Erotimatologio / Halil Matoshi - Gazeta Express
string(28) "erotimatologio-halil-matoshi"

Arte

Gazeta Express

03/02/2023 17:42

Erotimatologio / Halil Matoshi

Arte

Gazeta Express

03/02/2023 17:42

Halil Matoshi (1961) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare.

Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Lexo Edhe:

Ka një master në gazetari.

Ka punuar gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Syri i tretë”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Gazeta Express”, “Focus”, “Koha Ditore”.  Âsht në një mënyrë gazetbâmës.

Tre herë i shpallur gazetari më i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004;

Katër herë i arrestuar nga regjimi serbian,  gjatë Lëvizjes antifashiste (1990-1999);

Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe është mbajtur për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).

Është autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021); Poezi të tij janë përkthye në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.

Libri i parë

Ndoshta ishte libri i ilustruar Robin Hood, një bandit revolucionar, që pretendohet t’ua këtë marrë forcërisht pasurinë të pasurve dhe t’ua shpërndajë të varfërve.

Për atë epokë komuniste, kjo ngjallte simpati, porse kurrë nuk kisha me besu që robinhudizmi do të manifestohej në pushtetin faktik, në Kosovë, gjysmë shekulli më vonë. Historia thonë përsëritet. Njëherë si tragjedi dhe sëdyti si farsë.

Banditi i Eric Hobsbawm-it ngërthen brenda vetes aspirata dhe ideale nga më kontradiktoret, duke ushtruar ndikim të fortë në imagjinatën popullore. Pra, një figurë të cilin shteti e cilëson si kriminel, kurse populli e mban për hero, shpagues, luftëtarë për drejtësi, e me raste edhe udhëheqës te çlirimit.

Ajo që e ka mbushur gjithmonë zemrën e Hood-it ishte rezistenca kundër një autoriteti të padrejtë, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. Shkurt, mund të përshkruhet si një gueril marksist dhe populist i pandreqshëm. Ai është, siç shprehet Hobsbawm, “paradigma ndërkombëtare e banditizmit shoqëror”. Pra popujt (edhe kosovarët) janë të prirur të identifikohen me mitin (besimet) për “banditin tonë të drejtë”, që përkon me besimin e masave tek patrioti arkaik që i del përballë patriotizmit kushtetues.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Një libër për një dashuri të madhe që është mirënjohje e të përjetshme, që e bën njeriun të mos vdesë nga e vërteta. Libri do të shumëzonte dashuritë e botës dhe do të fliste për një burrë që ka një kasollë me dërrasa skej lumi dhe një gramafon. Dhe aty e viziton një grua gracioze dhe flasin për prerës diamantesh.

Ata vallëzojnë deri sa jeta këputet. Ndalet. Por jo edhe gramafoni. Dikur, fuqia e natyrës shtëpinë e tyre e shndërron në sallë të gjithkohëshme, ku luhet Koncerti Kamertal i gjinkallave.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Librin (dy vëllimësh të Elias Canetti-t “Masa dhe pushteti”. Libër për masat, masat e dyfishta dhe kryengritjën e njeriut (duke thirrë në ndihmë shpirtrat e gjyshërve për vetëkonfirmim, shtim force e krenarie) për t’u realizuar si i lirë përballë pushtetit shtrëngues.

Ky është nobelisti që thotë: “Të gjitha gjërat që njeriu ka harruar bërtasin për ndihmë në ëndrra.”

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Libri nuk ta ndryshon jetën përgjithmonë, por mund të sjellë fat në një çast jetësor si “I thuaj zemrës po” nga Suzan Tamaro apo telash (fatkeqësi) si “Psikologjia e masave” nga Gustav Le Bon. Kur nâ patën arrestu më 1990, milicia sekrete jugosllave mâ gjetën në çantë librin e Le Bon, që isha duke e lexu, kur ulesha me pi një expresso te ambeltirja “Elida” dhe më kanë maltretu me pretendonin se me këso libra ne po e nxisnim popullin e Kosovës në kryengritje. Shihni së si mund ta përmbys fati një libër. Sa intelektualëve nën regjimin stalinist në Shqipëri ua kanë shkatrru jetën për shkak të librave të ndaluar!

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

“Getting Lost” është një kujtim i vitit 2022, nga nobelistja e po këtij viti, Annie Ernaux i botuar nga Seven Stories Press dhe i shpërndarë nga Penguin Random House.

 Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Nuk i lexoj kurrë deri në fund librat “zhgënjyes”.

Ata i braktise që në dhjetë faqet e para. Porse, librat që duhej t’i lexoja për hir të interesit që kam për teoritë identitare, e që ekstremishit më kanë zhgēny janë dy.  Libri i Mehmet Krajës “Identiteti kosovar”, ndonëse voluminoz (me rreth 700 faqe) është libri pretencioz por në aspektin e dijeve humane fort i shkretë dhe me qasje nacionaliste. Madje libër fyes për identitetin kosovar.

Dhe Monografia “Kosova” që është menduar si histori e shtetit. Ndonëse botim i AShAK është punë fort e ligsht, interpretime ideologjike të fakteve me plagjiatura e pasaktësi në argumentim.

Libri që ju ka befasuar

“Popullizmi” nga Jan-Werner Müller. Një vështrim briliant për epokën tonë, për një pushtet të turmave që e përbëjnë njerëz me ngadalësi të theksuar mentale, mendësia e Palankës (Radomir Konstantinović). kryesisht budallenjtë e sistemit që marranebdshëm rrënojnë çdo vlere elitare politike e kulturore.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Të gjithë librave të nobelistes 2006, Wislava Szymborska, për pyetjet naive të epokës dhe përgjigjet e bukura e befasuese dhe librit “ENIGMA E MADHE”, poezia dhe proza 1954-2004 nga Tomas Tranströmer (Nobel, 2013) në përkthim nga Qerim Raçi. Një poezi magjike dhe magjibërëse. E thellë dhe thjesht mahnitëse.

Libri i fundit

“Të bësh filozofi” nga Timothy Williamson, një libër me të cilin Autori sikur na merr përdore për të na shpie drejt mendjes së shëndosh. Libri na mëson për të bërë pyetje filozofike duke u nisë nga mendja e shëndoshë (common sense) që e dallon dijen nga besimet.

/Gazeta Express