Eseja e javës / Plutarku: Të pasurit shumë miq - Gazeta Express
string(43) "eseja-e-javes-plutarku-te-pasurit-shume-miq"

Arte

Gazeta Express

26/05/2023 16:15

Eseja e javës / Plutarku: Të pasurit shumë miq

Arte

Gazeta Express

26/05/2023 16:15

Moraliet (në greqishten antike: θικά, Ēthiká) janë një seri prej 78 traktatesh, disa prej të cilave pseudoepigrafë të Plutarkut. Traktati i sjellë këtu është i shtati me radhë, sipas renditjes së standardizuar tashmë nga studiuesit e autorit

TË PASURIT SHUMË MIQ

Lexo Edhe:

Nga Plutarku

1.Menon Tesalin1, që shkonte me mendjen se ishte mjaft ekspert në dialektikë dhe që, bash siç do të thoshte Empedokli: «Frekuentonte majat e urtësisë», Sokrati e pyeti çka është virtyti. Ky iu përgjigj aty për aty dhe pa fije mëdyshjeje se ekzsiton një virtyt për fëmijën dhe një për të moshuarin, një për burrin dhe një për gruan, një për atë që qeveris dhe një për qytetarin privat, një për pronarin dhe një për shërbëtorin. «Mirë», tha Sokrati, «Po ta kërkonim një virtyt të vetëm e ti na i nxore përpara një mori sosh» [Platoni, Menoni, 72a]. Kishte të drejtë në vërejtjen se bashkëbiseduesi i tij përmendte shumë virtyte pikërisht ngase nuk e njihte asnjërën sosh. Po atëherë a nuk rrezikojmë edhe ne të bëhemi qesharakë nëse, pa e pasur ende një miqësi të vetme të sigurt, kemi frikë se mos po bëhemi, pa e vërejtur këtë, me një shumësi miqsh? Po qe kështu, s’jemi pastaj aq të ndryshëm nga ai doraci që tutet mos po bëhet Briareu me njëqind krahë2, apo nga ai i verbri që tutet se mos po bëhet Argu që sheh gjithçka3. E megjithatë e lavdërojmë pa masë të riun që te Menandri thotë: «Për të gjithë është një e mirë e mrekullueshme të kenë qoftë edhe veç hijen e një miku».

2.Në të vërtetë, shkaku kryesor që, bashkë me shumë të tjerë, na pengon të arrijmë një miqësi, është pikërisht dëshira që të kemi shumë sosh. Ashtu siç ngjet me gratë e lëshuara, të pasurit e lidhjeve të shumta dhe të shpeshta, bën që të mos arrijmë t’i mbajmë të parat, të cilat, pasi që i heqim nga mendja, na braktisin. Ose thënë më mirë, fëmija në tajë të Ipsipilës, duke u ndier si në livadh, kapte «duke i ndukur njërën pas tjetrës, lulet e presë së tij, i lumtur në foshnjëllëkun e vet të pangopshëm» [Euripidi, Fragmentet, 754. K.]5. Kështu edhe ne tërhiqemi prore nga lulja më e freskët, meqë lakmojmë risinë dhe shpejt lodhemi soje. Ky qëndrim na bën të ndërrojmë shumë miqësi dhe lidhje sapo që i fillojmë dhe sa janë ende të pakompletuara, duke qenë se e braktisim mikun që jemi duke e kapur, nga dëshira për t’i shkuar pas një të riu. Të nisemi atëherë nga e para, me atë që historia na e ka lënë trashëgim rreth miqësive të forta dhe ta marrim antikitetin e madh të shembujve si dëshmitar dhe këshillues për fjalimin tonë. Tradita numëron çiftet e miqve si në vijim: Tezeu dhe Piritou, Akili dhe Patrokli, Oresti dhe Piladi, Fincia dhe Damoni, Epaminonda dhe Pelopidi6. Miqësia, në të vërtetë, është bashkimi i qenieve të gjalla, por jo në tufa apo siç bëjnë sorrat: miku duhet të konsiderohet si një vete tjetër dhe të quhet «shok», duke pasur në mendje «tjetrin prej të dyve7», është mënyra e vetme për ta përdorur numrin dy si masë të miqësisë. Ashtu siç është e pamundshme të blesh me çmim të lirë një sasi të madhe skllevërish, po kështu është edhe për miqtë. Cili është pra çmimi i miqësisë? Dashamirësia dhe njerzillëku të bashkuara te virtyti: cilësitë më të rralla në natyrë. Ja pse nuk është e mundshme një miqësi e thellë reciproke me shumëkë: ashtu si lumenjtë që ndërndahen në shumë degë dhe shmangie kanë një rrjedhë të dobët dhe sipërfaqësore, po kështu ndjenja e miqësisë, që në shpirtin tonë lind e fortë, tretet nëse ndërndahet në shumë drejtime. Prandaj edhe te kafshët instinkti amësor është më shumë i rrënjosur tek ato që kanë vetëm një këlysh. Homeri pastaj e quan birin e mirëdashur «të vetmin dhe shumë të priturin» [Iliada, 9,482; Odiseja, 16,19]: do të thotë se prindërit e tij nuk kanë dhe s’do të kenë një tjetër.  

3.Ne nuk mendojmë se miku është «i vetmi»: megjithatë, në mesin e shumë të tjerëve duhet të jetë një «i shumë pritur» dhe me të cilin jemi marrë për kohë të gjatë, një që ka pasur kohë të hajë bashkë me ne atë medimn kripe që përmendet aq shpesh8, jo siç bëjnë shumica në ditët e sotme që e quajnë veten mik vetëm pse kanë pirë bashkë një herë apo pse kanë luajtur me top a me zare, apo edhe më tej pse kanë bujtur në të njëjtën bujtinë: ata i përfitojnë miqësitë në mejhane, në palestër, në shesh. Po shikuam në shtëpitë e pasanikëve dhe të të fuqishmëve turmën e madhe e potershme që i përshëndet, që ua zgjat dorën dhe i rrethon, priremi të besojmë se personat me shumë miq janë të lumtur. Prapëseprapë në kuzhinat e tyre shihen shumë më shumë miza, po ato s’rrinë aty nëse mungojnë hajet: kështu bëjnë edhe të tjerët, po ua hoqe leverdinë. Miqësia e vërtetë kërkon mbi të gjitha tri gjëra: virtytin sepse është një e mirë, afërsinë sepse është e këndshme, dobinë sepse është e domosdoshme. Lypset, në të vërtetë, të vlerësohet miku që duam ta pranojmë, të jemi mirë në shoqërinë e tij, t’i drejtohemi atij në rast nevoje: që të gjitha situata që e kundërshtojnë të pasurit e shumë miqve, por para së gjithash e bën më e rëndësishmja në mesin e këtyre, do të thotë gjykimi. Duhet pra të kemi parasysh para së gjithash nëse është e mundshme brenda pak kohe të gjykohen koreutët me të cilët duam ta formojmë korin, rremtarët metë cilët duam të rremojmë bashkë, shërbëtorët të cilëve mund t’ua besojmë mbarështimin e të mirave apo edukimin e fëmijëve; para së gjithash nëse është e mundshme me shumë miq që duhet të përgatiten të ballafaqohen me çdo lloj të fatit, miq të tillë ku secili prej tyre «e vë fatin e tij të mirë në shërbim të përbashkët dhe i bashkëndan fatkeqësitë pa e lëshuar veten». Nuk ka anije të dala në det të afta të përballojnë shumë shtrëngata, as nuk ngrihen gjerdhe në mbrojtje të pronave apo strehë e prita në mbrojtje të një porti që përballet me shumë e shumë rreziqe, sa janë ato ndaj të cilave ofron strehë e ndihmë miqësia, posa të jetë vlerësuar me rreptësi dhe vendosmëri. Ndërsa ata që janë pranuar si miq pa u peshuar mirë më parë, janë bash si monedhat false, që «nëse ia lë në dorë dikujt, të del për mbarë, nëse të mbetën në dorë, shkon veç me shpresën si t’i heqësh qafe» [Sofokliu. fr. 863 R.]9. Por është e vështirë ta heqësh qafe një miqësi të pakëndshme dhe s’është aspak e lehtë t’i bësh bisht. Njëjtë siç nuk mund ta mbash një ushqim të dëmshëm dhe të pakëndshëm pa bezdi apo rreziqe, as nuk është e mundshme ta kthesh mbrapa në të njëjtën gjendje siç ka ardhur, por vetëm të kthyer në një qull neveritës, në të njëjtën mënyrë miku i keq ose të mbetet në supe duke të të shkaktuar dëm dhe poshtërim ose e përjashton me fuqi dhe urrejtje si një shkulm vreri.

4.Për rrjedhojë, nuk duhet t’i mirëpresim lehtësisht ata që i takojmë dhe të ngjitemi menjëherë për tyre, as të bëjmë miqësi me ata që na ndjekin nga pas, por duhet të kërkohen miqësitë e denja. Në fakt, jo gjithmonë është e pëlqyeshme ajo që fitohet lehtësisht. Për shembull, grami dhe ferrëmanza u ngjiten rrobave dhe ne i kapërcejmë duke i shkelur që të mbërrijmë te ulliri dhe te hardhia. Në të njëjtën mënyrë, prore është mirë të mos hyjmë në intimitet me atë që na ngjitet pa e vrarë mendjen, përkundrazi të shkojmë vetë ne pas atyre që i konsiderojmë të dobishëm dhe të denjë për një zotim të tillë.

5.Zeusi ua ktheu atyre që e akuzonin se ishte i ngadaltë në pikturim: «Po, më merr shumë kohë të pikturoj, por e bëj këtë që të ketë jetë të gjatë!10». Po kështu, për ta garantuar jetëgjatësinë e një miqësie, e një lidhjeje, lypset të ndërmerret vetëm pas një vlerësimi të vëmendshëm. A është e mundshme të vlerësohen lehtësisht miqtë e shumtë? A është e mundshme të jetosh lehtësisht me shumë miq?  A mos është e pamundshme në të vërtetë? Miqësia, bash kështu, shijohet nëse përjetohet në intimitet. Ajo që pëlqehet më shumë në të është të jetuarit bashkë, kalimi i ditëve bashkë: «Kurrë më në jetë larg shokëve të tjerë, do ta këshillojmë njëri-tjetrin»

 [Iliada, 23,77-78]11. Dhe Menelau në lidhje me Uliksin: «Në gëzimin e miqësisë asgjë s’do të mund të na ndajë derisa të na mbështjellë reja e zezë e vdekjes» [Odiseja, 4,178-180]12. Ndërsa e ashtuquajtura shumësi e miqve duket se shkakton efektin e kundërt. Miqësia avit, lidh, mban bashkë njerëzit ngase e mbush jetën me përvoja të përbashkëta dhe me njerëzi. «Si lëngu i fikut që koagulon dhe mpiks qumështin e bardhë», sipas asaj që thotë Empedokli [33 D.-K.], në të vërtetë qëllimi i miqësisë është të sjellë lidhjen dhe kohezionin e këtij lloji13. Në të kundërtën, shumësia e miqve përçan, ndan dhe largon njerëzit sepse i thërret sa andej sa këndej dhe i bën ta shmanginnjëri-tjetrin, pa e lejuar lidhjen dhe shkrirjen e ndjenjave në një familjaritet që tretet dhe ngurtësohet në të njëjtën kohë. Kjo sjell menjëherë pabarazinë në favore dhe prishjen: pikërisht ajo që është e dobishme në miqësi bëhet e parealizueshme në shumësinë e miqve. «Shqetësimet i çojnë njerëzit e ndryshëm drejt sjelljeve të ndryshme14». Natyrat tona nuk u përgjigjen në të njëjtën mënyrë pulsimeve dhe nuk i nënshtrohemi gjithmonë të njëjtit fat: rrethanat që na vënë në lëvizje veprojnë njëjtë si erërat, janë të favorshme për disa dhe e kundërta për të tjerët.

6.Megjithatë, edhe atëherë kur miqtë kanë të njëjtat nevoja, sidoqoftë rezulton e vështirë t’u rrish mbrapa të gjithë atyre që duan të marrin një vendim, të merren me politikë, të fitojnë një detyrë, të mikpriten. Po nëse në të njëjtin moment kanë gjëra të ndryshme për të bërë apo gjenden në gjendje të ndryshme dhe na lusin njëkohësisht t’i shoqërojmë në udhëtim atë që niset për në det, ta mbrojmë atë që është hedhur në gjyq, të asistojmë në akuzë atë që hedh dikë tjetër në gjyq, të marrim pjesë në pazarllëkun e atij që shet a blen, të bëjmë therorinë pajtuese me atë që martohet, t’u bashkohemi vajtimeve të atij që është duke e varrosur dikë – «Qyteti është me aroma temjani, plot me peana e vaje» [Sofokliu O.T. 4-5]15 – atëherë është e pamundshme t’i asistosh të gjithë, të mos e asistosh asnjërin është absurde, të asistosh vetëm njërin dhe t’i ofendosh të tjerët është e rëndë: «Askush që nga ana e tij i do të tjerët, nuk e lë veten me gjithë qejf të harrohet nga të tjerët» [Men. fr. 606 K.-A.]16. Megjithatë, durohet më ngrohtësisht neglizhenca dhe lënia anash që vijnë nga miqtë, nga ta pranohen më qetësisht kërkimfaljet e tipit: «E kam qitur mendsh», «S’e dija». Po nëse dikush thotë: «Nuk të kam ndihmuar në gjyqin tënd sepse isha i angazhuar ta mbroja një mik tjetër», ose: «Nuk kam ardhur të të takoj kur ishe me ethe sepse isha i zënë me filanin që po priste miq», ai e kthen zellin e vet ndaj të tjerëve në motiv neglizhence dhe jo vetëm që e kapërdin qortimin, por në fund edhe nxit xhelozinë. Por shumica, me sa duket, kur bëhet fjalë për shumësinë e miqësive, i marrin parasysh vetëm avantazhet që rrjedhin soje, ndërsa nuk ua ndien për atë që kërkohet në këmbim dhe nuk u intereson ajo se ai që shërbehet me shumë persona për t’i plotësuar nevojat e veta duhet pastaj t’ua kthejë duke ua plotësuar nevojat shumë personave. Briareu, tamam, që me njëqind krahë i ushqente pesëdhjetë stomakë, nuk kishte asgjë më shumë se ne, që me dy krahë merremi vetëm me një bark. Në të njëjtën mënyrë të shërbehesh me shumë miq sjell obligimin ndaj të tjerëve dhe bashkëndarjen e problemeve të tyre, zotimeve të tyre, dhimbjeve të tyre. Nuk duhet t’i besojmë Euripidit kur thotë: «Duhet që vdekatarët të thurin mes vete miqësi të moderuara, të mos jepen pas saj me thellësinë e shpirtit, laku i zemrës të mund të zgjidhet lehtë për ta çliruar apo për ta shtrënguar» [Hipp. 253-257]. Ai e liron apo e shtrëngon miqësinë sipas nevojës, si të ishte skaut anijeje. Po këtë, Euripid, le ta aplikojmë te miqësitë! Të bëjmë që kontrastet të «moderohen», që urrejtja, mëria, pakënaqësia dhe dyshimi të mos shkojnë «deri në thellësinë e shpirtit». Më tepër, rekomandona porosinë pitagorike që «të mos ua zgjasim dorën shumë njerëzve17», pra të mos bëjmë shumë miq, të mos përqafojmë një miqësi të gjerë dhe pa bërë dallime, që sjell efektin e kundërt dhe bart me vete shumë vuajtje18, mes të cilave bashkëndarjen e përplasjeve, anktheve, mundimeve dhe rreziqeve është e durueshme vetëm për shpirtrat e lirë dhe bujarë. Por është e vërtetë ajo që thotë Kiloni, kur atij që pohon se nuk ka asnjë armik ia kthen me: «Atëherë s’paske as ndonjë mik!19». Armiqësitë, në të vërtetë, i ndjekin nga afër miqësitë dhe përzihen me to.

7.Nuk është e mundshme për një mik të bashkëndajë padrejtësitë, poshtërimet dhe antipatitë e një miku. Armiqtë e tij, në të vërtetë, e shikojnë të ardhurin e ri menjëherë me dyshim dhe e urrejnë, ndërsa miqtë e tij shpesh e kanë zili, janë xhelozë dhe e izolojnë. Bash siç orakulli i Timesit, për themelimin e kolonisë, profetizoi: «Luzmat e bletëve të tua do të bëhen grerëza». Në të njëjtën mënyrë, ai që kërkonte një luzmë miqsh ka përfunduar pa dijeninë e tij në një grerëzore. Mllefi i një armiku dhe mirënjohja e një miku nuk e kanë peshën e njëjtë në kandar. Shiko se si i trajtoi Aleksandri miqtë dhe të afërmit e Filotit dhe të Parmenionit21, si Dionizi i trajtoi ata të Dionit22, Neroni ata të Plutit dhe Tiberi ata të Sejanit23: duke i torturuar dhe çuar drejt vdekjes! Për shembull, korona dhe pepli i të bijës nuk i erdhën fare në ndihmë Kreontit, ndërsa zjarri, kur ai vrapoi papritur dhe e mbështolli në përqafim, e kapi edhe atë, e dogji dhe e la të vdekur bashkë me të, të bijën25. Po kështu ndodhi me disa që, pa pas përfituar ndonjë gëzim nga sukseset e miqve, i ndjekin pas në fatkeqësitë e tyre. Kjo u ndodhi para së gjithash personave të ngritur dhe të ndershëm, si Tezeut dhe Piritoit, kur ky u ndëshkua dhe burgos: «është i lidhur për tij nga zinxhirë të padukshëm nderi» [Eur. fr. 595 K.]26. Tuqididi thotë se, gjatë murtajës, më të virtytshmit vdisnin bashkë me miqtë e tyre të sëmurë: në fakt nuk e kursenin veten, po shtyheshin në kufijtë e tyre27.

8.Pra, nuk volit të jemi aq dorëlëshuar me virtytet, duke e lidhur dhe mbërthyer pak pas disave e pak pas disa të tjerëve, përkundrazi lypset të rezervohet i njëjti intimitet për ata që e meritojnë, do të thotë ata që janë të zotë t’i shkëmbejnë të njëjtat ndjenja të miqësisë dhe të intimitetit. Por, pikërisht kjo është pengesa më e madhe për shumësinë e miqve, do të thotë fakti se miqësia lind nga ngjashmëria. Bile edhe kafshët përzihen me ato të llojit tjetër vetëm nëse detyrohen me forcë, e në një rast të tillë shkojnë pas të bezdisura, duke u munduar të shmangen reciprokisht, ndërsa me ato të llojit të tyre përzihen me gjithë qejf dhe pranojnë spontanisht të lidhen. Atëherë si mund të lindë një miqësi nëse karakteret dallojnë, nëse ndjenjat nuk janë të njëjtat, nëse secili ka përvojë tjetër jete? Është e vërtetë se në rast të instrumenteve si qestja dhe lira harmonia e gjen akordin e saj përmes tingujve të kundërt, meqë ngjashmëria përfitohet pak a shumë me nota akute dhe të rënda, por për akordin dhe harmoninë e miqësisë nuk duhet të ketë asnjë element të pangjashëm, jokoherent a disakordues: vetëm nëse e tëra është e ngjashme arrihet një akord mes fjalëve, vendimeve, opinioneve dhe ndjenjave, sikurse një shpirt i vetëm të ndahej në shumë trupa.

9.Atëherë kush është aq i zellshëm, aq i përkulshëm, aq shumëformësh sa t’u ngjajë shumë personave, të përshtatet me ta dhe të mos qeshë me vargjet e Teognidit: «Imiton mendjen e likurishtës me shumë ngjyra, që në shikim është i ngjashëm me shkëmbin mbi të cilin gjendet?» [215-216]. Megjithatë, ndryshimet e likurishtës nuk prekin ndonjë anë të thellë, por kufizohen te lëkura, që kur tkurret dhe çlirohet merr rrezatimet e asaj që e ka përreth. Ndërsa miqësia kërkon që të asimilohen karakteret, ndjenjat, fjalët, aktivitetet dhe prirjet. Do të na duhej pra një Prote28 – i cili ishte vërtet i pafat dhe krejtësisht i pamoralshëm, por me anë të magjisë ishte i zoti ta ndryshonte formën e vet shumë herë në të njëjtin çast – që të studiojë bashkë me eruditët, të rrotullohet në pluhur bashkë me mundësit, ta ndjekë kafshën e egër bashkë me gjuetarët, të dehet bashkë me pijetarët dhe të bëjë propagandë bashkë me politikanët, pa pasur kurrë një hapësirë të veten apo karakteristika të vetat. Filozofët e natyrës thonë se esenca primare, do të thotë materia e paformë dhe e pangjyrë që është në bazë të të tërës dhe që e modifikon veten, nganjëherë është në gjendje të zjarrtë, nganjëherë në gjendje të lëngshme, mandej në gjendje të gaztë dhe në fund në gjendje të ngurtë. Në të njëjtën mënyrë, pra, shumësia e miqve do të ketë nevojë në bazën e saj për një shpirt të gatshëm të durojë shumë pasione, të shumanshëm, fluid dhe lehtësisht të transformueshëm. Ndërsa miqësia kërkon një karakter të qëndrueshëm dhe të fortë, të pandryshueshëm, në një pozicion të vetëm dhe në të njëjtin intimitet: ja pse miku i sigurt është i rrallë dhe vështirë të gjendet.

Shënime:

1. Bashkëbisedues i Sokratit në dialogun homonim të Platonit.

2. Biri i Uranit dhe Geas, përlindësh me pesëdhjetë koka dhe njëqind krahë.

3. Gjiganti me njëqind sy, i vendosur nga Zeusi si rojë e nimfës Io.

4. I njëjti fragment haset më gjerësisht në një traktat tjetër.

5. Aludim në një episod mitologjik: Ipsilës, ish mbretëreshë e Lemnos, e cila i ishte shitur si skllave Likurgut, mbretit të Trakisë, i ishte besuar në përkujdesie bir ii këtij të fundit; në një moment shkudjesjeje, fëmija ishte pickuar nga gjarpri dhe për pasojë kishte vdekur.

6. Tri çiftet e para janë personazhe të njohura mitologjike, ndërsa Fincia dhe Damoni ishin pitagoristë.

7. Lojë fjalësh mes ἑταῖρος (hetàiros, «shok») dhe ἕτερος (hèteros, «tjetri»).

8. Formulë pothuajse proverbiale që konsideron se miqësia kërkon një frekuentim të gjatë.

9. Citim nga Sofokliu që e hasim edhe në pasazhe të tjera plutarkiane.

10. Per.13,3

11. Është shpirti i të ndjerit, Patroklit, që i drejtohet Akilit.

12. Adul., 54F.

13. Përshtatje e vargut të Iliadës, 5,902.

14. Citim i panjohur.

Cfr. superst. 169D; virt. mor. 445D; quest. conv.

623C; Anton. 24,3.

16. Cfr. frat. am. 491C.

17. Cfr. lib. ed. 12E.

18. Pasazh që ka shkaktuar debate të shumta, për shkak të vështirësisë së rindërtimti të tekstit.

19. Kjo maksimë besohet të ketë përbërë incipitin e një traktati të humbur të Plutarkut, Mbi shpirtin. Ndërsa Ciceroni ia atribuon këto fjalë Biantit të Prienit.

20. Timesi nga Klacomeni, themelues i Abderës (655 p.e.s.).

21. Parmenioni dhe Filoti, babë e bir, ishin zyrtarë të lartë të ushtrisë maqedonase. Më 330 p.e.s., Filoti, i akuzuar se ka marrë pjesë në një komplot në dëm të Aleksandrit të Madh, u torturua dhe ekzekutua, ndërsa babai i tij qe vrarë nga vrasësit me pagesë të mbretit.

22. Dioni, ithtar i Platonit, xhaxhai i tiranit të Sirakuzës, Dionisit II.

23. Bëhet fjalë për filozofin stoik Rubellio Pluti, i vrarë nga Neroni më 62 pas.e.s.

24. Lucio Elio Seiano, prefekti shumë i fuqishëm nën pretoratin e Tiberit, i cili më vonë ra nga pushteti, u gjykua dhe u prek nga damnatio memoriae më 31 pas.e.s.

25. Aludim në një episod të mitit të Medeas.

26. Nuk është e sigurt nëse vargu ishte i Euripidit.

27. “Murtaja” është epidemia që e goditi Athinën gjatë vitit të dytë të luftës së Peleponezit.

28. Sipas mitit ishte biri i Oqeanit dhe Tetit dhe ishte një hyjni e detit me shkathtësi hyjnizuese, por e kishte zakon të transformohej për t’i ikur detyrës së pakëndshme të parashikimit.

/Marrë nga Plutarco “Tutti i Moralia”, Bompiani, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express