Eseja e javës/ Liu Xiaobo: Për jetën dhe dinjitetin e të jetuarit - Gazeta Express
string(63) "eseja-e-javes-liu-xiaobo-per-jeten-dhe-dinjitetin-e-te-jetuarit"

Arte

Gazeta Express

08/11/2024 15:01

Eseja e javës/ Liu Xiaobo: Për jetën dhe dinjitetin e të jetuarit

Arte

Gazeta Express

08/11/2024 15:01

Liu Xiaobo (1955-2017), shkrimtar, kritik letrar, aktivist politik kinez. Nga viti 2009 deri në vdekjen e tij ka qenë i burgosur (pasi që kishte qenë tashmë edhe tri herë të tjera i dënuar) për shkak të kërkesës për futjen e masave demokratike në Kinë. Njëri prej hartuesve të ‘Karta 08’, për të cilën edhe është dënaur në fakt. Më 2010 i është ndarë çmimi Nobel për paqe.

PËR JETËN DHE DINJITETIN E TË JETUARIT

Lexo Edhe:

Nga Liu Xiaobo

Gjendja ekzistenciale e kinezëve

Nën regjimin despotik të partisë së vetme, jeta dhe veprimi politik kanë për qëllim të vetëm pushtetin, ndërsa ekzistenca e shtetit ose kombit janë vetëm pretekst legal për ushtrimin e tij dhe nuk kanë kurrfarë vlere tjetër. Në një regjim despotik njerëzit jetojnë për të jetuar dhe nuk kërkojnë tjetërgjë.

Në të kaluarën jetonim me iluzionin e marrëzisë komuniste, sot jetojmë të korruptuar nga premetimi i një jete të begatshme, por në të vërtetë, si dje si sot, jetojmë në shkretëtirë.

Kinezët, si qenie njerëzore, jetojnë pa kurrfarë dinjiteti, bile jeta e tyre me tamam është bërë instrument i «i rendit të terrorit», ndërsa në vete nuk ka më asnjë vlerë.

Mao Zedong na bënte thirrje «Jini vidhat e makinës së revolucionit» dhe kinezët, qoftë kur i bashkoheshin revolucionit, në epokën e Maos, qoftë kur i kundërviheshin, në epokën e Dengut, kanë zgjedhur të «kryejnë punën e vidhës së makinës së despotizmit».

Jetojnë në mënyrë oportunistike, duke u lëshuar në monotoninë e një mbijetese të përbërë prej marifetesh.

Jetojnë në mënyrë hipokrike, duke iu blatuar strategjisë cinike të dyfishësisë së personalitetit.

Jetojnë si indeferentë dhe apatikë, të mësuar në mënyrë egoistike të jenë vetëm spektatorë.

Jetojnë të nënshtruar, të kënaqur me bukën e marrë në mëshirë.

Jetojnë në mënyrë të kotë dhe sipërfaqësore, duke ndjekur gëzime të vockla.

Jetojnë duke mundur të derdhin veç lot poshtërimi, ashtu që turpi moral dhe ajo pak ndërgjegje që iu ka mbetur vdesin në heshtje.

Jetojnë duke mundur veç të bien në gjunjë dhe të ulin kokën, ngase dobësia morale nuk beson se ka ende ndërgjegje dhe drejtësi.

Jetojnë ngase nuk mund të bëjnë tjetërgjë, dhe ideja se nuk kanë zgjidhje tjetër morale është njëë formë e oportunizmit që e gëlltit ndërgjegjen.

Jetojnë si dinakë e veshtullakë, duke e shitur së pari ndërgjegjën e tyre, pastaj heronjtë që ende e kanë një ndërgjegje dhe në fund edhe ndjenjën e turpit që e kanë marrë përsipër barrën e një krimi. Një njeri dhe një popull pa turp mund të jetojnëë të lumtur.

Mbrojtja e doktrinës së të jetuarit pa qëllime e atrofizon natyrën shpirtërore dhe intelektive të individit, ndërsa e rrit tejmse atë kafshërore dhe materiale, duke e shndërruar faktikisht njeriun në kafshë. Besimi dhe shenjtëria kanë humbur vlerën dhe jemi tkurrur në skllevër të mishit. Duke e ngulfatur dhembshurinë dhe ndjenjën e drejtësisë, jemi shndërruar në homo œconomicus të ftohtë dhe kalkulues. Madje edhe të qenit psikologjikosht të shëndoshë është bërë luks.

Kur nevojat materiale dhe dinjteti shpirtëror hyjnë në konflikt, nëse për të jetuar jemi të gatshëm të përgjunjemi në shenjë nënshtrimi, do të jetojmë një jetë më të lehtë, më të rehatshme, më pak rënduese dhe të dhimbshme, por do të jemi si kufoma që ecin. Ndërsa, nëse nuk e përkulim kurrizin për ta mbrojtur dinjitetin tonë, jeta do të jetë më e zorshme, por edhe më e ndershme dhe e pastër; e nëse do të na duhet të durojmë mujshitë dhe rreziqet, do të jetojmë në një mënyrë edhe nmë të fisme.

Kinesët shpesh pyeten: a mos paska njeriu nevojë për dinjitet dhe ndërgjegje? Idealet, ndërgjegjja, dhembshuria, ndjenja e drejtësisë dhe ajo e fajit sigurisht se nuk janë të rëndësishme sa buka, aq më pak se sa paraja që e harxhojmë. Bëhet fjalë thjesht për fjalë boshe që i shkaktojnë dëme kombit dhe individit! Gjëja e vetme që vlen sa buka është të jetuarit në iluzionin e sigurisë dhe në terrin e plotë të paturpësisë.

S’ka dyshim, një drejtësi që nuk ka mbështetje të fortë është e dobët, por një forcë pa mbështetjen e drejtësisë është shumë e dëmshme. Tash, mes drejtësisë së dobët dhe forcës shumë të dëmshme, shumica e zgjedh të dytën, e keqja përherë do ta luajë rolin e ujkut dhe soji njerëzor atë të qengjit.

Megjithatë, te soji njerëzor gjejmë shembullin e mrekullueshëm të Jezusit, që e mposhti duarbosh Çezarin e armatosur, një lloj i drejtësisë së promovuar nga dashuria. Pastaj i kemi sukseset e kundërshtimit pa armë të Gandit dhe të Martin Luther Kingut, dëshmi historike të fitores së drejtësisë mbi forcën.

Pra Jezusi është prototipi i njeriut që vdes nga besnikëria ndaj kauzës së vet: përballë joshjeve të pushtetit, parasë dhe bukurisë, Jezusi thotë «JO»; përballë kërcënimit se do të kryqëzohet, Jezusi prapë thotë «JO»!

Gjëja e rëndësishme është se, kur Jezusi thotë «JO», nuk ndien urrjetje apo dëshirë hakmarrjeje, por, përkundrazi, është dëng me tolerancë dhe dashuri të pafundme; nuk nxit në zëvendësimin e një forme të dhunës me një tjetër, por e mbështet luftën pasive jo të dhunshme dhe, ndërkohë që e bart kryqin mbi supe, thotë qetësisht «JO».

Sado që bota të bëhet gjithnjë e më materialiste dhe pragmatike, derisa të ekzistojë prania mrekullibërëse e Jezusit bota do të ketë bukuri, mrekulli dhe entuziazëm.

/Marrë nga Liu Xiaobo, ‘Monologhi del giorno del giudizio’, Mondadori, 2011

/Përkthimi Gazeta Express