Erotika e violinçelës nga Ballkani në Down Town, në Chicago - Gazeta Express
string(58) "erotika-e-violinceles-nga-ballkani-ne-down-town-ne-chicago"

OP/ED

Gazeta Express

21/06/2025 15:45

Erotika e violinçelës nga Ballkani në Down Town, në Chicago

OP/ED

Gazeta Express

21/06/2025 15:45

Ishte emocionuese – një vi olinçelë që këndonte, rinore, vallëzuese plot pasion dhe elegancë, mbresëlënëse për shumë gjatë – me dritat dhe ngjyrat marramendëse të skenës… Në “Chicago Theatre” violinçeslisti kroat Stjepan Hauser, i njohur botërisht me emrin Hauser dha një koncert. Është nga Ballkani, thashë, kroatët janë dhe ilirë… duhet parë, më tha ime shoqe, Eda, dhe porositi dy bileta, herët…

Më pëlqejnë radhët e gjata para teatrit, ashtu si në muzeume, në librari… Janë dhe si e kundërta e radhëve të dikurshme në atdhe për të blerë bukën a qumështin, a copën mujore të mishit, është sfida e mrekullueshme dhe… dhe… për mua është edhe hakmarrja ndaj rreshtave të trishta të të burgosurve, ku isha, kur na numëronin a na çonin në punën e detyruar në minierë… nga ajo errësirë në vezullimet e dritave të teatrit..

Po hynim në një tjetër botë, në atë të artit, ngjante më shumë me të ardhmen që ëndërronim. Ndërkaq “Chicago Theatre” është mbi njëshekullor, i ndërtuar në vitin 1921, kur në këtë kohë atdheu ishte bërë skena e rrezikshme e një copëtimi të ri dhe në qytetin e rinisë time të parë, në sarajet që i ngjanin ngrehinës së një teatri, ishte mbledhur ai, që në histori quhet “Kongresi i Lushnjës” për të shpëtuar vendin. Jetike ishte mbështetja e SHBA…. Po unë po shkoja në koncert, dreqi e marrtë dhe jo në konferencë me historianë…

Me turmave të bukura në “Chicago Theatre” do të kishte edhe shqiptarë, patjetër, i takuam nën ata shandanët e mëdhenj si planete. Ngazëllyese e gjitha, me një lloj estetike mallëngjimi, jo vetëm prej largësisë… Ky teatër ka parë artistë të mëdhenj, por rrallë skena e tij është bërë “kaq trupore dhe kaq shpirtërore”, – po thoshin… Po dhe unë si ballkanas në Chicago do të doja të thosha diçka

Një koncert fantastik… si një poemë, dramë, mall… ishte si një natë dashurie…

Hauser nuk dha thjesht tinguj, por ndjesi. Ai e bëri muzikën të ndizet si zjarr dhe të përkëdhelë si puhi. Nuk mbaroi me duartrokitjet, por vazhdoi si dridhërimë melodioze dhe në ditët më pas. Hauser e bëri violinçelin e tij të vallëzojë si vetë muzika në telat e violonçelës, por edhe në sytë dhe gjestet e spektatorëve. Ai jo vetëm interpretoi, por bëri dashuri me violinçelën e tij, në sytë e një publiku që nuk u skandalizua, por u rrëmbye në ekstazë. Në sfond qëndronte një orkestër e gjallë, që shumëfishonte emocionin e çdo fraze muzikore të violinçelit. Kishte edhe një këngëtare të njohur, soprania australianoamerikane, Amy Manford, zëri i së cilës e bëri skenën të kumbojë si kambanë dhe ajo që njihet si “violinistja e yjeve”, amerikania, Caroline Campbell, që hyri në dialog me violinçelin. Në qendër të gjithë universit skenik ishte violinçela dhe Hauseri i saj. E merrte midis këmbëve jo si vegël muzikore, por si një grua. E përkëdhelur nga gishtat virtuozë dhe harku që herë rrëshqiste butë, si zgjatim i ethëruar i dorës dhe herë godiste me pasion të vërtetë erotik.

Meloditë vërshonin si psherëtimë, si ofshamë, si klithmë, si thirrje, si këngë – ku çdo tingull ishte një puthje, bëheshin përqafim, shpërthim ndjenjash. Dhe kur ai u shtri mbi skenë, me violinçelën sipër dukej sikur bota kishte ndryshuar gravitetin dhe ishte nënshtruar ndjeshmërisë përmbysëse të trupit artistik. Dritat që shoqëronin shfaqjen nuk ishin thjesht inxhinieri ndriçimi, ashtu herë të zbehta si vegimet, pastaj të fuqishme si flakadanë të pasionit, shpërthyese si një festë krijuan vallëzim dritash në harmoni me gjuhën e trupit muzikor. Ngjyrat ndërronin nga bluja melankolike tek e kuqja e dashurisë, e blerta pranverore, e verdha e mesditave, përsipër harku i violonçelit, që zhbënte ndarje mes skenës dhe sallës. Publiku u bë pjesë e spektaklit magjepsës. Po këndonte së bashku me violinçelën nën një dihatje të përbashkët këngë të njohura, klasike, italiane, amerikane, botërore. Dukej sikur çdo njeri në sallë mbante brenda vetes një violinçelë të padukshme, që dridhej në harmoni me shpirtin e Hauserit. Bir i Ballkanit, jo larg Shqipërisë sime, po thosha prapë me vete.

Rrënjët kroate që zgjaten si kordat e violinçelit e shkojnë thellë në Ilirinë tonë, përzihen… një afërsi që nuk është vetëm gjeografike, por edhe shpirtërore. Vijmë nga ai truall i ndjeshëm e i pasionuar që ka lindur dhimbje dhe yje, tragjedi dhe artistë të shndritshëm. Me gjak të lashtë dhe frymë moderne, Hauseri është një prej tyre – një zë që flet gjuhën e përjetshme të shpirtit me muzikë. Lexoj që është formuar në akademitë më të mira evropiane, përfshirë Royal Academy of Music në Londër, ai ka shpërthyer skenave ndërkombëtare fillimisht si pjesë e duetit “2Cellos”, sot si artist solo, me një identitet që tejkalon kufijtë e muzikës klasike, duke thyer skemat e zakonshme të interpretimit dhe i ka dhënë violinçelës jo vetëm një zë të tijin, por dhe një trup identitar. Çfarë e bëri të papërsëritshme atë mbrëmje? Po edhe marrëdhënia trupore me violinçelën, që s’ishte më një instrument, por një grua, një dashuri, një jetë. Ai përdori atë për të prodhuar muzikë, por edhe muzikën për ta prekur atë. Dhe ajo kumboi…

Ai nuk “luan”, ai jeton me violinçelën. Chicagos – një qytet që di të dëgjojë dhe të duartrokasë artin, ai i ofroi më shumë se një performancë klasike, por një ritual sensualiteti muzikor. Herë e ngrinte harkun si dirigjent që komandon orkestrën, herë si një shpatë, ku mundeshin të gjitha heshtjet. Violinçeli i Hauserit është dashuri, duel, përqafim, lutje dhe zjarr. Dhe magjia e tij, në Chicago apo kudo tjetër, shënjon një arritje që arrin kufijtë e legjendës. Duartrokitjet shpërthenin si një liri kolektive, të gjithë ndjenin se kishin përjetuar jo thjesht një koncert, por një jetë, një bashkim dhe shkrirje të vetes me artin, në një padukshmëri mrekullie, një epifani ndjenje, një muzikë që prek njeriun atje ku asgjë tjetër nuk mund të arrijë. Duhet të ishe ti këtu, bir, – mërmërisja si një violinçel i mallëngjyer. Dhe s’kisha aspak druajtjen se mund të të shikonin lotët, ku xixëllonin shandanë ëndrrash.

/Gazeta Panorama