Si është që vazhdimisht u kthehemi po të njëjtave rende simbolike, dhe me këtë po të njëjtave imazhe? Apo aq më shumë po të njëjtat imazhe janë i vetmi realitet i yni? Por, a mund të jetë se jemi të strehuar brenda këtyre imazheve në raport me realen ndaj nesh?
Ballsor Hoxha
I.
Si është që gjithherë na duhet një ‘Kështjellë’, një Pallat i ëndrrave, pra një fizikë në imagjinaren tonë, qoftë si narrativ mitik dhe qoftë si letërsi bashkëkohore (kjo e fundit si relativitet!)?
Në të vërtetë këto dyja janë rend simbolik (simbolizimi) i njeriut, edhepse të ndryshme në kognicionin e tyre, ato janë themel dhe themelim. Qoftë Kështjella e Rozafës, apo Kështjella e Franc Kafka.
Por në të vërtetë më e rëndësishme është pyetja, si është që vazhdimisht iu kthehemi po të njëjtave rende simbolike, dhe me këtë po të njëjtave imazhe?
Apo aq më shumë po të njëjtat imazhe janë i vetmi realitet i yni? Por, a mund të jetë se jemi të strehuar brenda këtyre imazheve në raport me realen ndaj nesh?
Shtresat që i hasim në narrativin njerëzor, sipas psikanalizës janë: rendi simbolik, rendi imagjinar dhe i imazheve. Dhe këto, të transmetuara në imazhet tona nga mitikja, si Kështjella. Apo në bashkëkohësinë tonë, po të njëjtat rende të tansformuara, prapë në Kështjellë dhe organizim të Publikes në vetëdije apo kod etik rreth tyre.
Kjo e kthen njeriun gjithherë në përsëritjen e fillimit të tij, apo kjo gjithherë e kthen njeriun përballë Kështjellës së tij. Narrativet megjithëse ndryshojnë në imazhet e tyre, në bartësit e tyre, ato gjithherë kthehen në imazhet primare, në imazhet e njëjta, në Kështjellën e tyre.
Kjo në të vërtetë, ky kthim, krijon pjesëmarrjen e njeriut brenda këtyre themeleve, apo hapë të njëjtat themele. Por në këtë gjithnjë përballemi me finitin, që është jo vetëm jashtë strehës së Kështjellës, por dhe brenda Kështjellës. Dhe qoftë në etikën tonë dhe brenda etikës sonë.
Gjë që zbulon ankthin e Temporales së njeriut përballë pikërisht rendeve të përhershme të tij. Rende të pandryshueshme dhe rende të brendaformuara, me këtë të paikshme.
Dhe këtu doemos ka një dinamikë të njeriut me këto rende të tij, si narrative që kalojnë në imazhe, apo enuncohen si imazhe, dhe anasjelltas, në imazhe që kalojnë në simbole dhe prej këtu në narrative.
Dhe në të hasurit të finitit njerëzor, Temporales dhe vdekjes, brenda Kështjellës dhe jashtë saj ku kjo luan rolin e kufirit ndarës ndërmjet tyre, imazhi zbulon dy versionet e tij. Me vdekjen përbrenda dhe vdekjen e kufizuar për së jashtmi përmes simboleve tona – Kështjellës.
II.
Nëse e vëzhgojmë narrativin në shtresën e naivitetit tërë ajo që perceptojmë është imazhi/imazhet brenda tij. Apo thënë ndryshe narrativi kalon në një ngjarje/aksion/lëvizje imazhesh.
Kjo është evidente në narrativin tonë, të përmbledhur në Legjendën e Rozafës, derisa në përfundimin e tyre apo në enuncimin e tyre ne shohim: Kështjellën dhe etikën, po ashtu si imazh përmes familjes dhe shoqërisë.
Po ashtu edhe në Kështjellën e Franc Kafkës në tërë enuncimin e tyre ne shohim vetëm Kështjellën thënë shkurtimisht (shih në pjesët e radhës!).
Duke u nisur nga imazhi i saj, Kështjella, ngjanë të jetë proces/ngjarje dhe kornizim, dorëzim i objektit të tyre përmes narrativit të tyre.
Por, duke i ndarë këto dy imazhe, në Kështjellën si shenjë dhe me këtë themelueshmëri fizike, në anën tjetër etikën/shoqërinë si themelueshmëri psikike, të krijuara si imazhe, kanë një prapavijë të tyre, një objekt prapa tyre nga i cili janë dorëzuar apo kornizuar, sipas rendeve tona të kognicionit. Që do të thotë se janë përmbledhja e shtrirjes së tërë realitetit të tyre dhe tonë, përfaqësuar dhe kondensuar në këto imazhe.
Ky realitet megjithëse i shtrirë në narrativin/aksionin/bartjen/lëvizjen e këtyre imazheve kalon në po të njëjtat, kondensohet në po të njëjtat menjëherë pas tyre. Por kjo gjithnjë në pasqyrim me realitetin, gjithnjë në lëvizje dhe në dinamikë me realitetin.
Kjo vazhdimisht na kthen tek realiteti apo objekti i këtij realiteti i cili duhet të përfaqësojë atë në imazhet.
Dhe për të theksuar këtë realitet të tyre duhet të veçojmë objektin e këtij realiteti. Atëherë cili është objekti i këtij realiteti nga i cili pasqyrohet imazhi? Nëse në narrativin e sakrificës kemi Kështjellën cili është objekti i psikikes së etikës dhe shoqërisë?
Mirëpo kjo në të vërtetë është pikërisht pasqyrimi, lëvizja dhe dinamika e bartjes dhe përfaqësimit të imazhit në realitet. Që do të thotë se nuk ka një kufi, një prerje dhe një kornizë të tyre, por që kalon në shtresën e imagjinares, kjo si dinamikë me realitetin.
Kjo imagjinare, si legjendë, si mit, si narrativ, apo pikërisht si lëvizje/bartje e pasqyrimit bartë realitetin në objektet e tij dhe në këtë veçon apo kornizon, kondenson dhe hapë imazhin, qoftë atë psikik dhe atë fizik.
Kjo më tutje ndërtohet përmes tri rendeve: simbolit si marrëveshje; imagjinares si dinamikë e pasqyrimit; dhe imazhit si fundim i kësaj dinamike: imagjinare simbolike.
Simbolika në të vërtetë është, duke iu kthyer teorisë së formalizimit vetë korniza/prerja e realitetit brenda të cilës ndodhë kjo lëvizje; dhe duke e vazhduar më tutje në strukturalizëm kodi/kodet e realitetit njerëzor brenda kësaj kornize ku shenjat bartin/shënjojnë marrëveshjet; dhe në post – strukturalizëm simbolika si dinamikë shënjimi ndërmjet fizikes dhe psikikes brenda një marrëveshje/konstruksioni të prerë/kornizuar arbitrarisht.
Kështu që duke u kthyer prapë në rendin simbolik, qëndrueshmëria e një theksi/veçimi që kalon në shenjë e simbol realizohet në marrëveshje. Marrëveshja që në këtë shtresë të simbolikës është e pavetëdijshme/e ndërdijshme. Dhe kjo në të vërtetë është pasqyrimi i realitetit brenda në psikën tonë, dhe anasjelltas pasqyrimi i të brendshmes sonë në realitet deri në kufizim të të pavetëdijshmes, në vetëdijesim/përgjithësim të këtij pasqyrimi. Ky përbashkim/simbol është vetë realiteti. Apo bartësi i realitetit. Në këtë kalon në rend të simbolikës si organizim i vetëdijes/të përgjithshmes.
Mirëpo kjo asnjëherë nuk ndalet dhe asnjëherë nuk themelohet, është marrëveshje e cila përfaqësohet si realitet, dhe në realitet. Në këtë simboli duhet të jetë përfaqësues i fizikes për të konfirmuar realitetin.
Dhe pikërisht kjo pandalshmëri është imagjinarja e cila mbanë të përhershme marrëveshjen. Në këtë dinamikë dhe në këtë bartje imagjinarja e themelon simbolin, por i cili është gjithherë në lëvizje.
Që do të thotë se në këtë imazhi është edhe prerje e këtij realiteti por edhe themeli i kësaj marrëveshjeje dhe kësaj dinamike ndërmjet simbolikes dhe imagjinares, dhe kështu deri në pambarim, duke kaluar në imagjinare si dinamikë ndërmjet simbolit/shenjës dhe imazhit.
III.
Franc Kafka është i vetëdijshëm për këtë përsëritje dhe fillim të përhershëm të njeriut dhe të kthimit ë tij të përhershëm në kërkim dhe në konfirmim të Kështjellës, simbolit të tij fizik. Në këtë roman bartësi i këtij kthimi të njeriut në imazhin primar të tij, K., është bartësi i cili kurrë nuk e sheh dhe me këtë as nuk e arrin Kështjellën për ne.
Dhe nëse i kthehemi mënyrës se si i organizojmë këto rende, në themelin fizik dhe atë të vetëdijes/Publikes (qoftë etikës), ka një kod i cili shfaqë marrëveshjen e Publikes dhe të themelit të fizikes/simbolikes, e që është marrëveshje për të mos arritur asnjëherë në Kështjellën, dhe me këtë për të mos parë asnjëherë finitin e Temporales sonë përballë një themeli të përhershëm që gjithnjë mbijeton e që është po ashtu vetë ne, por derisa ne megjithatë jemi të përkohshëm.
Por në këtë ka një marrëveshje të të gjithëve, me K.-në si bartës neutral i po kësaj, e që është të mos bëhet e vetëdijshme asnjëherë pikërisht Kështjella. Të mos bëhet imazh Kështjella, megjithëse ajo edhe është prezente dhe është fizike në këtë narrativ.
Dhe në këtë është pikërisht narrativi i cili e fshehë duke e rrëfyer Kështjellën, duke e kaluar atë në imazh që e shohim në dinamikë të vetëdijes/Publikes me të njëjtën Kështjellë.
Kjo në të vërtetë është imazhi. Ai është prerja/kornizimi i realitetit, përmes një objekti të tij, dhe më tutje realizimi i dinamikës së lartcekur ndërmjet Publikes dhe Kështjellës.
Realiteti atëherë është në të vërtetë ajo që ikë gjithherë prej nesh. Ai duke qenë finiti ynë. Ai duke e pasqyruar finitin tonë. E fshehim për të mos e realizuar, apo për të mos parë finitin tonë.
Qoftë në imazhin e Kështjellës dhe qoftë në emërimin gjuhësor të këtij themeli, dhe këtij realiteti ku jemi strehuar, ne gjithnjë jemi besimtarë të këtij imazhi, asnjëherë prezentë dhe asnjëherë të pranishëm.
Kështjella e Franc Kafkës është vetë imazhi i besimit tonë në një realitet, por që në pamjen/ në pasqyrim të tij, apo në dinamikë të tij me vetëdijen tonë/Publiken tonë është ekzakt i dukshëm dhe ekzakt prezentë. Në të vërtetë narrativi i kaluar në këta bartës dhe në aksionet/lëvizjet e imazheve është vetë imazhi. Por tanimë i fshehur vetë si besim.
Por ky besim në narrativin e Kafka shfaq ekzakt ambiguitetin njerëzor, pikërisht ndaj kësaj Kështjelle, duke qenë se Kështjella në imazhin e saj përmban edhe tmerrin e finitit, por edhe finitin që e pasqyron ky imazh në Publiken/vetëdijen e njerëzores.