Erotimatologio / Vehbi Miftari - Gazeta Express
string(28) "erotimatologio-vehbi-miftari"

Erotimatologio / Vehbi Miftari

Arte

Gazeta Express

22/07/2022 17:47

Vehbi Miftari (1971), u shkollua në Prishtinë dhe jashtë vendit. Më 2000 në Universitetin Amerikan në Bllagoevgrad (Bullgari) ka kryer një specializim në fushë të medieve dhe të komunikimit. Më 2001 ka qenë për specializim në Strasburg (Francë), në fushën e komunikimit publik. Më 2006 magjistroi me temën “Forma dhe metoda të kritikës letrare shqipe – Konica, Maloki, Kuteli. Në prill të vitit 2008 qëndroi për studime paradoktorale në Universitetin e Vjenës, sponsoruar nga Ministria e Jashtme e Austrisë, kurse më 2009 u doktorua në filologji, me temën Kritika letrare shqipe dhe moderniteti (Rrethi e individualiteti).

Disa nga librat e Miftarit janë: Mëngjes në pasqyrë, 1995; Figura në rërë, 2000; Teoria e objektit, 2001; Bibliotekat në Kosovë dhe qasja në informata, 2004; Modeli kritik – Konica, Maloki, Kuteli, 2005; Libri i mallit (Poezia e Ernest Koliqit), 2005; Etika politike dhe Kosova 2006; Maloki: Fryma nacionale në letërsi, 2006; Rugova: Vizioni nacional, 2007; Kritika e tekstit (Arshi Pipa), 2007; Kritika dhe moderniteti, 2008; Muret nuk mjaftojnë, 2008; Teknikat themelore të shkrimit, 2009; Albanian Metatextual Literature, 2012. Letra e identitete, 2017.

Lexo Edhe:

Libri i parë: 

Kurrë s’kam qenë i mirë në mbamendje mbi aspekte nominale. Nëse do të provoja ta jepja një titull, mbase nuk do ta thoja titullin e librit të parë të lexuar, por të librit që ka lënë gjurmë i pari. Ai, cilido që të ketë qenë, është përplotësuar nga të tjerë. Gjithë çfarë kam lexuar (me mijëra tituj, sigurisht) janë shtresuar në mbamendjen time si një libër i vetëm, të cilin, meqë ra fjala po vazhdoj ta lexoj me ëndje sot e kësaj dite. Ai lexohet e plotësohet çdo ditë, me një varg, me një poezi, thënie filozofike, aforizëm ose një metaforë. Meqë përmendëm metaforat. Fatkeqësisht ato janë tepër të pakta në këtë botë Borhesi thoshte se janë gjithsej dymbëdhjetë. Prandaj, po bëhem gjithnjë e më përzgjedhës për librat që duhet lexuar.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Nëse një libër duhet të lërë gjurmë, ai duhet të ketë njërën nga metaforat e kësaj bote përbrenda. Unë do të doja ta kisha shkruar njërën nga to. S’ka rëndësi nëse ajo i përket traditës është pjellë e pendës homeriane apo i takon bashkëkohësisë. Letërsia i relativizon kufijtë kohorë, sikur e dimë. Megjithatë, mendoj se kjo nuk është më e mundur. Metaforat u përkasin atyre që dinë t’i zbërthejnë universet. Unë e vlerësoj veten të pazotin që ta bëj këtë. Prandaj, them se në poezi ka diçka hyjnore, përtej shpjegimit të dijeve mbi të kuptuarit e gjërave.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Mendoj se janë disa libra të cilët duhet lexuar e rilexuar. Duke i rilexuar ata ju e vërtetoni shijen tuaj mbi poiesis-in (krijimin poetik), por edhe formimin tuaj letrar. Pak rëndësi ka nëse ky është Epi i Gilgameshit, Iliada e Homerit, këngët kreshnike shqiptare apo poezitë e Seammus Heaney-t. 

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Unë nuk mendoj se librat (së paku jo ata letrarë) kanë për qëllim që t’ua ndryshojnë jetën njerëzve. Por, e pranoj se libri (tërësia e librave të vlefshëm) jua ndryshon pikëvështrimin mbi botën dhe ju bën më fisnikë.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Mendoj se arti i leximit duhet të jetë i përkryer. Ai shërben si në një lloj dashurie e pafundme, episodet e së cilës e përplotësojnë njëra-tjetrën dhe e synojnë përjetësinë. Një libër ju fton gjithmonë për libra të tjerë. Nëse në një moment nuk i përgjigjeni, ju keni humbur një rast jetësor për ta marrë të plotë dashurinë e tij. Leximi i vonshëm jua shfaq vetëm një pjesë të dashurisë. Duhet t’i lexoni librat kur mosha, formimi dhe pikëvështrimet tuaja mbi jetën e kërkojnë atë. Unë kam provuar të mos vonohem në të lexuarit e librave që e shpërfaqin një botë të përkryer. Por, kam rrëshqitur në “gabimin” tjetër: jam ngutur, shumë sish i kam lexuar ende pa qenë në gjendje që ta përthithja gjithë botën e tyre. Edhe sot e kujtoj profesorin tim të gjuhës e të letërsisë, Bedri Tahirin – sot autor i një dyzine veprash – duke më kërkuar që të pushoja nga të lexuarit e romaneve “që s’ishin për moshën time”. Ndonëse në atë kohë e shihja me mosdurim, sot e kuptoj mirëfilli cilësinë e këshillës së tij. Kohëve të fundit po lexoj shumë libra historikë, krahas atyre filozofikë. Ndoshta, pikërisht këto fusha, simotra të letërsisë, ose autorë të mëdhenj brenda tyre, ende të palexuar, përbëjnë rrengun tim.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Ka shumë libra të cilët kritika i ngre lart, por shija e lexuesit i shmang. Unë e kam këtë raport me shumë autorë, para së gjithash me ata që vlerësohen nga juri shijesh imponuese. Duke qenë se prirjes së lexuesit synohet t’i paraprihet me shijen e një grupi lexuesish të paguar, vendimit të tyre (po hamendësoj, profesionale, por nuk mund ta përjashtoj ndjesinë edhe për vendime politike ndonjëherë), unë i shmang “zbulimet” e mëdha, derisa referencat e mia ose lidhjet me idetë e mëdha të letërsisë të mos më shtyjnë t’i lexoj ata.

Libri që ju ka befasuar

Secili libër që shpërfaq fuqishëm një dimension të jetës njerëzore, që e ka fuqinë shprehëse që ta thellojë lexuesin në botën e vet, prej nga e nxjerr më të fismë, mendoj se është libri (janë librat) që më kanë befasuar.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Në letrat shqipe, shkrimtarët e gjysmës së parë të shekullit XX, për idetë, për motivet, për gjuhën, për figuracionin. Në letërsitë e përbotshme, autorë të shumtë, duke nisur nga autorët e hershëm grekë.

Libri i fundit

Sikur e thashë, librat i shoh si rrjet botësh të brendshme, të cilat duhet parë në raport më njëri-tjetrin, për ta kuptuar thellësinë e ideve dhe qëndrueshmërinë e shprehjes, të cilin letërsia është e zonja t’ia falë njerëzimit. Prandaj, lexoj shumë libra njëkohshëm, gjithnjë në më shumë se një gjuhë. I ballafaqoj. Madje, më pëlqen të lexoj libra fushash të ndryshme. Aktualisht po e lexoj një biografi në anglisht të Kathryn Spink mbi Nënë Terezën, librin në italisht të Marco Morronit, Tra le sponde del Adriatico (Mes brigjesh të Adriatikut); një poet të shkëlqyer amerikan, Wallace Stivens dhe po i rilexoj romantikët shqiptarë, të cilët janë objekt i studimit tim, Letra e identitete II – Romantikët), duke qenë se tashmë e kam përmbyllur kërkimin për rolin e letërsisë në krijimin e identiteteve në letërsinë e hershme shqipe (te humanistët dhe filobiblistët). 

/Gazeta Express