Raul Hilberg (1926–2007), historian dhe shkencëtar politik amerikan me prejardhje hebreje i lindur në Austri. Libri i tij më i njohur ‘The Destruction of the European Jews’, e ka bërë atë të konsiderohet «ati themelues të studimeve mbi Holokaustin».
Teksti është botuar për herë të parë në The Holocaust: Ideology, Bureaucracy, and Genocide, (Kraus International Publications, 1980).
DOMETHËNIA E HOLOKAUSTIT
Nga Raul Hilberg
Tema ime është domethënia e Holokasutit për qytetërimin Perëndimor. Kjo është goxha detyrë. E di se shumë hulumtues të Holokaustit, të izoluar në disiplinat e tyre akademike, nuk kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin. Vetëm në vitet e fundit teoricienët janë kthyer te historia dhe e kanë pyetur vetveten me më hollësi, “Çfarë ka ndodhur?”. Historianë të së njëjtës shenjë, empiristë si unë, të cilët përherë janë marrë me çështje konkrete, po bëhen tash gjithnjë e më kontemplativë teksa po adresojmë çështjet më të mëdha të domethënies. Prapë, do të jetë e vështirë, nëse jo e pamundshme, të sqaroj rëndësinë e Holokaustit gjatë një mbrëmjeje të vetme. Mbase mund të përkufizohet dhe të stërhollohet gjatë asaj kohe, por puna nuk mund të përfundohet as edhe për një jetë të tërë. Kuptimi i këtyre çështjeve vjen ngadalë dhe nganjëherë nuk vjen fare. Andaj, do të përpiqem të paraqes vetëm një skicë, një që, çuditërisht, s’e kam provuar kurrë më parë. Le ta karakterizojmë këtë ngjarje një tri mënyra. Qasja ime mund të duket pak profesionale, por ndihmon të reduktohet pafundësia e temës, kështu që të mund, në njëfarë kuptimi, ta përballojmë.

Gjëja e parë që duhet të merret në konsideratë, dhe më kryesorja, është fakti i natyrshëm – apo mbase jo edhe aq i natyrshëm – se Holokausti ishte i dallueshëm në mënyrë të pamohueshme nga çdo ngjarje a fenomen tjetër historik. Ai nuk mund të shpjegohet në terma të tjerë. Nuk mund ta përziejmë me fushatat e Luftës së Dytë Botëtore, apo me qëllimet e gjermanëve në atë luftë. Nuk mund të tkurret në teoritë e kurbanit të qeverisë. Holokausti ishte sui generis. Kjo është arsyeja pse nuk mund të jetë thjesht pjesë e një studimi të persekutimeve apo diktaturave. Ka nevojë për letërsinë dhe burimet e veta. Duhet përherë ta mbajmë në mend se Holokausti ishte ushtruar pamëshirshëm nga autorët e tij të krimit (perpetrators) nga viti 1933 deri më 1945, e kishte pasur momentumin e vet dhe po shkonte drejt përfundimit të tij logjik edhe atëherë kur po bëhej e qartë, gjatë betejës së Stalingradit, në janar të vitit 1943, se lufta do të humbej. Procesi shkatërrues ishte zbatuar pavarësisht kostove të tij, jo për ndonjë përfitim material dhe jo për ndonjë qëllim ushtarak. Edhe ata hebrenj që do të mund t’i ishin nevojitur industrisë gjermane të luftës, në sektorë të ndryshëm, ishin vrarë. Gjithnjë e më shumë po shihet fare qartë, nga shqyrtimi i mirëfilltë i fakteve, se shkatërrimi i hebrenjve të Evropës ishte dëshiruar si i tillë dhe ishte përmbushur për këtë arsye. Kjo është cilësia e Holokaustit që na paraqitet neve me disa nga implikimet e tij më të thella.
Një tipar i dytë i procesit është rrethana se gjermanët, duke marrë masa edhe më drastike ndaj hebrenjve, po hynin në konflikt me ndalimet fundamentale ligjore, zakonet dhe moralin. Brenda burokracisë, Holokausti u bë një temë gjithnjë e më e ndjeshme. Arsyetimet ranë. Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme të fjalëve që shoqëronin shkatërrimin e hebrenjve, propagandës së pafundme që ishte intensifikuar edhe më tepër sa më shumë që vdisnin viktimat, ata autorë të krimit që ishin më afër skenës së veprimit, nuk mund t’i justifikonin më gjatë veprimet e tyre – duhej t’i ndrydhnin. Ata e dinin se tashmë kishin ndërmarrë një hap të paprecedent që asnjë burokraci tjetër, asnjë komb tjetër, nuk kishte guxuar ta ndërmerrte. I kishin kapërcyer kufijtë; e kishin kaluar pragun, ishin në territor të ndaluar. Kurrë s’do të ishin në gjendje të justifikonin atë që kishin bërë.
Ne i shohim pasojat afatgjata të kësaj zezone në natyrën e marrëdhënieve të dukshme të këtyre ditëve që vendet Perëndimore, jo vetëm hebrenjtë, kanë me Gjermaninë. Dikur, para Luftës së Dytë Botëtore, kishte njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe, për të cilët raportet e asaj që po përhapej në Boshtin Evropian nuk kishin ndonjë domethënie të madhe, për të cilët përndjekjet e çfarëdo lloji nuk kishin ndonjë domethënie të madhe, derisa nuk e panë vetë me sytë e tyre të shokuar më 1945. I panë kampet. Çështjet që ishin ngrehur atëherë janë përjetësuar gjatë viteve në Shtetet e Bashkuara dhe kudo nëpër botën Perëndimore.
Megjithatë efektet më intensive të kësaj shkeljeje masive ndihen nga vetë Gjermania. Isha aty më 1976 dhe për habinë time më të madhe vura re se njerëzit në drejtësi, në zyrat e transportit hekurudhor, bile edhe në administratën doganore, prezantoheshin me mua disi në këtë mënyrë: “Emri im është Schultze. Unë jam tridhjetetetëvjeçar”. “Emri im është Krause. Jam lindur më 1939”. Sa prezantim i çuditshëm! Këso është ndarja në Gjermani mes gjeneratave. Në disa aspekte, është më e thellë se sa ndarja politike mes Lindjes dhe Perëndimit. I përshkon të dy entitetet. Nëse, në ndonjë rast, një dorë më e re zgjatet drejt një autori krimi të vjetër, menjëherë thyhet një tabu dhe arrihet një ujdi e çuditshme me të kaluarën.
Merreni një shembull të veçantë që e kam përjetuar më 1976. Isha mysafir i administratës qendrore të provincës gjermane të Ludwigsburgut, që hetonte krimet e mbetura të luftës. U mirëprita përzemërsisht. Më treguan dokumente që doja t’i shihja dhe më trajtuan përnjëmend në mënyrë speciale. Një film i ndaluar do të jepej, një film propagandues nga periudha hitleriane, që kishte të bënte me Jud Süss, një hebre i cili e pushton Shtutgartin në një periudhë tjetër, i shfrytëzon gjermanët dhe në fund vritet. E shikova atë film, nga i cili ishin lejuar të mbeteshin vetëm dy a tri kopje. Mirë fort. Zyra mbyllej, si zakonisht, në orën 4:00 ose 4:30 pasdite. S’kisha çfarë të bëja. Shkova në një dyqan librash dhe gjeta një libër xhepi të botuar nga Suhrkamp, njëra prej shtëpive më të mëdha botuese. Ishte një dramë e re, e shkruar nga dikush i lindur pas luftës, rreth një hebreu, i cili, në mesin e viteve 1970, pushton qytetin Frankfurtit dhe e shfrytëzon atë, ndërkohë që gjermanët bëjnë sehir të pashpresë*. Në tekst gjendet një monolog që tingëllon si shumë të tjerë që janë shkruar në të kaluarën, por me një rresht më shumë: “Ata harruan ta çonin atë në dhomat e gazit”. Kjo ishte drama e shkruar nga dramaturgu gjerman Rainer Werner Fassbinder, derisa ishte hequr nga qarkullimi, mora vesh, pas kritikave të shumta nga shtypi.
Ne e dimë, natyrisht, se ashtu siç ka pasur një vetëpërmbajtje të fortë nga vendet perëndimore, dhe jo vetëm nga hebrenjtë, në qëndrimin e tyre ndaj Gjermanisë, ka pasur po ashtu edhe një marrëdhënie të veçantë nga të gjitha kombet perëndimore, jo vetëm nga Gjermania, me hebrenjtë. Manifestohet në shumë mënyra, përfshirë ekzistencën e vështirë dhe të vazhdueshme të Izraelit, që është një fenomen par exellence post-Holokaust.
Holokausti është fenomen i paepshëm. Ishte një i akt që ka shkaktuar valë shokuese, me pasoja afatgjata, në shoqërinë tonë. Ishte po ashtu, në kohën kur po ndodhte, një ngjarje e papritur.
Të parët që u prekën nga kjo papritshmëri ishin vetë viktimat. Në momentin e rrezikut ekstrem, nuk mund ta perceptonin katastrofën që po u rrinte mbi kokë. Nuk mund ta përfytyronin një qytetërim perëndimor që do të ishte në gjendje të lansonte një “Zgjidhje finale”. Kjo është njëra prej arsyeve pse, në Këshillat e hebrenjve kudo nëpër Evropë, nuk ishte bërë asgjë. Edhe kur filluan të shumëfishohen zërat e zhvillimeve ogurzeza në tavolinat e kryetarëve të Këshillave hebreje, nuk mund ta besonin se atdheu i Beethovenit, shtëpia e Gëtes, ishte e zonja të shqyrtonte shkatërrimin në masë. Kështu që në verën e vitit 1942 u erdhi radha hebrenjve të Varshavës të deportoheshin. Kryetari i Këshillit të getos së Varshavës, Adam Czerniaków, la pas vetes një ditar, një seri shënimesh ditore prej fjalish të papërfunduara nga shtatori i vitit 1939 deri në momentin kur filloi deportimi. Ai i kishte regjistruar të gjitha lajmet, të gjitha raportet që arrinin tek ai në të vërtetë nga gjermanët me të cilët ishte në kontakt, pra, përndjekësit e tij. Zërat u shumëfishuan gjatë janarit, marsit dhe prillit 1942. Në fund, secili brenda getos ishte i vetëdijshëm se diçka po ndodhte dhe në atë moment ai shkoi te Gestapoja dhe ua parashtroi pyetjet kruciale: “A është e vërtetë?”. “Jo”. “A ka ndonjë bazë për ato që po thuhen?”. “Jo”. Nuk kishte qenë i kënaqur me aq. Kishte shkuar te një oficer tjetër. “A është e vërtetë?”. “Unë nuk kam dëgjuar asgjë”. “A është e vërtetë?”, kishte pyetur për herë të tretë. “Jo”. “A mund t’i përgënjeshtroj fjalët që janë përhapur?”. “Po”. Ishte marrë me këtë gjë edhe nja dy ditë. Pastaj e kishte gëlltitur helmin që e kishte mbajtur në të brendshmet e veta që nga fillimi. Ca muaj më vonë, kryetari i komunitetit hebre të Vjenës, Dr. Josef Löwenherz, i cili kishte drejtuar deportimin e dhjetra mijëra njerëzve, po ashtu ishte detyruar t’ia parashtronte vetes pyetjen e pashmangshme. Kishte shkuar në zyrat e Gestaposë në Vjenë ku kishte folur me njeriun e Gestaposë, Dr. Karl Ebner. Löwenherz donte të takonte vetë shefin e Gestaposë së Vjenës për t’i verifikuar raportet për hebrenjtë që po dërgoheshin drejt vdekjes. Ebneri mendonte se Löwenherz do ta kishte “punën pisk” nëse do të fliste me shefin për një gjë të tillë. Kryetari hebre megjithatë ishte pranaur në zyrën e shefit; pastaj ishte lutur të priste jashtë derisa shefi të bënte një telefonatë me Gestaponë e Berlinit. Pastaj shefi i Gestaposë së Vjenës i kishte mohuar raportet.
Dy incidente; kishte pasur edhe më shumë. Lidershipi i popullit hebre më 1942 dhe 1943 nuk mund ta besonte më të keqen. As, meqë ra fjala, forcat Aleate, pavarësisht indikacioneve që po vinin, me bollëk, nga Evropa e pushtuar. Vazhduan të kërkonin dhe në analizë të fundit nuk është se ishte thënë aq dhe edhe më pak ishte bërë gjatë orëve më fatale të hebraizmit evropian. Kujtojeni, përsëri, se pyetja bazike ishte nëse një komb perëndimor, një komb i qytetëruar, mund të ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë. Pastaj, menjëherë pas vitit 1945, pamë atë dyshim të kthehet krejtësisht në anën tjetër dhe filluam të pyetemi: “A ka ndonjë komb perëndimor që s’do të ishte në gjendje ta bënte këtë?”.
Problemi ishte verbalizuar nga një përfaqësues ligjor, Edwin Sears, në një artikull që kishte dalë në dy botime të Forumit hebre më 1951. Më shumë se një dekadë më pas, shkrimtari britanik Frederic Raphael futi në romanin e tij ‘Lindmann’ një fantazi trefaqesh të hebrenjve të deportuar nga burokracia britanike nga qytetet britanike. Përshkrimi i tij i ngjarjeve hipotetike është posaçërisht frikësues, ngase personazhet janë britanike, mendimet e tyre janë britanike dhe mënyra se si flasin është – larg çfarëdo modeli gjerman – tipike dhe krejtësisht britanike. Në fund, mund të përmend eksperimentin e famshëm të Yale University nga Stanley Milgram, i cili tregoi se njerëzit, nën ndikimin e autoritetit, do të shtypin pullat. Njëherë shkova në New Haven dhe, duke e pasur në mend se Milgrami e kishte nxjerrë subjektin e tij eksperimental nga qyteti, i pyeta shumë nga mikpritësit e mi: “Thomëni, a jeni në gjendje ta bëni atë gjë? A besoni se mund të ndodhë në New Haven?”. Një grua, e cila sapo ishte vendosur aty nga një qytet tjetër, tha: “Jo në vendin tonë, askund në Shtetet e Bashkuara, por mbase mund të ndodhë në New Haven”. Një tjetër, një dentist hebre, më tha: “Ka diçka që dua të ta them tash. Ishte një pjesëmarrës në eksperiment i cili kishte refuzuar të kooperonte dhe ai njeri ishte dentist”.
Më 1941 Holokausti ishte i pritshëm dhe kjo është arsyeja e vërtetë e ankthit tonë pasues. Më nuk guxojmë të përjashtojmë të paimagjinueshmën nga mendimet tona. Megjithatë, fuqia jonë analitike që të masim prirjet shkatërruese te të gjithë njerëzit janë të pakëta për një parashikim adekuat. Andaj, llogaritjet tona të tanishme të rrezikut të mundshëm janë bukur më pak produkt i zhbirimit sistematik se sa një çështje e gatishmërisë dhe ndjeshmërisë personale. Që ta thjeshtëzojmë, nëse besoni se vetëm gjermanët janë të zotë për një shkatërrim të tillë në masë, siç e kemi parë mes viteve 1933 dhe 1945, ju jeni optimistë. Nëse mendoni se shumë kombe e kanë këtë potencial, ju jeni pesimist me të vërtetë.
Ka një përfundim që mund të nxjerrim nga e kaluara. Një proces shkatërrues nuk është punë e pak mendjeve të çmenduara. Nuk mund të përmbushet nga një grusht njerëzish. Është shumë më kompleks në ecurinë e tij organizative dhe shumë më i përhapur në implementimin e tij adiministrativ që të mund të bëjë pa burokratët e specializuar në çdo segment të shoqërisë. Autorët e krimeve që ishin përgjegjës për “Zgjidhjen finale të çështjes hebreje në Evropë” vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe nga tëë gjitha shtresat e shoqërisë. Nuk mund të supozojmë se një njeri që mund të ketë qenë një individ esencial në ato operacione shkatërruese njihet në çastin që e sheh. Lërmeni t’jua kallëzoj një histori sa për të pasur një ilustrim të vogël.
Gjatë hulumtimit tim për dokumentet e transportit hekurudhor, shkova në zyra qendrore e hekurudhave gjermane në Frankfurt mbi Majn. Pas telasheve të zakonshme burokratike nëpër zyra të ndryshme, më drejtuan për te një aneks në zemër të seksionit të qytetit ku shiteshin materiale pornografike. Aty ishte qendra e dokumenteve të luftës. Një qendër, rastësisht, pa dokumente. Derisa arrita aty ora vajti njëmbëdhjetë e gjysmë në mëngjes. Qëndrova në korridor dhe xhentelmenë kaluan aty pari. “Për çka jeni i intersuar?”, më pyetën. Unë iu thashë: “Ajo për çka jam i interesuar është diçka nga historia e Luftës së Dytë Botërore”. “Ah”, bënë ata, “Trenat ushtarakë?”. “Jo, trafiku i pasagjerëve civilë me orar special”. “Ah”, bëri njëri prej tyre, “Auschwitz! Treblinka!”. Paksa i shtangur nga ajo si e kishin kuptuar aq shpejt se çfarë po kërkoja nga shprehja ime e matur e interesimit për trenat specialë, i pyeta si mund ta dinin këtë? Ai tha, “Oh, hekurudha e qytetarëve kalon në anën tjetër”. I kishte parë getot. Kishte qenë në Katyn. Kishte qenë i pari aty kur varreza masive, me gjithë ata oficerë polakë të qëlluar nga sovjetikët, ishte hapur. E dëgjova për dhjetë minuta. Atëherë tjetri, që kishte qëndruar pa e hapur gojën, tha, “Shiko, po shkojmë të hamë drekë më herët. Pse të mos vini me ne në komisariat? Nëse hani vetë do t’ju kushtojë dymbëdhjetë marka, e me ne do t’ju kushtojë tre marka”. “Kjo është shumë e këndshme nga ana juaj”.
U kthyem në zyre. I fotokopjoi disa skedat e regjistrave që mendonte se mund të më interesonin. Ma shpjegoi me durim pse vagonët e hekurudhave gjermane kishin katër rrota më parë se sa tetë. Kishte të bënte metalurgjinë superiore gjermane. M’i shpjegoi çështjet teknike që kishin të bënin me atë se si trenat kalonin përmes zonave të orarit. Atëherë shfrytëzova rastin ta pyesja për një person me emrin Geitmann, për të cilin mund të mos keni dëgjuar, sado që ishte, më 1960, anëtar i direktoratit prej katër vetash që drejtonin Bundesbahn-in, hekurudhat gjermane. Ky njeri, Geitmann-i, gjatë luftës ksihte qenë drejtor i Oppeln-it, i cili përfshinte kampin e vdekjes, Auschwitz-in. Si shumë njerëz të këtyre hekurudhave, madje si vetë hekurudhat gjermane që kurrë nuk ndalen së ecuri, kishte pasur një karrierë të sukseshme pas luftës. I thashë, “Epo, çfarë mund të më thoni për Geitmann-in, pra?”. Mikpritësi im, një burrë i gjatë i vrazhdë, rreth të të gjashtëdhjetave, tha, “E njoh Geitmann-in”. Interesante. “Si? Ku? Kur?”. Ai tha, “Isha në direktoratin e hekurudhave të Oppeln-it”. E kështu ia krisëm muhabetit mbi këtë e mbi atë. Po bëhej vonë, por ai nuk po shkonte në shtëpi. Qëndroi me mua. Pastaj tha, “E kam parë Auschwitz-in”. Thashë me vete: Me gjasë është një gjerman që ka bërë peligrinazh pas luftës. Me zë i thashë, “Keni bërë pelegrinazh?”. “Oh, jo. Isha atje, atëherë”. “Po çfarë po bënit atje?”. “I kam vënë instalimet sinjalizuese”. “A jeni inxhinier?”, e pyeta. “Po”. Deshi të ma bënte me dije. S’ishte nevoja të ma thoshte. Ia kisha behur nga askund. Ai e dinte kush isha dhe çfarë po bëja, megjithëse fjala “hebre” nuk u përmend as edhe njëherë të vetme. Ai më tregoi, dhe unë e pashë autorin e krimit. A ishte ai shumë ndryshe nga të gjithë llogaritarët, nga të gjithë inxhinierët, nga të gjithë profesionistët të cilët për njëfarë arsyeje që prekte juridiksionin e tyre ishin sjellë në atë punë shkatërruese? Nuk po flas për vullnetarë, po për njerëz që në një moment të caktuar u desh të merreshin me hebrenjtë ngase çështja që ishte në skenë kërkonte vëmendjen, ekspertizën dhe efikastitetin e tyre. Habitëse për mua, pasi që jam marrë me këto kërkime për rreth tridhjetë vjet, është ende pyetja: Pse ata nuk ishin joefikasë?
Kur Milgrami e performoi eksperimentin e tij në Yale, modeli i tij përfshiu një figurë autoritative dhe ai njeri bëri ashtu siç i kishin thënë. Si e kemi shprehi të mendojmë në terma të tillë rreth procesit administrativ në sistemet totalitare. Realiteti, sidoqoftë, ishte më kompleks se aq. Burokracia që i shkatërroi hebrenjtë evropianë ishte jashtëzakonisht e decentralizuar dhe veprimet e saj më të përhapura nuk ishin filluar përherë nga koka. Zyrtarë që shërbenin në mes ose edhe në pozita më të ulëta të përgjegjësisë ishin prodhues të ideve më të mëdha. Herë pas here, një set i veçantë rekomandimesh aprovohej nga eprorët dhe bëhej diçka politike, autorizim apo direktivë. Bukur shpesh kaq gjë ishte gjeneza e një “urdhri”.
Konsiderojeni një shembull të vrazhdë por jo të izoluar nga mesi i vitit 1941, në kohën kur “Zgjidhja finale” ishte në horizont. Majori SS në Lodz ia kishte dërguar një letër shokut të tij Eichmann rreth disa qindra mijëra hebrenjve në zonën e Lodzit. Majori mendonte se gjatë dimrit të ardhshëm shumë hebrenj do të vdisnin urie në getot e tyre. Ai rrjedhimisht sugjeroi një plan të shpejtë për t’i lehtësuar njerëzit në moshë joproduktivë, ashtu si edhe gratë dhe fëmijët, nga mjeria e tyre. Nuk mund ta përcaktojmë saktësisht efektin e komunikimit të tyre, por e dimë se brenda muajsh “plane” në formë të kamionëve me gaz ishin në veprim afër Lodzit dhe tjetërkund. Prej atëherë, memorandumet as që ishin të nevojshme më; nuk kishte më nevojë për fjalë. Çdonjëri, në cilindo segment të burokracisë, e dinte çfarë duhej të bëhej. Sa më të paktë përçarësit, aq më të paktë dezertuesit.
Të gjithë ju keni dëgjuar thënien se burokracia është thjesht një dhëmbëz në timon – kthehet ngado që është duke u kthyer timoni. Si shkencëtar politik, kam një pikëpamje ndryshe: burokrati e drejton timonin – pa të nuk kthehet. Po kush ishin ata ngasës? Ata ishin, në shkallë të gjerë, si njerëzit në hekurudha, përfaqësues të trajnuar të një shoqërie, më parë se sa bjerraditës të saj, deviantë apo të përzënë. Edhe Heinrich Himmler, shef i SS dhe policisë gjermane, mund të thuhet të ketë qenë anëtar tipik i një klase, vendi dhe kohe. Në një biografi të shkruar nga Bradley Smith**, ne mësojmë për rritjen e tij në një familje mjaftueshëm të kamur, vitet e tij të formimit me një guvernante, sëmundjet e tij fëmijërore dhe edukimin e tij. Smith posedonte një ditar të mbajtur nga Himleri i ri nga koha kur ishte rreth dymbëdhjetë vjeç deri në moshën njëzetegjashtëvjeçare. Vetë Himleri i kishte pasur problemet dhe frustrimet e tij, por s’e kishte humbur sensin apo zotësinë e tij të bënte gjykime të matura. Nuk ishte i luajtur. Tash, a s’do të ishit më të lumtur po të isha i zoti t’ju tregoja juve se të gjithë ata autorë krimesh ishin të çmendur?
Ata ishin njerëz të edukuar të kohës së tyre. Ky është thelbi i çështjes saherë që peshojmë kuptimin e qytetërimit perëndimor pas Auschwitz-it. Evolucioni ynë e ka tejkaluar të kuptuarit tonë; nuk mund të supozojmë më se i kuptojmë plotësisht punën e institucioneve tona shoqërore, strukturat burokratike apo teknologjinë.
A duhet të presim të kuptojmë? A duhet t’i pezullojmë analizat tona derisa të kemi më shumë dokumente, nga më shumë vende, për atë periudhë? A duhet t’ia lëmë një gjenerate tjetër që të mund ta përmbushte detyrën e një perspektive të re? S’ma ha mendja. Ata nga ne që kanë jetuar gjatë shkatërrimit të hebrenjve dhe që kanë njohje nga dora e parë të diçkaje që bëri vaki në atë kohë do t’i lexojnë dokumentimet me një interpretim bashkëkohor të përmbajtjeve të tyre. Mund t’i identifikojmë nuancat, aluzionet, referencat që mund t’i hutojnë ata që do të vijnë pas nesh. Prandaj mund të japim kontributin tonë të veçantë për kuptimin e këtyre ngjarjeve, ngase ishim pjesë e tyre.
Shënime:
* Rainer Werner Fassbinder, Der Müll, die Stadt und der Tod Stücke, Teil 3 (Frankfurt am Main: Suhrkamp, 1979).
** Bradly F. Smith, Heinrich Himmler: A Nazi in the Making, 1920-1926 (Standford, 1971).
/Marrë nga: Raul Hilberg, ‘The Anatomy of the Holocaust’,Berghahn Books, 2020
/Përkthimi: Gazeta Express