara të Amerikës, por rrallëherë ishin imponuar deri në vitet 1970. Fakti se dhuna shtëpiake tash (nganjëherë) ndiqet penalisht nuk e ka kuruar epideminë e një dhune të tillë në vendet e tjera.

Memoari i vonshëm i romancieres Edna O’Brien ka ca pasazhe që të ngrijnë gjakun rreth udhëtimit të saj nëpër atë që duket të ketë qenë një martesë përnjëmend tradicionale. Burri i saj i parë ishte duke u turpëruar rreth suksesit letrar të saj dhe e kishte detyruar t’ia kalonte çeqet atij. Kur ajo kishte refuzuar të nënshkruante për të një çek për të drejtat e një filmi të madh, ai e kishte kapur për fyti dhe kur ajo kishte shkuar në polici, ata s’e kishin çarë kokën aq. Dhuna më tmerron, por po kaq bën supozimi që fshihet nën se abuzuesi ka të drejtë të kontrollojë dhe të ndëshkojë viktimën e tij dhe mënyra si një dhunë e tillë përdoret me atë qëllim.

Rasti i Ariel Castro-s nga Clevelend, Ohio, i akuzuar më 2003 për burgosjen, torturimin dhe abuzimin seksual të tri grave të reja për një dekadë të tërë, është esktrem, por lehtësisht mund të mos jetë anomali që na portretizon neve. Për një gjë, Castro, pohohej, ishte në mënyrë spektakulare dhe të hapur i dhunshëm ndaj gruas së tij common-law tash të vdekur. Ajo që gjendet mbrapa veprimeve të dëshmuara të Castros mund të ketë qenë një dëshirë për një situatë ku ai ka pushtet absolut dhe gratë janë absolutisht të pafuqishme, një version vicioz i rregullimit tradicional. 

Kjo është tradita ndaj së cilës feminizmi ka protestuar dhe proteston – jo vetëm ndaj ekstremeve, por edhe gjendjes së përditshme. Feministet në shekullin e nëntëmbëdhjetë kanë bërë ca sulme të befasishme, ato të viteve 1970 dhe 1980 kanë bërë goxha më shumë, nga të cilat kanë përfituar të gjitha gratë e Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe feminizmi e bëri martesën e së njëjtës gjini të mundshme duke bërë punë të madhe në transformimin e një marrëdhënieje hierarkike në një të barabartë. Ngase një martesë mes dy njerëzish të së njëjtës gjini është natyrshëm e barabartë – njëri partner mund të ndodhë të ketë më shumë fuqi në disa mënyra të caktuara, por për në pjesën më të madhe është një marrëdhënie mes njerëzish që kanë pozitë të barabartë dhe kësodore janë të lirë të përcaktojnë rolet e tyre ata vetë. Burrat gay dhe lezbiket tashmë kanë hapur çështjen të çfarë cilësive dhe roleve që janë mashkullore dhe femërore në mënyrat që mund të jenë çliruese për personat heteroseksualë. Kur ata martohen, domethënia e martesës është e hapur në të njëjtën mënyrë. Asnjë traditë herarkike nuk është në bazën e bashkimit të tyre. Disa njerëz e kanë mirëpritur këtë me gëzim. Një pastor presbiterian që kishte performuar një mori martesash të tilla më tha, “Mbaj mend se si arrita ta kuptoj këtë kur po takohesha me çiftet e së njëjtës gjini para performimit të ceremonive të tyre sa ishte legale në Kaliforni. Imponimet e vjetra patriarkale nuk aplikoheshin në marrëdhëniet e tyre dhe të ishe dëshmitar i kësaj gjëje ishte e mahnitshme.”

Konservatorët amerikanë janë të frikësuar nga kjo barazi, ose mbase thjesht të tmerruar. Nuk është tradicionale. Por ata nuk duan të flasin për atë traditë apo entuziazmin e tyre prë të, megjithëse nëse e shikon sulmin e tyre ndaj të drejtave të reprodukimit, të drejtave të grave dhe tërbimin gjatë fundit të vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2013 ndaj ribërjës së Akteve të Dhunës Ndaj Grave, nuk është zor të kuptosh ku po rrehin të dalin. Sidoqoftë, ata fshihen pas interesit të tyre të vërtetë për ndalmin e martesave të së njëjtës gjini.

Ne që kemi ndjekur procedimet gjyqësore rreth, për shembull, betejes kalforniane për barazi martesore, kemi dëgjuar shumëçka rreth asaj se si martesa ka të bëjë me lindjen dhe rritjen e fëmijëve dhe riprodhimi sigurisht kërkon bashkimin e një sperme me një vezë – por në ditët e sotme ato bashkohen në mënyra të shumta, përfshirë ato në laboratore dhe nënat surrogate. Dhe çdonjëri është i vetëdijshëm se shumë fëmijë sot rriten nga gjyshërit, njerkët, prindërit adoptues dhe persona të tjerë që nuk i lindin por i duan ata.

Shumë martesa heteroseksuale janë të pafëmijë; shumë sish me fëmijë të ndarë: s’ka garanci se fëmijët do të rriten në një shtëpi me dy prindër të dy gjinive. Gjykatat janë tallur me barazinë martesore me argumentin e reprodukimit dhe rritjes së fëmijëve. Konservatorët nuk e kanë përcaktuar atë që duket të jetë objektivi i tyre i vërtetë: se do të donin të mbronin martesën tradicionale dhe më shumë se kaq, rolet tradicionale gjinore.

Njoh çifte heteroskesuale të kpndshme dhe të mrekullueshme që janë martuar në vitet 1940 dhe 1950 dhe çdo dekadë prej atëherë. Martesat e tyre janë barazore, plot me të përbashkëta dhe bujari. Por edhe njerëzit që nuk ishin gjithaq të pandershëm ishin thellësisht të pabarabartë në të kaluarën. Njoh po ashtu një njeri të denjë që ka vdekur para pak kohësh, në moshën nëntëdhjetenjëvjeçare: në fillimet e tij kishte zënë një punë në anën tjetër të vendit pa e informuar gruan e tij se edhe asaj i dihej të lëvizte apo pa e ftuar atë të merrte pjesë në atë vendim. Jeta e saj nuk ishte e saj që ta përcaktonte. Ishte e tij.

Është koha t’ia përplasim derën asaj epoke. Dhe të hapim një tjetër, përmes së cilës mund të mirëpresim barazinë: mes gjinive, mes partnerëve martesorë, për këdo në çfarëdo rrethane. Barazia martesore është kërcënim: ndaj pabarazisë. Është një e mirë për këdo që e vlerëson dhe përfiton nga barazia. Është për të gjijë ne.

/Rebecca Solnit, ‘Men Explain Things to Me’, Haymarket Books, 2014

/Përkthimi: Gazeta Express

aaaaa