Poezia e javës / Gospodinov: Lepuri i dashurisë - Gazeta Express
string(44) "poezia-e-javes-gospodinov-lepuri-i-dashurise"

Arte

Gazeta Express

30/12/2022 17:23

Poezia e javës / Gospodinov: Lepuri i dashurisë

Arte

Gazeta Express

30/12/2022 17:23

Georgi Gospodinov, i lindur në Yambol të Bullgarisë në vitin 1968, ka studiuar filologji bullgare në Sofje, ka doktoruar në Institutin Letrar të Akademisë Bullgare të Arteve dhe ka punuar në një gazetë letrare që nga viti 1993. Është kolumnist për gazetën e përditshme Dnevnik dhe punon në Institutin Letrar të Akademisë Bullgare të Arteve.

Në vitin 1992, Gospodinov bëri debutimin e tij me librin me poezi “Lapidarium”, i cili u nderua me çmimin kombëtar për debutimin më të mirë. Më 1996 pasoi “Tschereschata na edin narod” (Pema e qershisë e një kombi), e cila u nderua me çmimin për librin më të mirë të vitit nga Lidhja e Shkrimtarëve Bullgar.

Në vitin 1999 u botua romani i tij i parë “Estestven roman” (“Roman natyral”). Romani është botuar në 23 gjuhë. New Yorker e përshkroi romanin si një “debutim anarkik dhe eksperimental”.
Romani i dytë i Gospodinov, “Fizika e pikëllimit” (2012), fitoi disa çmime kombëtare për romanin më të mirë, ndër të cilët Çmimin Kombëtar për Romanin më të Mirë të Vitit (2013). Libri ishte fitues i Çmimit Angelus të Evropës Qendrore (2019) dhe i Çmimit Jan Michalski (2016) dhe finalist për katër çmime ndërkombëtare në Itali dhe Gjermani: Premio Strega Europeo, Premio Gregor von Rezzori, Brüke Berlin Preis dhe Çmimin Haus der Kulturen der Welt. Romani u vlerësua gjerësisht në Evropë dhe në SHBA. Sipas Neue Züricher Zeitung (NZZ), “Georgi Gospodinov ngrihet mbi ultësirën e romanit  komercial dhe konvencional, duke shpëtuar jo vetëm veten, por edhe letërsinë – dhe bashkë me të edhe mbarë botën”. Edicioni amerikan i romanit u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin e Përkthimit PEN 2016 dhe Çmimin e Librit Më Të Mirë Të Përkthyer (Ang. BTBA).

Ai ka botuar gjithashtu katër libra me tregime, i pari Dhe tregime tjera (2001), i fundit Gjithë trupat tanë. Tregime ultra të shkurtra (2018). Vaisha e vërbër, një animacion i shkurtër (regjisor Theo Ushev) i bazuar në tregimin e shkurtër të Gospodinov, ishte i nominuar për çmimin Oscar në 2017.

Gospodinov ka shkruar dy drama – D.J. (një shkurtim i Don Juan) dhe Apokalipsi vjen në orën 18:00 (2010), të dyja të shpërblyera me çmime kombëtare për tekstin më të mirë dramatik të vitit. Eksperimentet e tij të palodhura me zhanre të ndryshme përfshijnë libretin për Opera Space (2015, Poznan, kompozitor A. Novak), romanin grafik Miza e përjetshme (së bashku me artistin N. Toromanov), koleksionin e eseve Krizat e padukshme.

Libri i tij i fundit është romani “Strehë kohe”. I botuar në prill 2020 në mes të karantinës dhe pikut të pandemisë, ai kryesoi listat e librave më të shitur në Bullgari.

Lepuri i dashurisë – GEORGI GOSPODINOV

Kthehem pas pak, tha ajo

dhe e la derën të hapur.

Ishte një mbrëmje e veçantë për ne,

në pllakën e sobës gatuhej një lepur,

ajo kishte prerë qepë, feta karrote

dhe thelpinj hudhre.

Nuk e hodhi krahëve pallton

nuk vuri buzëkuq, nuk e pyeta 

se ku po shkonte.

Kështu është ajo.

Kurrë nuk kishte pasur asfarë sensi të kohës,

gjithmonë vonohej në takime; kjo ishte e gjitha 

që tha atë mbrëmje:

kthehem pas pak;

as që kishte mbyllur derën.

Gjashtë vjet më vonë

e takova në një rrugë tjetër, 

përnjëherë u duk e brengosur, 

si dikush që kujtohet se ka harruar

të heq hekurin e rrobave nga priza,

apo diçka ngjashëm. 

E ke fikur pllakën e sobës, më pyet.

Akoma jo, ia kthej. 

Këta lepujt dinë të jenë goxha të zorshëm për t’u zier. 

/Nga anglishtja: Valon Veliqi

/Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement