Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosova, duke e cilësuar 17 Shkurtin si një datë me domethënie të veçantë për kombin shqiptar.
Në mesazhin e tij, Veliaj thekson se 17 Shkurti është një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, qëndresë dhe besim.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet”, shprehet ai.
Veliaj u ndal gjithashtu edhe te luftëtarët e UÇK-së që kontribuuan në çlirimin e vendit, ku shprehu shpresën që procesi gjyqësor ndaj tyre të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e tyre pranë familjeve.
“E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës”, thekson Veliaj.
“Gëzuar Kosovë, qofsh gjithmonë e lirë!”, uron Veliaj.