Erling Haaland ka bërë një blerje luksoze, duke marrë një makinë jashtëzakonisht të rrallë, prej së cilës ka vetëm 150 ekzemplarë në botë. Sulmuesi i Manchester City njihet për thjeshtësinë e tij, edhe pse është lojtari më i paguar në Premierligë dhe golashënuesi kryesor i kampionatit.
Megjithatë, Haaland nuk ka asnjë problem të shpërblejë veten me artikuj luksi, dhe blerja e tij më e fundit është një makinë me edicion të kufizuar.
Sipas “The Sun”, ai ka blerë një Maybach Virgil Abloh, e cila mban emrin e dizajnerit të njohur të modës dhe gjeniut kreativ, Virgil Abloh, i cili kontribuoi në krijimin e makinës.
Kjo makinë e klasit S ka një kombinim ngjyrash me dy tone: e zeza obsidiane në gjysmën e sipërme dhe një ngjyrë rëre në pjesën e poshtme të krahëve dhe felgjeve.
Trashëgimia e Abloh, i cili ka qenë drejtor artistik i “Louis Vuitton” dhe themelues i “Off-White”, jeton përmes kësaj makine, edhe pas vdekjes së tij nga kanceri në moshën 41-vjeçare në 2021.
🚨 𝗥𝗘𝗣𝗢𝗥𝗧𝗦: Erling Haaland has purchased a £400,000 ultra-rare Mercedes. 🏎️
— City HQ (@City_hq) March 30, 2026
The limited edition Maybach Virgil Abloh is one of just 150 models, and was produced in co-operation with the late Louis Vuitton artistic director. 🌟
📰 via @TheSunFootball pic.twitter.com/usYU2z4nwN
Logoja e tij shihet kudo në makinë, përfshirë në konsolën qendrore, jastëkët e pasmë dhe mbështetësit e kokës.
Në ndërfaqen dixhitale ka një buton “home” me logon e markës për të theksuar edicionin e kufizuar. Motori i saj V12 biturbo 6.0L me dy turbina arrin shpejtësinë maksimale 155 mph dhe mund të shpejtojë nga 0-60 mph në 4.5 sekonda.
Sipas raportit, Haaland është parë duke vozitur këtë makinë koleksioniste në Alderley Edge, Cheshire.
Vlera e saj thuhet se është rreth 400,000 £, duke u shtuar koleksionit të tij të makinave superluksoze. Ai gjithashtu ka një Porsche 911 GT3 prej 160,000 £, një Aston Martin DBX 707 prej 350,000 £ dhe një Rolls-Royce Cullinan prej 300,000 £.
Gjithashtu, Haaland ka vozitur një Range Rover Sport, një Audi RS6 Avant Performance dhe një Bugatti Tourbillon.
Në një intervistë të thelluar për “TIME”, Haaland tregoi se i pëlqejnë kamionët klasikë amerikanë, duke thënë: “Shiko atë. Kjo është një makinë e jashtëzakonshme. Do të shkoj dhe do të kërkoj një foto me të”.
Në të njëjtën intervistë, ai e përshkroi Tesla Cybertruck si “shumë të çuditshme” pasi e pa në Florida Jugore gjatë Kupës së Botës për Klube.
Haaland pritet të kthehet në aksion të shtunën, kur City do të presë Liverpoolin në çerekfinalen e FA Cup në “Etihad”./GazetaExpress/