Pas largimit nga Manchester United, Erik ten Hag ka gjetur menjëherë destinacionin e ri në elitën e futbollit europian. Trajneri holandez është zgjedhur nga Bayer Leverkusen për të zëvendësuar Xabi Alonson, i cili pritet të marrë drejtimin e Real Madridit në javët e ardhshme.
Vendimi i kampionëve të Bundesligës nuk ka qenë surprizë në ambientet e futbollit europian, pasi ishte e pritshme që Ten Hag do të përfshihej në një projekt të ri ambicioz, pas eksperiencës së tij me “Djajtë e Kuq”.
Leverkusen ka vendosur të besojë tek përvoja ndërkombëtare e Ten Hag, i cili do të firmosë për dy sezone. Objektivi i tij kryesor do të jetë ruajtja e nivelit të lartë konkurrues që u ndërtua gjatë periudhës së Alonsos. Me një skuadër të pjekur dhe të konsoliduar, Ten Hag pritet të vazhdojë filozofinë ofensive që ka sjellë rezultate të shkëlqyera muajt e fundit.
Profili i tij taktik dhe aftësia për të menaxhuar lojtarë të rinj kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e klubit gjerman. Leverkusen ka besim të plotë se trajneri i ri mund të sjellë vazhdimësi dhe të ruajë suksesin historik të sezonit që sapo u mbyll.
Marrëveshja tashmë është finalizuar dhe pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, sapo Xabi Alonso të konfirmojë largimin e tij. Klubi gjerman beson se kalimi do të jetë i qetë dhe se Ten Hag mund të nisë menjëherë planifikimin për sezonin e ardhshëm.
Me këtë emërim, trajneri holandez rikthehet në elitën e futbollit kontinental me një sfidë të re dhe ambicioze përpara./GazetaExpress/