Erotimatologio / Nurie Emrullai - Gazeta Express
string(29) "erotimatologio-nurie-emrullai"

Erotimatologio / Nurie Emrullai

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:44

Nurie Emrullai është e lindur më 28 tetor të vitin 1992, në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Ka mbaruar fakultetin e Filologjikut, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Tetovës dhe ka përfunduar Masterin për Letërsi po aty.

Ajo u paraqit me poezitë e saj kushtuar gruas shqiptare në Ekspozitën Vajza, jo nuse, që u mbajt në Cyrih të Zvicrës, 2018. Po në atë vit ishte përfaqësuese e letërsisë në Forumin e Literaturës CEEC që u mbajt në Ningbo të Kinës. U përzgjodh në Karvanin Poetik që u mbajt në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut në dhjetor të 2018. Ishte pjesë e edicionit FemArt2019, në Kosovë. Qe pjese e Festivalit të Netëve Strugane të Poezisë, 2021, pjesë e Festivalit të letërsisë “Polip”, 2021.

Lexo Edhe:

Poezitë e saj janë përzgjedhur:

Antologjinë Maqedonase, Antologjinë e poetëve të rinj shqiptarë, Antologjinë e poezisë shqipe në Maqedoni, Antologjinë e Poetëve Jonianë

Poezitë e saj janë botuar në Revistat Letrare:

ExLibris, ILLZ , Akademia- Kosovë, Sintezis- Maqedoni, Knizhevni Elementi- Maqedoni, The Bridge- magazine- Ndërkombëtare/ Tiranë, Hermes- Rumani, Teflon- Greqi, Literatureoutdoors- Vjenë.

Çmimet:

Çmimi III në kuadër të manifestimit “Tetova feston nëntorin-2014”, Çmimi I “Oneum”, për krijuesit e rinj, 2017

Fituese e “Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” nga Qendra Kombëtare e librit dhe leximit në Shqipëri, 2021

Fituese e rezidencës artistike në Stamboll, 2021 Kandidate për çmimet Kombëtare të Letërsisë, Vëllimi më i mirë poetik, 2020

Është autore e tri librave me poezi:

Për gjysmën tjetër të hënës, Syth, Tetovë, 2019 Vargmale nën dhé, Onufri, Tiranë, 2020 Në orën moderne të Perëndive, Onufri, Tiranë, 2021

Dhe një studim:

Ekzili, nostalgjia dhe identiteti në veprat e Milan Kunderës

Libri i parë

Kur e mendoj se cili është libri i parë që kam lexuar, kjo më lidh me fëmijërinë time. Ndonëse nuk është se kishim shumë libra në shtëpi. Nëna kishte ruajtur disa libra studimor dhe disa të tjerë që ia kishin dhënë dhuratë për suksesin e treguar gjatë viteve të shkollimit. Mbaj mend se isha kurioze i merrja e i shfletoja, ende pa filluar në shkollë. E kur u bëra filloriste filluam të mësojmë poezitë e para. Në njërin prej atyre librave dhuratë, nëna bashkë më mua filluam t’i shkruajmë të gjitha poezitë që i mësoja. Ky u bë libri i parë që unë e lexoja dhe njëri prej kujtimeve më të bukura të fëmijërisë sime. Pastaj me kohë u njoftova me shumë libra e shkrimtarë, e njëri prej librave të parë ka qenë “Drama” e Josip V. Relës.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Librin që do të doja ta kisha shkruar, supozoj se jam duke e shkruar. Edhe pse të shkruarit e prozës kërkon përkushtim më të madh dhe vazhdimësi në të shkruar, mua gjithnjë më ka tërhequr të lexoj dhe më vonë e kam menduar që të shkruaj për ato ndjesi të cilat ne nuk i flasim, që kalojnë pa u dhënë rëndësi, sepse janë të vështira për t’u përballur. Gjërat për të cilat nuk flasim, duke parë raportet e komplikuara që duhet t’i kalojnë adoleshentët me prindërit, apo të dashuruarit. Apo një njeri që nuk flet, ndërkohë ka kaq shumë pyetje, por të cilat do ta kishin bërë të duket si të çmendur në këtë botë që e ka shumë të vështirë të pranojë atë që duket ndryshe.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Mendoj se ka shumë libra që ia vlen të rekomandohen. E dini shprehjen “sa pak kohë dhe sa shumë libra”? Mendoj se ky fat na ndjek të gjithëve, ndonëse jam personi që kur më pëlqen një libër e sugjeroj dhe kërkoj sugjerime nga miq e lexues.

Libri që do ta kisha rekomanduar për të gjitha moshat është libri “Një dhomë më vete” i Virginia Woolf-it. Do të vazhdoj ta them vazhdimisht këtë sepse është libër të cilit ne si shoqëri ia kemi nevojën për të kuptuar si qëndrojnë raportet e ndasive gjinore, si qëndron shkollimi i femrës, e ne në cilën shkallë qëndrojmë.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Këtë pyetje është e vështirë ta përmbledh veç në një titull libri. Padyshim se secili libër e ka fuqinë për të na ndryshuar mënyrën e perceptimit, koncepteve, të shoqërisë, të besimit. Jo më kot besimi i çdo gjëje nis nga ajo që na ofrohet të lexojmë. Nuk mendoj se ka tjetër mënyrë për t’u zgjuar e për të hapur mendjen përveç me lexim. Librat që ma kanë ndryshuar jetën kanë ardhur në kohë të ndryshme, besoj atëherë kur kam dashur unë që të vijnë apo kam pasur nevojë. “Mbi heronjtë dhe varret” i Ernesto Sabato-s,  ka qenë libri i cila ka pasur ndikim shumë të madh e të vazhdueshëm, në mënyrën e kureshtjes që më ka falur për t’u qasur disa sendeve në mënyrë më të detajuar. Por nuk mund të lë pa përmendur që veprat e Sartri-t ma kanë bërë realitetin më të pranueshëm dhe më të jetueshëm.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Ka shumë libra të cilët përnjëherë mund të marrin vëmendjen e publikut, apo të jetë ndonjë ndodhi që i çon njerëzit te leximi me temë të njëjtë siç ishte për shembull “Dashuria në kohërat e Kolerës” të Marquez-it, apo “1984” të George Orwell-it, që gjatë kohës së pandemisë kishte interesim të madh të këtyre veprave. Gjithsesi këta janë libra që përmbysin çdo kohë dhe ia vlejnë. Por dua të them që ka libra të cilët nuk i kam lexuar edhe pse janë të përfolur apo marrin vëmendjen për një kohë të caktuar. Kur je dhe studiues i letërsisë zgjedhjet thjeshtësohen.  

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Nuk mund të them që më ka zhgënjyer ndonjë libër. A se mund të të zhgënjejë ndonjë. Libri gjithmonë ka të bëjë me personalitetin dhe pritet e interpretohet në aq mënyra të ndryshme saqë jemi të ndryshëm ne prej njëri-tjetrit. Ndaj ka pasur libra të cilët nuk kanë qenë në shijen time, por në anën tjetër kanë marrë vlerësime të mëdha dhe e respektoj atë përderisa edhe shijet mund të ndërrojnë me kalimin e kohës.

Libri që ju ka befasuar

Libri që më ka befasuar kohën e fundit është libri “Oh” i Anton Pashkut. Ky libër më ka befasuar për shumë arsye, niveli i gjuhës është tepër i lartë, mendimet të cilat i përcjellë deri te lexuesi janë shumë poetike, filozofike, spirituale dhe psikologjike. Ndërtimi i romanit është një mrekulli më vete. Idetë të cilat ia jep lexuesit janë të nivelit të letërsisë botërore, unë e kam krahasuar midis George Orwell-it dhe Alberto Moravisë.

Dhe vepra tjetër që dua ta theksoj këtu është libri i Yokio Mishim-ës “Patriotizëm”, është vepër me tregime të mrekullueshme, të cilat na japin kulturë shumë të ndryshme, por në të njëjtën kohë flet për shumë vlera të larta shpirtërore e njerëzore që i kalojnë pritshmëritë tona.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Kur jemi te librat që u jam rikthyer disa herë, epo duhet ta them që nuk jam lexuese që u rikthehem leximit të romaneve. Por, po u rikthehem shumë herë librave me poezi si të Eliot-it, Paz-it, Seferi-s, Camës…, sepse poezia është si kënga, që po na pëlqeu e dëgjojmë me vite të tëra, u rikthehem studimeve dhe eseve. Dhe u jam rikthyer shumë herë për të lexuar veprat e Pessoas, sepse aty ka gjithmonë diçka që më fshihet dhe me çdo rilexim e zbuloj.

Libri i fundit

Kjo periudhë më ka gjetur në një fazë “shpërqendrimi letrar” në leximin e shumë librave përnjëherë. Jam duke përfunduar “Tundimin e fundit” të Kazanxaqi-s dhe jam në faqet e para të “Dublineska” nga Matas-it. Në poezi jam duke lexuar “Ditari i vitet të Buallit” nga Wright-i, i cili po më lë goxha shije të mirë. 

/Gazeta Express