Epistula e javës / Wagner për Liszt-in - Gazeta Express
string(36) "epistula-e-javes-wagner-per-liszt-in"

Arte

Gazeta Express

23/09/2022 16:08

Epistula e javës / Wagner për Liszt-in

Arte

Gazeta Express

23/09/2022 16:08

Ka rreth 360 letra të këmbyera mes dy prej kompozitorëve më të mëdhenj, mes viteve 1841 – 1852.

Letra e gjashtëdhjetenëntë

Lexo Edhe:

Për sot vetëm disa rreshta falënderimi për letrën tënde të fundit, e cila më solli një gëzim që s’e shpreh dot me fjalë. Ua tregova të gjithë të afërmeve duke iu thënë: shikoni çfarë miku kam!

Aprovimi i plotë dhe i sinqertë me të cilin e mirëpret projektin tim të ri ma konfirmon plotësisht ndjesinë se kam vepruar drejt. Të jem i kuptuar përsëri prej teje, në rrethanat e tanishme, në një ndërmarrje që i shkatërron dëshirat e tua, nuk do të mund të kuptohej nga askush (dhe që, për shkak të guximit të pamasë, i avitet marrëzisë), përveç se nga ai që e krijon me vrull intim – kjo, i dashuri im Liszt, më bën aq të lumtur sikurse ndërmarrja ime të kishte dalë tashmë me sukses.

Të lutem ta falënderosh përzemërsisht edhe z.Zigesar për mënyrën shumë të këndshme si e ka përqafuar aktin tim të besimit, të cilit i është përgjigjur. Ai më bën gjithnjë e më borxhli dhe s’dua tjetër veçse të mund t’ia demonstroj mirënjohjen time. Sa më përket mua, tash po pushoj pak pas mërzisë së madhe që ma ka shkaktuar kurimi. Këtë dimër do të punoj shumë dhe do ta skicoj tërë poemën time në mënyrë që në fillim të verës ta përfundoj.

Si mund ta më mendosh se unë ta kam nisur “Siegfrid”-in tim vetëm për ta shikuar? Kopjen që e ke në duar e kam bërë vetëm për ty dhe të lutem ta pranosh edhe pse nuk është e shkruar mjaftueshëm mirë. Në kompensim të lutem për një gjë: nisma si dhuratë të Krishtlindjeve medaljonin tënd! Doja të ta kërkoja prej ca kohësh; po tash, pasi që kam jetuar kohë të gjatë si ikanak, jam akomoduar në një shtëpizë të vogël, por të këndshme, ku ti nuk figuron në asnjë formë mes të të përvuajturve. Ke ndonjë portret të mirë? Atëherë të lutem të ma japësh edhe atë. S’ke pse të turpërohesh të jesh i varur në muret e mia! Deri më tani, përveç incizimit të Nibelungëve të Corneliusit, kisha vetëm Beethoven-in.  

Vepra dhe Drama është publikuar para pak kohësh. Nuk e dije? Tri poemat dramatike të lidhura në një vend me udhëzimet e miqve të mi si parathënie, do të botohen në fund të këtij viti, bashkë me partiturën e “Lohengrinit”, për piano. Botuesi është afër teje se sa meje. Vë bast se parathënia do të të interesojë shumë. E kam ndryshuar pakëz përmbylljen, por kam lënë të paprekur atë që ka të bëjë me Weimarin.

Mirupafshim, i dashur, dhe më shkruaj sa më shpejt.

Yti, Richard Wagner,

Cyrih, 14 dhjetor 1951.

Marrë nga Epistolario Wagner – Liszt, Passigli Editori, 1983

/Përkthimi Gazeta Express