Eseja e javës / Michel de Montaigne: Mbi frikën - Gazeta Express
string(44) "eseja-e-javes-michel-de-montaigne-mbi-friken"

Eseja e javës / Michel de Montaigne: Mbi frikën

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:12

Michel de Montaigne (1533-1592), filozof, shkrimtar dhe politikan francez. I njohur edhe si aforist, Montaigne pas tërheqjes nga jeta publike iu përkushtua studimit dhe shkrimit të Eseve të tij, të cilat patën një ndikim të jashtëzakonshëm në Francë dhe në mbarë botën

Kapitulli XVIII

Lexo Edhe:

Obstupui, steteruntque comae, et vox faucibus haesit1.

Nuk jam natyralist i mirë (siç thuhet) dhe nuk e di nga çfarë impulsesh vepron natyra në ne; megjithatë, fakti është se është njëmend një pasion i çuditshëm; dhe mjekët thonë se nuk ka një pasion tjetër që ta bartë më rrëmbyeshëm intelektin tonë jashtë asetit të saj natyror. Në të vërtetë kam parë shumë veta që janë marrosur nga frika; e edhe për personat e ekuilibruar është e qartë se, për aq sa është e pranishme, ajo shkakton mjegullime të tmerrshme. Po e lë anash vulgun të cilin ajo e bën t’i duket se po e sheh stërgjyshin të dalë nga varri, të mbështjellë me qefinin e vet, apo njeriun ujk, apo lugatin a kimerën. Por edhe në mesin e ushtarëve, ku ajo më së paku do të duhej të gjente vend, nganjëherë e ka bërë një grigjë delesh të duket si një skuadron koracierësh, trungjet e kallamet si njerëz të armatosur dhe heshtarë, miqtë si armiq dhe kryqin e bardhë si të kuq?

Kur zoti de Bourbon mori Romën, një flamurtar që po bënte roje në fshatin San Pietro qe kapluar nga një frikë aq e madhe pas alarmit të parë sa që nga bira e një të çare u hodh me flamurin në dorë pingul mbi armiqtë, duke menduar të vraponte drejt brendisë së qytetit; e pastaj duke i parë trupat e de Bourbon-it të rreshtoheshin për t’iu kundërvënë, ngase mendonin se ishte një lloj sulmi i beftë nga ata brenda në qytet, u rikthye nëpër të njëjtën birë nga e cila kishte dalë jashtë, në fushën e gjerë, rreth treqind hapa. Gjërat nuk shkuan aq me fat për flamurtarin e kapitenit Juille, atëherë kur Saint-Pol qe zënë nga konti de Bures dhe nga zoti du Reu; ngase, i trullosur nga frika aq sa të dilte bashkë me flamurin jashtë qytetit përmes një vrime në murin rrethues e zunë sulmuesit dhe e bënë copash. Në të njëjtin rrethim qe për t’u mbajtur në mend edhe frika që e zuri, e kapi dhe e ngriu deri në atë pikë zemrën e një xhentëlmeni sa që ai u shemb për toke si i pa krye, në krahë, pas qenë i plagosur askund.

Një frikë e ngjashme nganjëherë e kap një turmë të tërë. Në njërën prej përleshjeve mes Gjermanikut dhe alemanëve, dy ushtritë e mëdha morën dy rrugë të kundërta nga trembja; njëra ikte nga vendi prej ku nisej tjetra.

Nganjëherë ajo na i vë flatrat në këmbë, si në sy shembujt e përmendur; nganjëherë na i bllokon këmbët dhe i pengon, siç lexohet për perandorin Teofil, i cili, në një betejë që e humbi kur agarenëve2, mbeti aq i shastisur dhe shtangur sa nuk mund të vendoste të ikte: «adeo pavor etiam auxilia formidat3» derisa Manueli, njëri prej udhëheqësve kryesorë të ushtrisë së tij, pasi që e kishte shtrënguar dhe shkundur si për ta zgjuar nga gjumi, i tha: «Nëse nuk më ndiqni pas, do t’ju vras; meqë është më mirë ta humbisni jetën se sa, i burgosur, ta humbisni perandorinë».

Ajo e ushtron pushtetin e saj të skajshëm atëherë kur për dobinë e vet të veçantë na shtyn përsëri drejt asaj vlere që ia kishte hequr detyrimit dhe nderit tonë. Në betejën e parë që romakët e humbën kundër Hanibalit, nën konsullin Semproni, një ushtri me plot dhjetë mijë këmbësorësh, i kapluar nga trembja, duke mos parë ku të gjente një shteg për burracakërinë e tij, shkoi të hidhej në mesin e armiqve, të cilët i çau me vrull të jashtëzakonshëm, mes plojës së kartagjenasve, duke e blerë një ikje të turpshme me të njëjtin çmim me të cilin do ta kishte paguar një fitore të lavdishme. Kjo është gjëja që më frikëson më shumë se frika.

Në të vërtetë ajo e tejkalon në intensitet çdo aksident tjetër.

Cili emocion mund të jetë më i dhunshëm dhe më i drejtë se ai i miqve të Pompeut që gjendeshin në anijen e tij, spektatorë të asaj masakre të tmerrshme? E megjithatë frikën e velave egjiptiane, që po aviteshin, e ngulfati aq shumë sa që, siç është vënë re, ata nuk bënë tjetër gjë veçse i nxitën marinarët të nxitonin dhe të shpëtonin me forcën e rremave; derisa, me të arritur në Tir, të çliruar frike, patën mundësi të vrisnin mendjen për disfatën e pësuar dhe të shfrenin në ankime e lot, që ai pasioni tjetër më i lartë i kishte pezulluar.

Tum pavor sapientiam, omnem mihi ex animo expectorat4.

Ata që në ndonjë përleshje lufte janë bërë pelte, të nesërmen, sa janë ende gjithë plagë dhe gjak, mund të rikthehen përsëri në detyrë. Por atyre që u ka hyrë frika në palcë nga armiku, s’do të mund t’i bënit as t’i shikojnë në fytyrë. Ata që janë të nxitur nga frika se do t’i humbin të mirat e tyre, se do të dëbohen, se do të nënshtrohen, jetojnë në ankth të vazhdueshëm dhe e humbin dëshirën për të pirë, për të ngrënë dhe për të pushuar; ndërsa të varfrit, të ndaluarit, skllevërit, jetojnë shpesh hareshëm si të tjerët. E të gjitha ata, duke mos ditur t’i bëjnë ballë mësymjes së frikës, janë furur, mbytur në ujë apo hedhur në greminë, na kanë mësuar mirë se ajo është bukur më e neveritshme dhe më e padurueshme se vdekja.

Grekët e njohin edhe një lloj tjetër që nuk varet nga gabimi i arsyes sonë, duke ardhur, thonë ata, pa ndonjë shkak të njohur dhe nga impulsi hyjnor. Popuj të tërë shihen shpesh të kapen prej saj, ose ushtri të tëra. E tillë qe ajo që solli në Kartagjenë një shkreti të pamasë. Nuk dëgjohej tjetër veçse britma e tmerre. Shiheshin banorët duke dalë nga shtëpitë e tyre si të kish rënë alarmi, të përlesheshin, të plagoseshin, të vriteshin si të bëhej fjalë për armiq që po vinin ta pushtonin qytetin e tyre. Gjithçka qe rrëmujë e kaos derisa e zbutën zemërimin e zotave me lutje e sakrifica. Këtë e quajnë terror panik.

Shënime:

1)Obstupui… haesit – «Mbeta gojëhapur, flokët m’u rrëqethen dhe zëri m’u mbeti në fyt», Virgjili, Eneida, II, 774.

2)Agareni – arabët.

3)Adeo…formidad – «Në atë pikë frika tutet madje edhe prej ardhjes në ndihmë», Curzio Ruffo, III, XI.

4)Tum…expectorat – «Atëherë frika ma shkoq mendjen nga shpirti», Ennio, cituar nga Ciceroni, Tusculanae disputationes, IV, VIII.

/Marrë nga: Michel de Montaigne, Saggi; Bompiani, 2012

/Përkthimi: Gazeta Express