Rreth tregimit ‘Rebeka’ të Donald Barthelmes
PËRDORIMI MJESHTËROR I NDËRHYRJES AUTORIALE NË TREGIMIN “REBEKA”
Nga Emily Temple
Tipi më i thjeshtë narratorit është i padukshëm. Ja çfarë ka ndodhur, thotë tregimi, pa sqarime njerëzore, s’ka vend për pyetje. Pastaj ja ku është narratori që e ka një vend në tregim, i cili e rrëfen atë nga brenda jashtë, një lojtar i pastër në botë. (Këtë e quajnë veta e parë.) Por më interesant se këta dy, të paktën për mua, janë narratorët që zënë një hapësirë të ndërmjetme. Ata janë ekstradiegjetik, por prapë të zotë të ndikojnë në mendjet e personazheve që i kanë në dorë – ose të paktën kur fryn erë e mbarë. Ata janë fluturues dhe të paemër, por kacagjelë dhe manipulativë. Ka narratorë që ndërhyjnë, që ndërkallin, që interferojnë, që përzihen. Ata janë, me gjasë, llafazanë, të vetë-vetëdijshëm dhe sarkastik, të gjitha personazhet e rrëfimit. Ata rrëfejnë – dhe rirrëfejnë dhe ngurrojnë në lidhje me historinë që janë duke e paraqitur. Nëse shkrimtari është vërtet i mirë, këta narratorë mund të krijojnë jo vetëm kënaqësi, por edhe domethënie.
Narratori i tregimit “Rebeka” të Donald Barthelmes është njëri prej shembujve më të preferuar të këtij tipi. (Më pëlqen po ashtu edhe tregimi “The school”). Tregimi i Barthelmes fillon thua se po paraqitet në një vetë të tretë të afërt: “Rebeka Lizard po mundohej të ndryshonte mbiemrin e saj të shëmtuar, reptilor, plotësisht të papranueshëm.” Gjykues, sigurisht. Por pa iu rënë ende kambanave të alarmit. Vetëm një tringëllimë të vockël të veturrejtjes: ne mendojmë se Rebeka është ajo që po bën gjykimin (dhe nuk jemi krejt gabim.) Gjykatësi i vërtetë, që është në sallë, e përsërit mbiemrin “Lizard” pesë herë dhe vendos se s’ka asgjë të keqe, veç kësaj, çfarë do të thoshte kompania telefonike? Tashmë jemi në një truall surrealist, por pastaj, në gjysmë të faqes, rebeka largohet nga gjykata dhe atëherë kemi një lloj tjetër të tringëllimës:
“Zonjë e pavendosur,” i tha një burrë, “a mos je ti mësuese?”
Sigurisht se është mësuese, mor idiot. A nuk e sheh se gruaja e shkretë është kaq e trishtuar? Pse s’e lë të qetë?
Mutin. Ja ku e nxjerr kokën narratori – dhe është krejt e qartë se është narratori dhe jo autori, ngase autori do të do të kishte një kontroll sa për sy e faqe mbi atë nëse burri do ta linte të qetë ose jo Rebeka Lizardin, ose të paktën në asnjë mënyrë nuk do të pretendonte të kundërtën – me diçka për të përtypur. Narratori është në anën e Rebeka Liyardit, kaq gjë është e qartë. Kështu që, aty për aty, edhe ne ia mbajmë anën asaj. Skena, si e tillë, vauhdon:
“A mos je lezbike? Për këtë arsye nuk je martuar kurrë?”
O Krisht, po de, lezbike është, siç e the ti. Pse nuk e mbyll sqepin tash?
Duket si të ishte thënë e njëjta batutë dy herë, por këtu të paktën kemi aluzionin e një ndyshimi të lehtë – një përzierje në tentativë të narratorit dhe personazhit. Kjo afri përforëcohet pak rreshta më poshtë, pasi që Rebeka kthehet në shtëpi nga “dermatologu i mallkuar”, i cili i ka thënë se nuk mund të bëhet asgjë për “gjelbërsinë e lehtë” të saj, përsëri në mënyrën më delikate të mundshme, përmes ripërdorimit të italikut për të shfaqur mendimet e Rebekës:
Duhet të marrë edhe ca Kleenexa. Ose një Ph.D. S’ka mënyrë tjetër.
Pastaj narratori kthehet pakëz mbrapa, që të na e prezantojë “të dashurën” e Rebekës, Hildën, dhe të na thotë “E duan njëra-tjetrën – një çështje pabesueshmërisht e brishtë dhe e rrezikshme, siç e dimë.” (Dhe ne e dimë).
Pastaj, derisa Rebeka dhe Hilda gërnjosen një çikëz rreth takimit për një pije të Hildës me Stefani Saserin (“Stefania e lezetshme e trëndafiltë”), narratori kthehet edhe më mbrapa, si të donte të riafirmonte veten/ atë/ dhe mbase për të krijuar një lloj distance nga emocionet bezdisëse njerëzore që papritur kanë nisur të vërtiten përreth. Hilda vë një disk. “Ishte ‘Farewall to the Ryman’, nga David Rogers, Atlantic SD 7283. Përmbante këngë të parapëlqyera si ‘Blue Moon of Kentucky’, ‘Great Speckled Bird’, ‘I’m Movin’ On’ dhe ‘Walking the Floor over You.’ Një pjesë e mirë e personalit të Nashvillit paraqitej në këtë regjistrim.”
Çka? Nga këtu narratori tërhiqet në didaktizëm ndërkohë që të dy gratë grinden. “Shumë shpesh ne ‘shtyjmë tutje’ një gjë që duam ta rrëmbejmë, si një dashnor,” vëren narratori (pakëz si snob), teksa Hilda pohon përsëri se nuk ka interesim për Stefani Saserin. “Ky është një mekanizëm i rëndomtë, megjithëse i dhimbshëm, psikologjik, që ka të bëjë (me mendjen time) me faktin se ajo që është e pranishme nuk është e pranishme ‘pastërsisht’, se ka një hilet fare të vockël ose një vend të zymtë diku aty. Sidoqoftë, gjërat e këqija mund të ndodhin.”
Ky moment, meqë ra fjala, është hera e parë kur narratori përdor veten e parë, duke e lokalizuar vetveten si personazh, diku, nëse jo diku përnjëmend në tregim – megjithëse do të mendonit se Rebeka dhe Hilda do ta vërenin praninë e një filozofi në dhomën e tyre.
Po pastaj, pastaj – Hilda e pranon, njerëzishëm, se ajo në të vërtetë nuk e pëlqen gjelbërsinë e Rebekës.
“Termi ‘lizard’ (hardhucë) po ashtu përfshin gekotë, higuanat, kameleonët, kokëzogëzat dhe hardhucën monitor,” kërcen narratori të na informojë, pothuajse në mënyrë histerike. (E përjetoj këtë fjali si të ishte e gjitha me shkronja të mëdha.)
“Rendin e tyre e përbëjnë njëzet familje ekzistuese, sipas Larousse Encyclopedia of Animal Life dhe të tjerat janë të njohura vetëm nga fosilet e tyre. Ka rreth dy mijë e pesëqind lloje dhe janë në gjendje të ecin, vrapojnë, ngjiten, kacavirren dhe gërmojnë. Shumica kanë emra intersantë, si hardhuca mjekroshe, hardhuca me qafore, hardhuca që i përplas këmbët, hardhuca me kreshtë, hardhuca me bishtin unazë dhe hardhuca e murit.”
O Perëndi. Por tash narratori ka i rraskapitur vetat e veta dhe nuk mund ta ndalojë Hildën të thotë: “Nuk ia kam vënë mendjen kësaj gjëje me vite, ngase të dua, por përnjëmend nuk më pëlqen gjithaq.” Rebeka ia mbath për në dhomën e gjumit, ku një film me titullin Green Hills është duke u dhënë gjelbërsisht në televizor. Rreshtat e radhës janë:
Jam e sëmurë, jam e sëmurë.
Do të bëhem bujk.
Dashuria jonë, dashuria jonë seksuale, dashuria jonë e rëndomtë!
Sërish, unë i intrepretoj këta italikë si tregues të mendimeve të Rebekës, sado që pandeh se po ashtu mund të jenë vargje nga filmi. Nëse ato janë mendimet e Rebekës, me këtë të fundit narratori është duke shfaqur një lloj ndikimi përsëri. Duke e futur njërin gisht të këmbës përsëri, si i thonë fjalës. Sa fort i shtie hundët se.
Darka është gati tash dhe Rebeka I thotë Hildës së është e dehur. Narratori shfrytëzon rastin të moralizojë, ose të paktën të satirizojë moralizimin (ndoshta moralizimin e të gjithë romancierëve të shekullit XIX, të cilëve po ashtu ua kishte ënda të përdornin narratorët ndërhyrës). “Shumë nga njerëzit tanë janë të dehur në kohën kur duhet të jenë esëll – në kohën e darkës për shembull,” na thotë, me atë pamjen klinike të rreme të një paralajmërimi të shërbimit civil. “Dehja të bën të harrosh ku e ke lënë orën e dorës, çelësat, apo kutinë e parave dhe në njëfarë shkalle tkurr ndjeshmërinë ndaj nevojave, dëshirave dhe shëndetit të të tjerëve.”
Kjo është ndalesa e fundit e narratorit. Por është për kiamet. Tregimi pothuajse ka përfunduar, ngase Hilda dhe Rebeka kanë ardhur tek e vërteta. Fjalë për fjalë, e kam fjalën.
/Autorja është kryeredaktore e revistës “Lit Hub”. Romani i saj i parë The Lightness, është botuar nga William Morrow/HarperCollins, më 2020
/Gazeta Express