Lajm i jashtëzakonshëm: Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, brenda hapësirës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot inauguroi sheshin “Erhard Busek”, për të nderuar mikun që e njohu, e mbështeti fuqishëm dhe e ndërkombëtarizoi pavarësinë e Kosovës, në një kohë kur Republika e Kosovës, në vitet 1990, ishte shpallur si ide, ishte artikuluar si vullnet politik dhe ishte bërë kauzë e shenjtë e shqiptarëve të Kosovës. Që nga ajo kohë, filloi miqësia e Dr. Erhard Busekut me Kosovën, duke u bërë kauzë e tij personale.
Shkruan: Enver Hoxhaj
Kur regjimi i errët serb i Millosheviqit dhe sistemi i tij i apartheidit mbyllën Universitetin e Prishtinës, Erhard Busek, si Ministër i Arsimit dhe Zëvendëskancelar i Austrisë, u bë vendimtar që Austria si vendi i parë evropian të pranojë dokumentet shkollore dhe universitare të sistemit paralel të Kosovës dhe mundësoi pranimin e studentëve shqiptarë të cilëve regjimi serb ua kishte ndaluar shkollimin në Kosovë. Në fakt kjo simbolizonte njohjen e parë thelbësore të institucioneve të Republikës sonë në atë kohë. Gjatë viteve 1990, Busek ishte ndër adresat e para politike për shqiptarët e Kosovës në Austri.
Bashkëpunimin tim me të e fillova në vitin 1994 kur edhe e takova për herë të parë. Më pas u takuam rregullisht dhe bashkëpunuam ngushtë me të, me Albert Rohan, me Wolfgang Petritsch, me Hannes Swoboda e shumë miq të tjerë në mbështetje të Kosovës.
Duke i takuar traditës politike austriake e cila shqiptarët në Ballkan i sheh si aleatë historikë, ishte pikërisht Erhard Busek ai që mbështeti fuqishëm çlirimin, pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës, jo vetëm në Austri, por kudo në Evropë, si një nga mbështetësit më të artikuluar intelektualisht dhe me pasionin më të veçantë politik. Duke e parë veten si vazhdimësi e mbështetjes së Austrisë për pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, Dr. Busek, pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, e sidomos gjatë procesit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës dhe gjatë negociatave në Vjenë të Austrisë nën udhëheqjen e OKB-së, u bë një nga zërat më të fuqishëm perëndimorë për pavarësinë e Kosovës.
Duke qenë një nga adresat e para politike për shqiptarët e Kosovës në Austri dhe në Evropë, kam pasur fatin ta takoj, të bashkëpunoj dhe ta kem ndër mentorët më të mirë politikë për më shumë se tri dekada. Sot, me inaugurimin e sheshit brenda hapësirës së Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, u vendos një gur tjetër i rëndësishëm i vazhdimësisë së miqësisë austriako-shqiptare, vazhdimësi e miqësisë së vendosur qysh para tre shekujve nga rilindasi i madh shqiptar dhe evropian, Pjetër Bogdani me aleatët e tij habsburgas.