Lydia Davis (1947), shkrimtare, eseiste dhe përkthyese amerikane. E njohur sidomos për tregimin e shkurtër, ajo gjithashu ka sjellë në anglisht një mori përkthimesh të klasikëve francezë, si Swann’s Way të Marcel Proustit dhe Madame Bovary të Gustave Flaubertit.
Versioni i parë
(NË NJË SHTËPI TË RRETHUAR)
Në një shtëpi të rrethuar jetonin një burrë dhe një grua, me dy qen dhe dy mace. Kishte edhe minj aty pari, por ata nuk njiheshin. Përreth Nga [ku ishin strukur] kuzhina burri dhe gruaja dëgjuan shpërthime të lehta. “Era,” tha gruaja. “Gjuetarë,” tha burri. “Tym,” tha gruaja. “Ushtria,” tha burri. Gruaja donte të shkonte në shtëpi, por ajo tashmë ishte në shtëpi, aty në mes të fshatit në një shtëpi të rrethuar, në një shtëpi që i përkiste dikujt tjetër.
Versioni përfundimtar
NË NJË SHTËPI TË RRETHUAR
Në një shtëpi të rrethuar jetonin një burrë dhe një grua. Nga ku ishin strukur në kuzhinë burri dhe gruaja dëgjuan shpërthime të lehta. “Era,” tha gruaja. “Gjuetarë,” tha burri. “Shiu,” tha gruaja. “Ushtria,” tha burri. Gruaja donte të shkonte në shtëpi, por ajo tashmë ishte në shtëpi, aty në mes të fshatit në një shtëpi të rrethuar.
Atyre ditëve (vjeshta e vitit 1973), në moshën njëzet e gjashtë vjeçe, duke jetuar në një fshat në Francë), e detyroja veten të qëndroja në tryezën e shkrimit me orë të tëra, duke shkruar në fletoren time çkado që më vinte në mendje – shpesh përshkrime të gjërave që mund të shihja ose dëgjoja, ose mendime a kujtime – si një mënyrë që ta shtyja veten drejt momentit të shkrimit të diçkaje si një tregim.
“Në një shtëpi të rrethuar” mori jetë tamam nga gjendja ime dhe përshkrimet që kisha hedhur në fletore. Në të vërtetë aty kishte pasur gjuetarë dhe njësi ushtarake në fshat, përreth shtëpisë. Andaj paragrafi i fletores së shënimeve që i kishte paraprirë skicës së parë të tregimit thoshte kështu:
«Të shtënat e gjuetarëve këtij mëngjesi (teksa unë jam shtrirë në shtrat duke u munduar të vë në rregull mendimet e mia): një shpërthim, një plasje: pastaj jehona ose ushtima si re tymi që përplasen për kodrave dhe kthehen prapa. Dhe gjithçka është e heshtur dhe e qetë derisa përsëri dëgjohet një e shtënë e mbytur.»
Sa për të bërë më ndryshe tregimin nga skica e parë tek ajo përfundimtare, dy macet dhe dy qentë, ashtu si edhe minjtë, ishin hequr. Kafshët ishin pjesë e gjendjes sime reale, por me gjasë ndihesha se ato e zbehnin ogurzillëkun e tregimit, e “shtëpiazonin” dhe sigurisht ajo copëza rreth njohjes së minjve ishte llafazanëri dhe hutuese – duke qenë një lloj shmangieje nga tregimi. Futja e “ku ishin strukur” ia shton dramës eksplicitetitn, ndërsa po të kisha thënë thjesht “nga kuzhina” drama do të kishte me qenë më e mekur, veçanërisht duke qenë se kuzhina ka asociacione të rehatshme (përveç nëse jemi të detyruar të fshihemi në të). Ndryshimi nga “tym” në “shi” zëvendëson diçka të padëgjueshme me diçka të dëgjueshme. Përfundimi i tregimit me frazën “në një shtëpi të rrethuar”, posaçërisht po qe se i bën jehonë titullit – megjithëse titulli ishte shtuar më vonë – është më i fortë se sa fraza bukur më antiklimatike dhe e parëndësishme “në një shtëpi që i përkiste dikujt tjetër”; është pështjelluese dhe shton informacione të reja që janë përtej poentës. Ndryshimi i fundit: prej kohës së versionit final, edhe unë di si ta shqiptoj më mirë fjalën besieged.
2014
/Lydia Davis, ‘Essays One’, Farrar, Straus and Giroux, 2019
/Përkthimi: Gazeta Express
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...