Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se së shpejti mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara dhe shpreson të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Anadolu Agency, Erdogan ka folur me gazetarët për një sërë çështjesh të politikës së jashtme, përfshirë Sirinë dhe luftën në Gaza.
Bëhet e ditur se ai ka mirëpritur hapat ndërkombëtarë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, duke e quajtur “një hap thelbësor drejt stabilitetit” në vendin e shkatërruar nga lufta dhe duke shtuar se kjo reflekton suksesin e “diplomacisë konstruktive” të Turqisë.
Ndërkohë, sa i përket luftës në Gaza, Erdogan ka deklaruar se Izraeli po bëhet gjithnjë e më i izoluar në arenën ndërkombëtare për shkak të veprimeve të tij dhe ka vënë në dukje një “zgjim në rritje” në Evropë kundër veprimeve izraelite – edhe pse e pranoi se kjo ka ndodhur me vonesë.
“Historia do t’i kërkojë llogari atyre që dështojnë në testin e Gazës. Turqia ka qëndruar në anën e njerëzimit dhe dinjitetit njerëzor dhe do të vazhdojë të qëndrojë,” është shprehur ai.
Ai tutje e ka përshkruar situatën në Gaza si “më shumë se një katastrofë humanitare”, duke e quajtur “një provë të sinqeritetit të sistemit ndërkombëtar”, ndërsa ka thënë se institucionet perëndimore “kanë dështuar në këtë provë.”
Kujtojmë se Izraeli ka refuzuar vazhdimisht thirrjet ndërkombëtare për armëpushim dhe ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga tetori 2023, e cila ka lënë pothuajse 53,700 palestinezë të vrarë, shumica gra dhe fëmijë.