Erotimatologio / Andreas Dushi - Gazeta Express
string(28) "erotimatologio-andreas-dushi"

Erotimatologio / Andreas Dushi

Arte

Gazeta Express

29/07/2022 17:46

Andreas Dushi lindi në Shkodër, më 10 shtator 1999. Ka botuar dy romane, “Marrja e gjakut” dhe “Pragu i braktisjes”; është pjesë e disa antologjive brenda e jashtë vendit në gjuhë të ndryshme si dhe pjesëmarrës në disa festivale e panaire kombëtare e ndërkombëtare. Aktualisht, është redaktor i gazetës letrare “ExLibris” si dhe bibliotekar pranë Bibliotekës Kombëtare së Shqipërisë

Libri i parë

Lexo Edhe:

Heh, s’di të them. Por, duke gjurmuar të shkuarën me llupën e së tashmes, teksa hedh dritë mbi mënyrat sesi formimi im ka ndodhur, besoj se libri i parë është “Princi i vogël”. Ilustrimet e tij, si tatuazh më mbushin krahun e majtë, atë të zemrës, jo pse këtë libër e kam në zemër, çka sigurisht që është e vërtetë, por më tepër pasi zemra ime është sot e këtillë sidomos për shkak të këtij libri. Edhe pse jam i ri, sa herë rilexoj “Princin e vogël”, dhe ndodh goxha shpesh, i them vetes sa bukur do të ishte sikur ky libër të jetë dhe i pari, dhe i fundit.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Ka disa, por sëfundmi, kjo ndjesi më shoqëroi gjatë leximit të “Dublineska”. “Dreqin,” thoja me vete, “Pse i ka vajtur mendja këtij… para meje këtu?!”

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Në globalizëm, letërsia shoh se po zhvishet gjithnjë e më shumë nga tipare dalluese – identitare kombëtare. Por sërish, po detyrohem ta ndaj në letërsi shqipe dhe të huaj. Nga shqipja, pa dyshim “Ameba” të Rigel Rizajt, prurje e re dhe krejt e veçantë stilistikore në prozën shqipe. Nga e huaja, “Crossed bunny”, Bora Chung. Por jo menjëherë tani, lexuesi le të presë dhe pak se, mesa di, do të vijë në shqip shumë shpejt.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Në faza të ndryshme, dy libra të ndryshëm: “Krim dhe ndëshkim”, 15 vjeç dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies”, 20 vjeç. Prandaj, po e pres me ankth 25 vjetorin…

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Do të doja të thoja “Uliksin” e Joyces, që vërtetë s’e kam lexuar, por këtë thonë të gjithë. Prandaj, po jap ca të tjerë nga një listë jo fort e shkurtër: “Tre musketjerët”, “Të mjerët”, “David Koperfild”, “Një tragjedi amerikane”… etj… etj…

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

S’di të them. Pjesën më të madhe e librave që përfliten sot, prandaj refuzoj t’i lexoj. Kthimi i librit në mall, në produkt tregtar, me patjetër të tillë rezultat kishte me sjellë. Prandaj, e ruaj veten nga zhgënjimi prej Callin Hooveerave me shokët e shoqet e saja tik-tokësa. Ndërsa, nga ato që vërtet çmohen si të veçantë, do të ndalesha te nobelisti Peter Handke. Gjithë librat që i kanë ardhur në shqip, ia kam lexuar dhe jam ndier keq me veten si dhe i indinjuar me akademinë. Apo “Të vrasësh zogun përqeshës”. E kam lexuar me vështirësi të madhe, më në fund, pas dhjetëra tentativave të pasuksesshme. Njëlloj edhe me librat e Remarkut…

Libri që ju ka befasuar

Fillova te lexoj pak mosbesues, por kur e mbarova, i thashë vetes se po mos ta kisha marrë si nisëm atë lexim, do të isha më i zbrazët. E kam fjalën për “Prishtina” të Mehmet Krajës. Ndërsa “Liria ime” e botuar 4 vjet më pas s’ishte më befasi, por diçka e pritshme.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Patjetër, të gjithë librave për të cilët shkruaj në “ExLibris” apo autorët e të cilëve i intervistoj. Përpos “Pedro Paramon” e Rulfosë, “100 vjet vetmi” të Marquezit, “Aleph” të Borghesit dhe sigurisht, e thashë qysh në përgjigjen e parë, “Princi i vogël”.

Libri i fundit

“Heaven”, Mieko Kawakami, tekst që po e përkthej dhe do të botohet brenda këtij viti. Ka diku një muaj që më ka bërë të tërin për vete, prandaj s’kam lexuar gjë tjetër.

/Gazeta Express