Ballsor Hoxha është i lindur në Prishtinë më 1975. Ka të kryer fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë angleze dhe amerikane në Universitetine e Prishtinës
Ai ka të botuar tri përmbledhje me poezi; Nirvanë qyteti, Njerëzore dhe Limon e zi. Dy përmbledhje me tregime; Qafëm dhe Bardhëzi. I dyti është përkthyer në maqedonisht. Një roman në tregime dhe ese: tjetri/shqiptar. Një monografi për Pafundësia e leximeve të Kadaresë. Dhe ka në botim një studim për Ankthin bashkëkohor në letërsinë shqip. Hoxha është kontribues i rregullt në informacionin shqip me ese, kritika dhe recensione të letërsisë, muzikës, filmit etj.
Libri i parë
Për mua ka dy libra të pare në jetën e njeriut. I pari që tronditë fëmijërinë tonë dhe e bën të shoh botën e tij/saj me një sy ndryshe, pra si të letërsisë, dhe ai që të tërheqë në lojën e letërsisë dhe më kurrë nuk mund të dalësh prej saj.
Libri i parë që mbaj mend në jetën time është ‘Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit’. Mbaj mend aty është një episod ku dyshi që Fatbardhi e ka marrë në shkollë kthehet në armatë të dyshave gjatë ëndrrave të gjumit. Duke e përndjekur dhe gjykuar atë. Ishte hera e parë në jetën time që kuptoja se kishte një lidhje ndërmjet ëndrrave dhe ditëve të fëmijërisë. Hapeshin e përhapeshin tunele prej ëndrrës në realitet dhe anasjelltas. Por, ç’është e vërteta në atë kohë isha në njëlloj depresioni fëmijëror sepse edhe unë kaloja nëpër disa dysha e vështirësi. Dhe, për mua ky libër e kishte zgjidhur atë budallakinë e armatave të dyshave që më ndiqnin kudo në ato ditë. E kuptoja se si dyshat e shkollës kalonin në ëndrrat e mia, sigurisht në gjuhën infantile time.
Ndërsa libri i parë i parë, ai i cili më kishte shfaqur një realitet tjetër, një botë ku gjallonin krijesa të pakapshme disi, disi të huaja e të njohura në fytyrat gjestet e jetën e njerëzve të përditshëm të jetës sime, ishte Kronikë në gur. Në të vërtetë ky roman nuk është i rëndësishëm vetëm për estetikën e tij, por aq më shumë sepse lexoja, lexoja shumë dhe askund nuk hasja një zë komik dhe një përshkrim të vërtetë të jetës që kishim bërë dhe bënim (në Kosovë atëherë). Dhe ky roman i kishte të dyja, kishte një zë narrativ që krijonte një humor që në të njëjtën kohë ishte krejtësisht origjinal dhe universal.
Libri që do të doje ta kishe shkruar
Të gjitha tregimet e Julio Cortazar. Dhe Rrafshina në djegie të Juan Rulfo. Mendoj se tregimet dhe novelat, përkundër romanit janë versione dhe mënyra më të mira të rrëmbimit të lexuesit në botën e letërsisë. Jam i çmendur dhe i obsesionuar pas tregimit. Kur e kam lexuar Cortazar më dukej se kisha zbuluar një letërsi që i mungonte letërsisë që kisha lexuar deri atëherë. Por gjithashtu edhe një zonë të ashtuquajtur në anglishte – uncanny -, krejtësisht të çuditshme dhe misterioze. Në moshën njëzet vjeçare doja të kisha po atë impakt dhe zbulim të kësaj bote edhe në botën shqiptare. Flitej për lojëra fëmijësh, autostrada, ëndrra të çuditshme, etj, dhe në nj mënyrë Cortazar fliste për çdo gjë por edhe me një stil.
Shumë më vonë kur i kisha lexuar tregimet e Juan Rulfo e kisha kuptuar se tregimi është diçka që ndërhynë në botën tonë dhe si një fletë, si një vizion krijon një dyzim të dy botërave dhe të futë në një univers të sajuar po aq edhe të vërtetë aq rrëmbimshëm dhe aq fuqishëm dhe të tronditë përjetë në disa faqe teksti. E kisha përfunduar librin qetë, i dëshpëruar se kurrë nuk do të arrij diçka si të Ruflos dhe kisha menduar për së paku librat që mund të lexoj.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Meqenëse jemi duke folur për librat e lexuar dhe të palexuar që ma kanë ndryshuar jetën, po i ceki edhe dy të tjerë që janë tejet të rëndësishëm për mua dhe që do të doja që secili adoleshent t’i lexonte.
Është fjala për Sidharta dhe I huaji nga Kamy. Në të vërtetë janë aq të rëndësishëm për mua sa i përket zhvillimit të filozofisë së jetës në adoleshencë, sa që ia kam propozuar edhe vajzës sime që është në moshën e adoleshencës. Por që assesi nuk arrij ta bind dhe ta shmang nga mangat japoneze.
Këto dy romane sipas meje lexohen njëri pas tjetrit, derisa në Sidharta krijohet filozofia, apo krijohet mundësia që të shihet në tërësi jeta prej hapave të parë të pavarësimit e deri tek dita e fundit, gjë që është enigma e adoleshentit, në romanin I huaji, megjithëse për adoleshencën e vonë, krijohet distanca dhe përfshirja e individit, apo mësohet si të kalohet në individ, si është dhe kur është e domosdoshme të jemi individ.
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Në të vërtetë janë dy libra shkruar në lidhje me njëri tjetrin që ma kanë ndryshuar jetën. Së pari kisha lexuar Zemra e errësirës dhe isha tronditur aq thellë nga brutaliteti, bukuria, ekzotika e shkrimit, mënyra e trajtimit të anti-kolonializmit në këtë novelë sa që kisha thënë më nuk lexoj. Por, menjëherë pas kësaj kisha dëgjuar dhe kisha lexuar për kritikën e shkrimtarit afrikan Chinua Achebe shkrimtarit afrikan ndaj po të njëjtës novelë të njohur si kritika më e lartë ndaj antikolonializmit, në të cilën vetë shkrimtari Achebe e shpallte po të njëjtën mendësi kolonialiste me argument dhe me një elokuencë të guximit të pashoq në këtë debat.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
Jo libri, por në të vërtetë shkrimtari, Michel Houellebecq, është një gjë që e evitoj tërë jetën. Ka një jetë të tërë që iki nga çdo gjë që ka të bëjë me këtë shkrimtar, për të vetmen arsye se më duket se është një nga imituesit e çdo trendi dhe çdo lajmi global, kështu duke e përmbysur atë që thuhet në një farsë të përcjellë me të bëmat vetëpërdhunuese të jetës së tij.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
Në të vërtetë këtu kisha folur për përkthimet në shqip. Shumë shkrimtarë që i kam të pakalueshëm i kam lexuar edhe në shqip, por për fatkeqësinë tonë kemi shumë joseriozitet në përkthimin e veprave. Sidomos veprave të mëdha siç është Borges.
Po ashtu këtu hyn edhe të lexuarit e një vepre madhore në moshë të re, gjë që krijon frustrim dhe zhgënjim tek lexuesi i papjekur kur ai/ajo has në krijime letrare të cilat janë krejtësisht të pakapshëm për ta.
Libri që ju ka befasuar
Padyshim këtu hyn romani Bora i Orhan Pamuk. Është një dhembje dhe lirizëm aq i lirë i thellë i bukur melankolik, sa që të mbyll disi në universin e personazhit Ka. dhe të mbanë me shekuj aty.
Dhe, më duhet ta përsëris, pa dyshim Juan Rulfo, me të dyja, përmbledhjen e tij me tregime dhe me romanin e tij Pedro Paramo. Është tjetër të shkruar. Një letërsi e re. Një narrativ krejtësisht i panjohur, i nxjerrë nga djerrinat dhe rrënojat e shoqërive të shkelura e të harruara. Një narrativ që na tregon se shoqëri të tëra ende jetojnë me murin e pandarë ndërmjet vdekjes dhe jetës.
Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë
Savage Detectives (Detektivët e egër). Libër i egër, libër i shpejtë, libër i pasur me kontekste, qytete, personazhe, ndodhi, dhe në fund një ironi të pakalueshme. Libër i cili të inspiron dhe të ndez të gjithë motorët. Mendoj se me këtë roman, ngadalë po ndërtohet epitafi i një romani siç e njihnim një romani klasik, dhe po ndërtohet një roman i cili shkëput të tepërtën dhe i kapet lirisë së imagjinatës dhe reales në të njëjtën kohë për të krijuar vërtetësinë e asaj që po lexojmë.
Libri i fundit
Duke qenë se si entuziast i letërsisë së botuar në gjuhën tonë lexoj e shkruaj për libra të shumtë ka një mori romanësh që kam lexuar. Ngjizja e papërlyeme, Liria ime, Vdekja e Omerit, etj. Të gjithë janë romane të cilët krijojnë të renë, hapin dhe hapjen avangarde të letërsisë sonë, të cilët krijojnë një debat dhe diskutim të ri të të njohurës së pakapshme në realitetin tonë të shumëfishuar.
/Gazeta Express