Erotimatologio / Sibel Halimi - Gazeta Express
string(27) "erotimatologio-sibel-halimi"

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:37

Erotimatologio / Sibel Halimi

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:37

Sibel Halimi është sociologe dhe shkrimtare. Halimi është duke doktoruar me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”.

Deri tashti i ka të botuar katër vepra me poezi: “Kopshti i Mëkateve”, “Qenia nuk banon këtu”, “Me ekzistu është vetë kuptimi”, “Zoti më dashuron mua” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm”.

Lexo Edhe:

Që nga viti 2004 merret aktivisht me studime, kërkime shkencore në fushën e studimeve gjinore dhe sociologjisë së trupit. Merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip dhe të huaj. Halimi, në opinion kosovar njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave.

Libri i parë

Vështirë të kujtoj librin e parë që e kam lexuar, mbase mund të jetë ndonjë të cilën nuk e mbaj në mendje sot. Por, cilido libër të ketë qenë besoj t`më ketë inspiruar të vazhdoj të lexoj edhe sot, në të kundërtën do të bëja diçka tjetër.

Por, ajo çfarë e kujtoj nga e kaluara ime e largët, ikjen që ia bëja arsimtares së letërsisë për t’i lexuar librat të cilat i kishim të detyruar në shkollë. Kryesisht, lexoja libra që më pëlqenin. Natyrisht, kjo i kishte edhe pasojat e veta, disiplinimin, por ky relacion i parë me librin më ndihmoi, ishin drithërimat e mia të para të çlirimit nga vargonjtë e pushtetit dhe njohjes së vetes.  

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Për fenomenologjinë e grave, respektivisht për gratë në jetën e tyre të çdoditshme. 

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Simone De Beauvoir “Seksi i dytë”. Vepër monumentale e shndërruar në lajmotivin kryesor të lëvizjes feministe. Libri vjen në kohën kur gratë jetonin mbi idenë e lumturisë të ndërtuar mbi bazën e miteve të trashëguara që i lënin ato të mbyllura dhe të jetonin në ambiguitet. Vepra, arrin të ndërtoj urën lidhëse në mes gruas dhe vetes. Gruaja nuk është më e vetme, liria që i gurgullon në barkun e saj, nuk është më frikë, siç ajo e kishte projektuar duke mos e njohur. Libri, nëpërmjet dekonstruktimit të miteve që nga antikitetit e deri në kohët moderne, pagëzon lirinë si lëvizje drejt emancipimit, shkëputjes nga e vërteta absolute dhe arrin t`i vë themelet e para në ndërtimin e konceptit të subjektit grua. 

Në “Ne bëhemi të tilla” është shoqëria mbi të cilën përdor gruan për të ruajtur rendin dihotomik e stratifikues burrë – grua. Nocioni “bëhemi” në shikim të parë të asocion në një zgjedhje apo veprim të lirë. Por, De Beauvoir e përdor përkufizimin “bëhemi” për t`na përplasur fytyrës të vërtetën e kontrollit që ndjek gruan si fantazmë që nga takimi i parë me trupin e saj.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Mund të jenë më shumë se një, por vështirë të arrij në konkuldim nëse ndonjëra ka ndikuar të më ndryshojë jetën. Ndoshta, një libër i caktuar mund të më cytë në ndryshimin e qasjes për fenomene të caktuara. ‘Personae Seksuale’ nga Camille Paglia është një prej librave që më orientoi drejt lëvizjes së disa premisave të këndvështrimit tim lidhur me ndërlidhshmërinë e njeriut me natyrën dhe lirinë. Por, jo deri në atë stad sa të ndryshojë mendimin lidhur me konceptimin tim për natyrën që përbën padrejtësinë dhe pengesën kryesore që nëpërmjet normave shoqërore ngujon arritjen e barazisë në mes gjinive.         

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Janë disa që i kam ndarë. Ndaj, edhe i lë mbi tavolinën time të punës, të më shqetësojnë, të ma gërryen mendjen e të më nxjerrin nga jeta e çdoditshme. Disa nga librat që po më presin për t`i marrë më urgjencë janë “Vetja dhe Tjetri” nga Vincent Descombes, “Libri i Qenieve imagjinare” nga Jorge Luis Borges dhe “Of Woman Born – Motherhood as Experience & Institution” nga Adrienne Rich.   

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Mbase, për shkak të orientimit të saktë drejt librave që i dua, vështirë të marrë në duar libra që mund të më zhgënjejnë.

Libri që ju ka befasuar

Libri që ende se kam lexuar.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

I rikthehem veprave të cilat frymëzojnë lirinë e individit e që i kundërvihen pushteteve politike që disiplinojnë, kontrollojnë individin dhe duan ta përhumbin atë në turmë.

Jetojmë në një kohë kur shoqëria e determinuar nga faktorë të ndryshëm, detyron individin të ridimensionoj veten varësisht nga pushtet dominuese. Njeriu, e ka të vështirë, të përsiatë mbi cilindo ndryshim. Ai kryesisht i pavetëdijshëm i nënshtrohet të tashmes me tërë qenien e vet, në të kundërtën ekzistenca e vetes është e papërballueshme. Pikërisht, për shkak të kësaj fuqie marramendëse të së jashtmes mbi jetën e njeriut, ne në çdo situatë braktisim të kaluarën tonë, dhe pavërjetshëm fillojmë të ndihemi komod në jetën e tërësisë, turmës. Zbrazësia shndërrohet në motivin tonë qendror dhe qorrazi strukemi e ndihemi të sigurt nën pullazet absurde të shtëpive ideologjike. Njeriu pushon së kërkuari përgjigje mbi veten dhe ideja mbi lirinë mbetet fat teologjik mbi të cilin as që duan t`ia dimë.

Libri i fundit

Kur njeriu nuk jeton në funksion të njohjes së vetes, është në ndjekje të iluzionit. Pikërisht, libri i fundit “Qen Kashte” nga John Gray, na udhëzon t`i largohemi solipsimit njerëzor. Duke ia rikthyer fuqinë njeriut, për Gray “Njerëzimi” nuk ekziston. Por, janë vetëm njerëzit, të cilët udhëhiqen nga nevoja konfliktuale dhe iluzione e që sipas tij i nënshtrohen çdo lloj dobësie të vullnetit dhe gjykimit. Ndjesia që më gravitoi kjo vepër ishte fakti që të mos dëshpërohemi nga mos ndryshimi i botës, ngaqë bota nuk ka nevojë të shpëtohet. Por, njohja e vetes është e vetëmjaftuar për të rrugëtuar drejt vetëdijes për ekzistencën që i paraprinë esencës.

Në jetën e mendjes, nga kjo vepër do t`më mbetet gjallë “se vetëm personat e përvuajtur e duan të vërtetën”, mbase e vërteta nuk mund të na vije duke qenë të lumtur, por duke u torturuar nga një shqetësim për njeriun në dimensionet e tij shoqërore.   

/Gazeta Express