Dokumentet e reja zbulojnë kontaktet e Epsteinit me ish-zyrtar rus dhe përpjekjet për lidhje me Kremlinin
Jeffrey Epstein në vitin 2015 kishte kërkuar ndihmën e një ish-zyrtari rus me lidhje në strukturat e inteligjencës së Moskës për të mbledhur informacione mbi një grua që, sipas tij, po përpiqej të shantazhonte partnerët e tij të biznesit. Kjo bëhet e ditur nga dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Sipas dosjeve të njohura si “Dosjet e Epsteinit”, ai i ishte drejtuar Sergej Beljakovit, ish-zëvendësministër rus i Zhvillimit Ekonomik dhe diplomuar në Akademinë e FSB-së, duke kërkuar këshilla lidhur me një rast të dyshuar zhvatjeje nga një shtetase ruse, e cila kishte qëndruar në hotelin “Four Seasons” në Nju Jork.
“Nuk është e mirë për biznesin e askujt”, kishte shkruar Epstein në një email të korrikut 2015, duke kërkuar sugjerime për zgjidhjen e situatës.
Beljakov i ishte përgjigjur se do të mblidhte informacione për të dhe pak ditë më vonë i kishte dërguar një përshkrim të shkurtër të së kaluarës së saj, duke përmendur përfshirjen e pretenduar në “biznes seksual dhe eskortë”. Ai kishte theksuar se, sipas informacioneve të disponueshme, ajo nuk kishte mbështetje politike apo biznesore dhe sugjeroi se ndalimi i hyrjes së saj në SHBA do të ishte një kërcënim serioz për aktivitetin e saj.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se pas largimit nga Kremlini në vitin 2014, Beljakov kishte përdorur lidhjet e Epsteinit për të krijuar kontakte me biznesmenë të fuqishëm amerikanë. Ai kishte kërkuar ndihmë për të organizuar takime me investitorin Peter Thiel dhe biznesmenin Thomas Pritzker. Pas ndërmjetësimit të Epsteinit, Thiel kishte shprehur gatishmëri për një takim në San Francisko.
Në vitin 2016, Beljakov i kishte kërkuar Epsteinit mendim për disa propozime që planifikonte t’ua paraqiste liderëve të biznesit amerikan. Epstein e kishte mbështetur idenë, por i kishte sugjeruar të angazhonte një redaktor të mirë anglishtfolës.
Sipas dokumenteve, Epstein kishte tentuar gjithashtu të organizonte takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, por nuk ka prova që këto përpjekje të kenë pasur sukses.
Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjykimin për akuza për trafikim seksual, për vite me radhë ka qenë objekt spekulimesh lidhur me lidhje të mundshme me shërbime të ndryshme inteligjence. Ai kishte pasur marrëdhënie të afërta edhe me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë hedhin dritë mbi rrjetin ndërkombëtar të kontakteve të Epsteinit, por nuk japin përgjigje përfundimtare mbi natyrën dhe shtrirjen e këtyre lidhjeve.