Erotimatologio/ Arbër Selmani - Gazeta Express
string(28) "erotimatologio-arber-selmani"

Erotimatologio/ Arbër Selmani

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:20

Arbër Selmani ka lindur në Prishtinë. Është fitues i çmimit të parë për poezi në festivalin ‘Tirana Gate 2021’. Letërsia e tij është përkthyer në gjuhën angleze, greke, gjermane, frënge, sllovene, turke dhe serbokroate. Ka botuar tre libra, libri i radhës me poezi do të botohet këtë vit


Libri i parë

Lexo Edhe:

Nuk e di a më kujtohet saktë libri i parë që e kam lexuar. E ndjej që ndër librat e parë që më kanë lënë shumë përshtypje kanë qenë ‘Verorja’ nga Rexhep Hoxha dhe ‘Beni ecën vetë’ nga Kico Blushi. Të dy librave u rikthehem shpesh për t`i analizuar, sepse mendoj që ata duhet lexuar në etapa të ndryshme të jetës së njeriut.   


Libri që do të doje ta kishe shkruar

Hmmmm…’Letër babait’ nga Kafka dhe ‘De Profundis’ nga Oscar Wilde. 


Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Antologjitë dhe përmbledhjet me poezi, çfarëdo, ku ta gjeni ndonjë merreni dhe lexojeni. ‘Violeta’ nga Isabel Allende, një tregim i mahnitshëm i një gruaje e cila lind në 1920 dhe vdes në vitin 2020, nga një pandemi në tjetrën. ‘Moderniteti dhe Holokausti’ nga Zygmunt Bauman, një libër i cili na tregon se si bota është sot më shumë se kurrë një amfiteatër i budallenjve, një botë kjo e cila edhe sot e lejon një luftë, një gjenocid, një tragjedi. Lexoni gjithçka që gjeni nga Anton Pashku dhe Azem Shkreli. Absolutisht, gjithçka. 


Libri që jua ka ndryshuar jetën

Secili libër ndryshon diçka te unë. Secili libër më jep diçka, dhe merr diçka pa e kthyer kurrë. Nuk po them që ka një libër që absolutisht ma ka ndryshuar jetën, por librat nga fusha e psikologjisë gjithmonë kanë lënë gjurmë te unë. I lexoj kohë pas kohe, kur kam e kur s`kam nevojë. 

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar 

Kam lexuar diçka tjetër nga Joyce, por jo ‘Uliksin’. 


Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Kam përshtypjen se këtë libër kam nisur ta lexoj në një periudhë të gabuar, prandaj gjysmën e fajit e marr mbi supet e mia: ‘My cat Yugoslavia’ nga Pajtim Statovci. Do t`i rikthehem dikur që ta zvogëloj dozën e zhgënjimit, e cila ashtu kështu mbetet e vogël. 


Libri që ju ka befasuar 

Librat e Michel Houellebecq, të gjithë. Jo që më befasojnë, sepse e di që Houellebecq është mjeshtër, por shtangem prej kërcimeve letrare dhe kthesave që librat e tij marrin, me kalimin e faqeve gjatë leximit. Po e përmendi këtu ‘Serotonina’ dhe ‘Nënshtrimi’, por edhe librat tjerë të tij janë të mrekullueshëm. 


Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë 

‘Turpi’ nga J.M. Coetzee, por edhe të gjithë librat që po i përmendi në këto përgjigje. Shtoja këtu ‘Mami, unë dhe mami’ nga Maya Angelou.


Libri i fundit

‘Conversations with friends’ nga Sally Rooney. Jam duke e lexuar. është një libër fantastik, me një narracion të qetësuar e jo të ngarkuar, mbi shoqëritë, seksin, poezinë, lidhjet e çuditshme të dashurisë, jetën e shkarravitur./Gazeta Express