Shkruan Ibrahim Berisha: Epoka e folkpolitikës - Gazeta Express
string(21) "epoka-e-folkpolitikes"

Shkruan Ibrahim Berisha: Epoka e folkpolitikës

Gazeta Express

11/10/2020 12:46

Folkpolitika, është mjeti, i cili përdoret gjerësisht edhe sot në Kosovë. Praktika e liderëve politikë për të improvizuar, romantizuar dhe ndërtuar zgjidhje politike jo të duhura për problemet aktuale, thekson mungesën e përgatitjes së  për t’u ndeshur me sfidat e sotme të zhvillimit dhe perspektivës.

Ibrahim Berisha

Lexo Edhe:

Folkpolitika, është mjeti, i cili përdoret gjerësisht edhe sot në Kosovë. Praktika e liderëve politikë për të improvizuar, romantizuar dhe ndërtuar zgjidhje politike jo të duhura për problemet aktuale, thekson mungesën e përgatitjes së  për t’u ndeshur me sfidat e sotme të zhvillimit dhe perspektivës.

Ka mënyra të ndryshme se si përcaktohet kujtesa kolektive e një grupi të caktuar. Grupet krijojnë një kujtesë shoqërore, përmes akteve të kujtimit, qofshin ato memoriale-monumentale, rituale performuese, shkrimore apo rrëfimore. Meqë pak dihet si dhe kujtohet për përvojat koloniale ndaj shqiptarëve, do të ishte mirë, krahas plotësimit të arkivit, të mblidheshin rrëfime dhe histori personale të individëve të dorës së parë, të cilat kanë përjetuar përvoja të hidhura.

E mira e së mirës do të ishte që historia të shkruhej drejtë, dhe në bazë të përvojave të njerëzve të prekur nga këto procese të imponuara. Të merren parasysh, sidomos historitë e grupeve, të cilat në librat e historisë janë të heshtura.

Në libra shkollorë të historisë, po edhe në shkenca sociale dhe albanologjike, ende ka një koncentrim ekstrem rrëfimi për figura indivduale dhe triumfe fiktive, ndërsa viktimat dhe grupet që kanë bartur ngjarje reale dhe kanë pësuar, mbesin në hije.

Fëmijët dhe të rinjtë nuk dinë shumë për gjithë këto ndodhi. Kulti i individit, protagonizmi, mitizimi, glorifikimi, folkromantizmi, është mënyra me dominuese se si në shkollat e historisë edhe në Kosovë, sikur në Ballkan, tregohet e kaluara. Tregimet janë lineare dhe pa përfshirë shumëdimensionalitetin e një ngjarjeje, kohe, personaliteti.

Duhet pasur parasysh se historia, por edhe e kaluara në tërësi, është e shumëfishtë, dhe jo e njësishme. Grupet e ndryshme kanë përjetime dhe përvoja të ndryshme dhe ato është e nevojshme të shkruhen dhe analizohen siç kanë qenë pa retushime politike, ideologjike, fetare, veçmas komerciale.

Në Serbi është artikular si diskurs zyrtar me ndihmën e politikës, të sistemit të  arsimit në të gjitha shkallët, paraqitja e serbëve si vikitimë e përhershme karshi popujve fqinjë të Ballkanit. Ky diskurs është shndërruar edhe në politikë zyrtare shtetërore, e cila sistematikisht ka ndihmuar në krijimin dhe përfitmin po edhe për të arsyetuar konfliktet. Ndërkohë, kjo qasje edhe sot, bëhet pengesë për pranimin e agresioneve dhe hapjen e një procesi të një pajtimi të gjerë rajonal.

Serbët po  ikin për t’u ballafaquar me të kaluarën. As kërkimfalja nuk ka ndodhur, nuk ka pendesë as pranim të përgjegjësisë. Madje, nuk ka as dënime përkatëse. Siç kemi parë, vërehet tendenca për të fshehur krimet dhe kjo shihet qartë me  atë që ndodhi edhe me të zhdukurit dhe varrezat masive. Aq më keq që heshtja po sundon edhe te një pjesë e kometencës ndërkombëtare.

Është e vështirë të mendohet e ardhme e qetë nëse vazhdohet të punohet për të krijuar një interpretim shkollor dhe memorizues nacional, duke përdour të gjithë mekanizmat diplomatikë, intelektlualë dhe politikë, për të akuzuar shqiptarët edhe interpretuar të kaluarën sipas nevojave  shtetërore hegjemoniste.

Është paradoksale, duke u thirrur gjithmonë në të ardhmen, të përdoren qëllime, metoda dhe elemente të dukshme të së kaluarës. Synohet kthimi në gjendjen e mëparshme.

Është dëshirë që njohja e Kosovës nga Serbia  të ndodhë. Por është e vështirë për të besuar se kjo do të ndodhë. Në këtë moment, është vështirë e mundshme që institucionet kosovare të vijnë me idenë se nuk mund të jetohet pa njohjen e Serbisë. Por, sidoqoftë qasja e institucioneve kosovare ndaj atyre serbe duhet të jetë insistuese për të vënë në pah faktin se nuk është faji i shteteve as popujve tjerë të Ballkanit, për qorrsokakun në të cilin e ka futur politika serbe popullin serb, veçmas që prej viteve 80-të. Nëse institucionet kosovare pajtohen që në Bruksel e Uashington me palën serbe të mos diskutojnë për të zhdukurit shqiptarë në këtë moment, meqë i shërbeka normalizimit dhe pajtimit, mund të cilësohet si largpamësi, por nëse kjo gjë bëhet për të ndërtuar një histori të re paqeje pa substancë, është naivitet. Dhe kjo vlen për qasjen e përgjithshme në dialog me Serbinë, madje jo vetëm aty.

Pothuajse asnjë marrëveshje e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë nuk është realizuar plotësisht. Është përshtypja sikur po diskutohet ndërmjet patronit dhe skllavit; të japë atë që dua dhe ti nuk merr atë që do. Është një fitim kohe për nacionalizmin serb, për të pritur ndryshimin e politikave në Ballkan dhe më gjerë që të rikthehet në binarët e kahershëm të presioneve të zakonshme ndaj popujve dhe vendeve fqinje.

Folkpolitika, është mjeti, i cili përdoret gjerësisht edhe sot në Kosovë. Praktika e liderëve politikë për të improvizuar, romantizuar dhe ndërtuar zgjidhje politike jo të duhura për problemet aktuale, thekson mungesën e përgatitjes së duhur për t’u ndeshur me sfidat e sotme të zhvillimet dhe perspektivës. Kjo vërehet në ekonomi, arsim, kulturë dhe kudo, dhe politikat neglizhente folklorike shkaktojnë revoltë tek qytetarët, veçmas tek të rinjtë.  Perspektiva e tyre, edhe kur ata janë të arsimur nga këto politika, është e pasigurtë. Për këtë arsye, kërkojnë siguri dhe vetrealizim profesional dhe njerëzor për të ardhmen. Një pjesë madje, në mungesë të mundësive për t’i takuar pritshmëritë shoqërore dhe kulturore, dhe për të marrë përgjegjësitë që priten dhe u përkasin atyre, aktin e vetrealzimit e gjejnë kryesisht duke ikur jashtë.