Erotimatologio / Rita Petro - Gazeta Express
string(25) "erotimatologio-rita-petro"

Erotimatologio / Rita Petro

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:23

Rita Petro (Filipi), e lindur në Tiranë, më 13 mars 1962, ka diplomuar për Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Tiranës: është specializuar për Filozofi e Kulturë greke në Universitetin Filozofik të Athinës (1993), me profesion specialiste didakte për lëndën e Gjuhës e të Letërsisë në shkollë. Gjithashtu, autore e shumë teksteve shkollore dhe drejtoreshë e shtëpisë botuese Albas.

Veprat e autores: Vargje të përfolura (1993), Shija e instinktit (1998), Këtu poshtë këndohet live (2002), Në intimitet…nga Rita (2006), Vrima (2014), Kënga e turmës (2016) etj.

Lexo Edhe:

Rita Petro ne poezitë e botimit të saj të fundit i zhvesh fjalët, imagjinatën e pritshmërinë krejt natyrshëm. Mes rreshtash kuptohet që autorja padyshim që ndjen nganjëherë frustrim kur i thotë të gjitha përnjëherësh ama nuk i ngushton asnjëherë kornizat e imagjinatës.

Libri i parë

Përralla të zgjedhura – nga bota. Kur isha fëmijë zhytesha aq shumë në botën e përrallave, sa ato më bëheshin pjesë e së përditshmes time. Si për shembull, numri 3. I përsërisja mësimet tri herë; e shkruaja një fjali tri herë, vrapoja nga kreu i rrugicës deri në fund të saj tri herë, bëja miqësi me dy shoqe ose shokë dhe kështu bëheshim tre, në momentet e padurimit numëroja disa herë treshe nga treshe, etj., etj.

Po kështu, veprimet e mira në ndihmë të personazheve që janë në rrezik, më kanë lënë dhe sot aq gjurmë, sa veproj në të njëjtën mënyrë herë pas here pa e kuptuar dhe vetë se përse e bëj këtë gjë? Për të fituar mirënjohje, dashuri të ndërsjellë, por edhe një frikë instinktive brenda vetes, se a do të më gjendet dikush në një moment vështirësie, nëse unë vetë nuk kam kryer një veprim bamirësie?!  

Sa herë dëgjoj vepra të këqija apo makabre të qenieve njerëzore më dalin parasysh shtrigat e përrallave apo qeniet e përbindshme që zënë pusi te burimet e ujit dhe i sakrifikojnë njerëzit për interesat e tyre të ngushta. Përrallat më udhëheqin edhe sot me imagjinatën e tyre e ma mbajnë zgjuar fëmijën e vogël brenda meje.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

I huaji – Kamy. Një libër aq konciz, por që tregon fatin tragjik të heroit, i cili ndihet dhe është i huaj për të gjithë rreth e qark tij e për krejt shoqërinë, për mjedisin dhe kohën. Kjo kohë shtrihet edhe në të sotmen dhe besoj edhe në të ardhmen, që tregon karakterin universal të veprës së Kamysë. Reagimet e Të huajit janë aq normale, por që për njerëzit “normalë”, e hipokritë janë jo të moralshme. E gjej shumë veten në këtë libër ndaj do të doja ta kisha shkruar unë. 

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Lindur së prapthi – Rita Petro. Duke hequr dorë nga modestia do të doja shumë që të lexohej romani im i ri “Lindur së prapthi”. Dhe aspak për historinë time, por jam e bindur se çdo lexues do të gjejë në këtë libër një bashkëbisedim të thellë me vetveten. Duke iu rikthyer fëminisë ne tregojmë ngjarje të ndryshme, por janë disa mbresa aq të thella, disa ndjesi që aso kohe i kemi quajtur të turpshme dhe për këtë arsye vazhdojmë edhe sot t’i quajmë të tilla e t’i mbajmë fshehur brenda vetes. E pra, për mua hedhja dritë mbi to ishte çlirim e këtë energji çlirimi dua ta përjetojë dhe lexuesi. 

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Rruga në të cilën rrallë shkohet – Scott Peck.  Me Skot Pekun dhe librin e tij best-seller “Rruga në të cilën rrallë shkohet” jam njohur në një moment udhëkryqi në jetën time. Këtë libër e kam lexuar dorëshkrim të përkthyer nga i dashuri im. Ai përkthente fragmente dhe m’i dërgonte mua t’i lexoja. Në atë kohë ndodhesha në një udhëkryq. Nuk kam besuar asnjëherë te reklamat se ky apo ai libër të ndryshon jetën. Por e di shumë mirë se ka libra që të tronditin besimet e tua, moralin tënd, konvencionet që je e dënuar t’u bindesh. Dhe libra të tillë të konfirmojnë vendimet e tua për të rrezikuar duke ecur në shtigje ku nuk kalojnë të gjithë, por ata që kalojnë arrijnë majat (nuk flitet aq për suksese e ambicie profesionale, se sa për ato maja shpirtërore që i japin jetës kuptimin e vërtetë. 

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Të lirë – Lea Ypi. Nuk e kam lexuar pasi gjatë kësaj periudhe po shkruaja librin tim që fliste pikërisht për kohën e fëminisë dhe të rinisë sonë në kohën e komunizmit. Kisha frikë mos ndikohesha. Jo tërësisht, pasi i besoj vetes për stilin origjinal, por tek tuk ndonjë kujtim ose mbresë shkruar prej saj mund të ndikonte instinktivisht tek unë. Tani do ta lexoj me qejf pasi jam e çliruar nga  krijimi im si dhe e çliruar nga mbresat dhe përshtypjet pro apo kundër e të tjerëve për këtë libër. 

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Mëngjarashja – Peter Handke. Autori është më i përfolur se ky libër. Pasi ma rekomanduan këtë libër, nisa ta lexoj, po shumë shpejt e kuptova se nuk hynte as te librat dhe as te autorët e mi të pëlqyer. 

Libri që ju ka befasuar

Shtërgjet – Ollga Tokarçuk. Nuk e njihja si autore dhe ky ishte libri i parë i saj që e lexova ende pa e botuar me përkthimin e shkëlqyer prej origjinalit nga Edlira Lloha. Është letërsi e pastër, e kulluar. Më të zakonshmen Olga ka aftësinë ta bëjë të jashtëzakonshme me artin e saj. Ajo lundron në një det metaforash e nëntekstesh duke na emocionuar me të vërtetat lakuriqe të jetës njerëzore , vendosur në një sfond social e politik. Ky libër shijohet duke qenë i përqendruar, ndryshe nga humbja e vëmendjes mund të humbësh fraza perla. 

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Lulet e së keqes – Charles Baudelaire. Bodlerit i rikthehem përsëri e përsëri duke lexuar poezi të veçanta të tij. Dhe sa herë e lexoj i “vë në punë” të gjithë shqisat e mia; nuhas aroma të mrekullueshme parfumesh, lulesh të njoma e të thara, shijoj verëra nga më të vjetrat, me të gjitha llojet e shijeve, të athëta apo të ëmbla, prek sipërfaqe të lëmuara e njëkohësisht të ashpra apo pickuese, dëgjoj tinguj sa jetësorë aq edhe mistikë që dalin nga brendia e trupave njerëzorë, por dhe e sendeve, shoh bukurira në lulëzim, por dhe në kalbëzimin e tyre, tronditëse si e vërteta lakuriqe. Bodleri më shijon shumë veçanërisht, me përkthimin e Primo Shllakut, që ia ka arritur të ruajë gjithë këto nuanca në gjuhën shqipe. 

 Libri i fundit

Kësulëkuqja, përrallë për të rritur – Ag Apolloni. Më ka lënë mbresa ky libër ku gjenden të gërshetuara aq bukur përralla nga këndvështrimi i fëmijërisë me përrallën nga këndvështrimi i të rriturit, drama e jetës me dramën që luhet në skenën e teatrit, historia njerëzore reale me trillin artistik, instinkti i dhunës së egër të luftës, veçanërisht ndaj gruas me instinktin e kënaqësisë nga dashuria mes burrit dhe gruas. Shkruar me kulturën e pedagogut e të studiuesit dhe ndjeshmërinë e shkrimtarit, ky libër të lë mbresë e të bën t’i rikthehesh.

/Gazeta Express