string(66) "epistula-e-javes-tiziano-terzani-leter-nga-orsigna-14-shtator-2001"

Arte

Gazeta Express

20/01/2023 17:07

Epistula e javës / Tiziano Terzani: Letër nga Orsigna – 14 shtator 2001

Arte

Gazeta Express

20/01/2023 17:07

Tiziano Terzani (1938 – 2004), shkrimtar dhe gazetar italian. Në të vërtetë, gjatë aktivitetit të tij si gazetar nuk qe edhe aq i njohur, duke qenë se punonte kryesisht për një periodik gjerman, Der Spiegel (por edhe për javoren italiane L’Espresso). Sidoqoftë, tashmë ai njihet si një prej shkrimtarëve të më mëdhenj italianë të udhëtimit, kronist i pasionuar, hulumtues entuziast i së vërtetës së ndodhive dhe protagonistëve dhe njerëzve shokë të udhëtimeve të tij. Një mendje lucide, progresiste dhe paqësore. Më 2010 regjisori Jo Baier ka realizuar filmin sipas librit të tij ‘Fundi është fillimi im’, me Bruno Ganz në rolin e autorit.

Orsigna, 14 shtator 2001

(Novalisit, tim nipi, që ta zgjedhë paqen)

Bota nuk është më ajo që e njihnim, jetët tona përfundimisht kanë ndryshuar. Mbase ky është rasti të mendojmë ndryshe nga si kemi bërë deri më tash, rasti për ta risajuar të ardhmen dhe të mos e ribëjmë rrugën që na ka sjellë deri këtu ku jemi sot dhe nesër do të mund të na çonte në hiç. Kurrë si sot nuk ka qenë në lojë mbijetesa e njerëzimit.

Nuk ka asgjë më të rrezikshme në një lufta – e ne po hyjmë në një sish – se sa ta nënvlerësosh kundërshtarin tënd, ta injorosh logjikën e tij dhe, aq sa për t’ia mohuar çdo arsye të mundshme, ta përkufizosh “të çmendur”. Mirë pra, xhihadi islamik, ai rrjeti klandestin dhe ndërkombëtar që sot udhëhiqet nga sheiku Osama bin Laden-i dhe që, me shumë gjasë, ka pasur dorë në sulm-sfidën halucinante ndaj Shteteve të Bashkuara, vetëm fenomen “çmendurie” nuk është dhe, po deshëm ta gjejmë një rrugëdalje nga tuneli i lebetisë në të cilin kemi përfunduar, duhet ta kuptojmë me kë kemi të bëjmë dhe pse.

Asnjë gazetar perëndimor nuk ka arritur të kalojë shumë kohë me Bin Laden-in dhe ta vëzhgojë nga afër, por disa janë munduar t’iu aviten dhe t’i dëgjojnë njerëzit e tij. Mua më bëri vaki më 1995 t’i kaloja dy gjysmë dite në njërin prej kampeve të stërvitjes që e financonte ai në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit. Dola prej andej i lebetitur dhe tmerruar. Gjatë gjithë kohë në mesin e mullahëve, të rëndë e të buzëqeshur, dhe në mesin e shumë të rinjve me shikim të ftohtë dhe përçmues, isha ndier i shkalafitur, bartës i ndonjë ileti nga i cili s’isha ndier kurrë i prekur. Në sytë e tyre sëmundja ime ishte thjesht të qenët tim perëndimor, përfaqësues i një qytetërimi dekadent, materialist, shfrytëzues, të pandjeshëm ndaj vlerave universale të Islamit. E kisha ndier në lëkurë konfirmimin se, me rënien e murit të Berlinit dhe fundin e komunizmit, ideologjia e vetme ende e vendosur t’i kundërvihej Rendit të Ri që, me Amerikën në krye, premtonte paqen dhe proseperitetin në botën e globalizuar, ishte ai version fundamentalist dhe militant i Islamit. E kisha nuhatur për herë të parë duke udhëtuar në republikat myslimane të Azisë qendrore ish sovjetike, (kam shkruar për këtë në ‘Buona notte, signor Lenin’, Longanesi, Milano, 1992); e kisha ndier me të njëjtën saktësi duke i takuar luftëtarët anti-indian në Kashmir dhe duke e intervistuar njërin prej udhëheqësve të tyre shpirtëror që më përshëndeti duke ma dhuruar një kopje të Kuranit – e para e mija – që “të mësoja ndonjë gjë prej tij”.

Duke parë e duke riparë, i shtangur si të gjithë, pamjet e aeroplanëve që përplaseshin duke shkaktuar një kasaphane në qendër të Nju Jorkut, ashtu siç, në ditët e para, duke i lexuar lajmet e njerëzve-bomba palestinezë që e çonin veten në ajër duke korrur viktima rrugëve të Izraelit, më ktheheshin në mendje ata të rinjtë e nacionaliteteve të ndryshme, por të një besimi të vetëm të vendosur, që i kisha parë në atë kampin e stërvitjes: ishin njerëz të një planeti tjetër, të një kohe tjetër, njerëz që “besojnë” ashtu siç ne të tjerët kemi ditur të bëjmë në të kaluarën, por nuk dimë më, njerëz që e konsiderojnë flijimin e jetës së vet për një kauzë “të drejtë” si një gjë “të shenjtë”,.

Ata të rinj ishin të një brumi që ne e kemi zor ta marrim me mend: të indoktrinuar, të mësuar me një jetë krejt spartane, me ritmin e një rutine të rreptë ushtrimesh, studimi e lutjeje, një jetë krejtësisht disiplinë, pa gra para martesës, pa alkool, pa droga.

Për Bin Laden-in dhe njerëzit e tij, zanati i armëve nuk është zanat, është mision që ka rrënjët në besimin e fituar në errësinë e shkollave kuranike, por mbi të gjitha në kuptimin e thellë të debaklit dhe pafuqisë, në poshtërimin e një qytetërimi – atij mysliman – dikur të madh dhe të cilit ia kishin drojën, që tash e sheh veten gjithnjë e më të margjinalizuar dhe të fyer nga superfuqia dhe arroganca e Perëndimit.

Një problemi që qytetërime të ndryshme duhej t’i bënin ballë gjatë dy shekujve të kaluar. Atë poshtërim e ndien kinezët përballë “mjekrave të kuqe” të anglezëve që ua imponuan atyre tregun e opiumit, e provuan japonezët përballë “anijeve të zeza” të admiralit amerikan Perry, që donte ta bënte Japoninë të hapej ndaj tregtisë. Reagimi i parë qe ai i hutimit. Si mundje që qytetërimi i tyre, shumë më superior se ai i të huaj-pushtuesve, të vihej para murit dhe të bëhej aq i pafuqishëm? Kinezët kërkuan një zgjidhje mbi të gjitha me një rikthim në traditë (revolta e Boxer-ëve); kur dështoi ajo, duke e marrë rrugën e modernizimit fillimisht të stilit sovjetik dhe tash të atij perëndimor. Japonezët, qysh në fund të Tetëqindshit, e bënë këtë kapërcim përnjëherësh, duke e imituar me obsesion gjithë atë që ishte perëndimore, duke i kopjuar uniformat e ushtrive evropiane, arkitekturën e stacioneve tona dhe duke mësuar të vallëzonin valcerin.

Ky problemi si të mbijetosh në ballafaqim me Perëndimin, duke e ruajtur identitetin vetjak, natyrisht se është parashtruar gjatë shekullit të kaluar edhe nga myslimanët, e edhe për ta përgjigjet janë lëkundur mes strehimit te tradicionalja, si në rastin e Jemenit apo të wahabi-ve, dhe formave të ndryshme të perëndizimit: më e guximshmja dhe më radikalja ka qenë ajo e kryer në Turqi nga Kemal Ataturku, i cili, në vitet ’20, duke e rishkruar Kushtetutën, duke ua hequr velin grave, duke e zëvendësuar ligjin islamik me një kopje të kodit civil zviceran dhe një të atij penal italian, e vuri vendin e tij në rrugën që sot është duke e çuar Stambollin, pavarësisht ndonjë stepjeje, drejt Bashkimit Evropian.

Për fundamentalistët ky perëndizim i botës islamike është një anatemë dhe, kurrë si sot, ky proces e kërcënon identitetin e tij.

Sipas tyre, perëndimi, me fundin e Luftës së Ftohtë, i ka zbuluar kartat e tij dhe gjithnjë e më qartë po duket projekti – për ta “djallëzor” – për ta inkorporuar tërë njerëzimin në një sistem të vetëm global që, falë teknologjisë, i jep Perëndimit qasje dhe kontroll të të gjitha resurseve të botës, përfshirë ato që Krijuesi – jo rastësisht, sipas fundamentalistëve – i ka vënë në tokat ku është lindur dhe është përhapur Islami: nga nafta e Lindjes së Mesme te druri i pyjeve indoneziane.

Ky fenomen i globalizimit, ose thënë në më mirë i amerikanizimit, është zbuluar në gjerësinë e tij vetëm në dhjetë vitet e fundit. Saktësisht më 1991 Bin Laden-i, deri atëherë “protege” i amerikanëve (puna e tij e parë në Afganistan qe t’i ndërtonte, për CIA-n, bunkerët e mëdhenj nëntokësorë për stokimin e armëve të destinuara për muxhahedinët) revoltohet kundër Uashingtonit. Stacionimi i trupave amerikane në vendin e i tij, në Arabinë Saudite, para dhe gjatë luftës së Gjirit, iu duk një fyerje e padurueshme dhe një përdhunim i shenjtërisë së vendeve të shenjta të Islamit.

Pozicioni i Osama bin Laden-it u bë i qartë më 1996 kur e lëshoi deklaratën e tij të parë të luftës kundër Shteteve të Bashkuara: “Muret e shtypjes dhe poshtërimit nuk mund të rrëzohen veçse me një breshëri plumbash”. Askush nuk e mori shumë seriozisht.

Edhe më eksplicit qe shfaqja e organizatës së tij, Al Qaeda, e bërë i njohur më 1998 pas një takimi mes grupeve të ndryshme të lidhura me Bin Laden-in. “Që shtatë vjet Shtetet e Bashkuara i kanë okupuar tokat e Islamit në gadishullit arab, duke plaçkitur pasuritë tona, duke ua imponuar udhëheqësve tonë vullnetin e tyre, duke terrorizuar fqinjët tonë dhe duke i përdorur bazat e tyre ushtarake në gadishull për t’i luftuar popujt myslimanë”. Apeli drejtuar të gjithë myslimanëve që t’i “konfrontojnë, luftojnë dhe vrasin” amerikanët. Objektivi i deklaruar i Bin Laden-it është çlirimi i Lindjes së Mesme. Ai i ëndërruar në emër të së kaluarës heroike mbase është shumë më i gjerë.

Sulmet e para të xhihadit janë bërë ndaj ambasadave në Afrikë dhe shkaktojnë dhjetëra e dhjetëra të vdekur. Uashingtoni përgjigjet duke bombarduar bazat e Bin Laden-it në Afganistan dhe një fabrikë barnash në Sudan, duke shkaktuar qindra, disa thonë mijëra, viktima civile (numri i saktë nuk qe qartësuar kurrë, ngase Shtetet e Bashkuara e bllokuan një hetim të OKB-së rreth incidentit).

Kundërpërgjigjja e Bin Laden-it erdhi tash në Nju Jork dhe në Uashington. Duke mos mundur t’i godisnin pilotët e B-52-shave që i hedhin bombat e tyre nga lartësi të paarritshme, as te aviten te marinarët që i hedhin raketat e tyre nga anijet në det të hapur, zgjidhja është ajo terroristike, t’i sulmojnë masat e civilëve të pambrojtur. Veprimet e këtyre njerëzve janë mizore, por nuk janë pa asgjë, janë akte lufte, një lufte që prej kohësh nuk është më kavalareske, një lufte ku bombardimi i popullsive të pafuqishme veçse ishte një fenomen i rëndomtë për të gjithë pjesëmarrësit në luftë në konfliktin e fundit botëror, nga ai i V2-shave gjerman mbi Londër te bombardimi atomik i Hiroshimës dhe Nagasakit me bilancin e tij prej më shumë se 200.000 të vdekurve: të gjithë civilë.

Prej kohësh tashmë bëhen, me mjete dhe metoda të reja, luftëra të pashpallura, larg syve të botës që mashtrohet se tash po sheh dhe kupton të gjithën vetëm nga se asiston drejtpërdrejt në shembjen e Kullave Binjake.

Që nga viti 1983, Shtetet e Bashkuara i kanë bombarduar në Lindjen e Mesme vendet si Libani, Libia, Irani dhe Iraku. Nga viti 1991 embargoja e vendosur nga ShBA ndaj Irakut të Saddam Hussein-it pas luftës së Gjirit ka shkaktuar, sipas vlerësimeve amerikane, rreth gjysmë milioni të vdekur, shumica prej të cilëve fëmijë, për shkak të kequshqyerjes. Pesëqind mijë të vdekur në vit janë një stillicid, që natyrisht se në Irak dhe te ata që identifikohen me Irakun ngjall një mëri të ngjashme me atë që hekatomba e Nju Jorkut ka ngjallur në Amerikë dhe për rrjedhojë edhe në Evropë. Kjo nuk do të thotë të ngatërrohen viktima me xhelatin, thjesht do të thotë ta kuptojmë se, nëse duam ta kuptojmë botën në të cilën jetojmë, duhet ta shohim edhe tërësinë e saj e jo vetëm nga pikëpamja jonë.  

Nuk mund të kuptohet ajo që po ndodh vetëm duke i dëgjuar deklaratat e politikanëve, të detyruar siç janë t’i përsërisin formula retorike, të kushtëzuar të reagojnë në mënyrën e vjetër ndaj një situate krejtësisht të re dhe të pazotë të kërkojnë ndihmë te fantazia për të sugjeruar për shembull se, në vend se të bëjnë luftë, ky është momenti që më në fund të ketë paqe, duke u nisur nga ajo mes izraelitëve dhe palestinezëve. E megjithatë, do të ketë luftë.

Këtyre orëve një koalicion i çuditshëm po vihet në lëvizje nëpërmjet automatizmave të traktateve, si Pakti i Atlantikut, të lindura për një qëllim e tash të përdorura për një tjetër, dhe nëpërmjet adezionit të vendeve si Kina, Rusia e mbase edhe India, secili i shtyrë nga interesat e veta ngushtësisht nacionaliste. Për Kinën, lufta botërore kundër terrorizmit është një rast i mirë për t’u munduar t’i zgjidhë problemet e veta të vjetra me popullsinë islamike në territoret e saj kufitare. Për Rusinë e Putinit është një rast për ta zgjidhur para së gjithash problemin me Çeçeninë dhe t’i heshtur të gjitha akuzat për shkeljet e frikshme të të drejtave njerëzore nga ana e trupave të Moskës aty.

E njëjta është e vërtetë edhe për Indinë dhe konfliktin e saj të përhershëm për kontrollin mbi Kashmirin.

Problemi është se do të jetë skajshmërisht e vështirë të bëhet të duket kjo luftë vetëm si një fushatë kundër terrorizmit e jo si një luftë kundër Islamit.

Për habi, koalicioni që po formohet sot i ngjan shumë atij të shekuj më parë Islami e luftoi në dy fronte: në perëndim kryqtarët, në lindje tributë nomade të Azisë qendrore dhe mongolët. Në atë rast myslimanët rezistuan dhe në fund i konvertuan në islam pjesën më të madhe të kundërshtarëve të tyre.

Ky është një bast që Bib laden-i dhe të tijtë mund ta kenë bërë sot. Mbase llogarisin pikërisht në këtë reprezalje të botës perëndimore për ta koaguluar një rezistencë masive islamike dhe ta atë që sot është një pakicë, sado e vendosur, ta kthejnë në një fenomen më të gjerë. Islami është lehtësisht i gatshëm, për shkak të thjeshtësisë dhe karakterit të tij të lindur të militantizmit, të bëhet ideologjia e të të dënuarve të tokës, të atyre masave të të skamurve që sot e mbushin, të dëshpëruara dhe të diskriminuara, Botën e Tretë të perëndimizuar.

Më shumë se të largohen terroristët dhe ata që i kanë mbështetur (mbase do të habitemi kur ta marrim vesh sa personazhi, disa edhe të padyshueshëm, janë të përzier në këtë gjë) do të ishte më me mend të largohen arsyet që i shtyjnë aq shumë njerëz, mbi të gjitha të rinjtë, në radhët e xhihadit dhe i bëjnë t’iu duket mision detyra për t’u vrarë dhe për të vrarë. Nëse ne njëmend besojmë në shenjtërinë e jetës duhet ta pranojmë shenjtërinë e të gjitha jetëve. Apo, përndryshe, jemi të gatshëm t’i pranojmë qindra, mijëra vdekje – edhe të civilëve dhe të të paarmatosurve – që do të jenë viktima të reprezaljes sonë? A do t’iu mjaftojë ndërgjegjeve tona që ato vdekje të na paraqiten, në zhargonin e marrëdhënieve publike të ushtarakëve amerikanë, si “dëme kolaterale”?

Varet nga ajo që do të bëjmë ne, se si do të reagojmë ndaj këtij provokimi të tmerrshëm, se si do ta shohim historinë tonë të tanishme në shkallën e historisë njerëzore, lloji i të ardhmes që na pret. Problemi është se derisa të mendojmë se e kemi monopolin e të “mirës”, derisa do të flasim për të tonin si qytetërim”i”, duke i injoruar të tjerat, nuk do të jemi në rrugë të mbarë.

Islami është një religjion i madh dhe trazues, me një traditë mizorish dhe deliktesh (si shumë fe të tjera, natyrisht), por është absurde të mendosh se një kauboj çfarëdo, sado që i armatosur me të gjitha revolet e botës, të mund ta fshijë këtë fe nga faqja e dheut. Më mirë do të ishte të ndihmohen vetë myslimanët t’i izolojnë, në vend se t’i bëjnë më virulente, grupacionet fundamentaliste dhe ta zbulojnë aspektin më shpirtëror të fesë të tyre. Islami tashmë është ngado. Në Amerikë tashmë ka myslimanë aq sa hebrenj (gjashtë milionë, pjesa më e madhe, jo rastësisht, afroamerikanë, të joshur nga fakti se Islami ka qenë prej fillimit përmbi konceptin e racës). Në territorin amerikan tashmë ka mbi 1400 xhami, njëra madje në bazën detare të Norfolkut.

Nuk duhet të tërhiqemi zvarrë tash nga vizionet parciale të realitetit, nuk duhet të bëhemi peng të retorikës në të cilën thirret sot ai nuk ka ide të mjaftueshme për ta mbushur heshtjen e lebetisë. Rreziku është që për shkak të këtyre rrëmbimeve* të tmerrshme, tragjike, të përfundojmë vetë ne, si qenie njerëzore, të rrëmbehemi nga ajo që është misioni ynë mbi tokë. Amerikanët e kanë përshkruar në kushtetutën e tyre si “ndjekje e lumturisë”. Mirë: ta ndjekim të gjithë tok këtë lumturi, pasi edhe ta kemi ripërkufizuar me terma jo vetëm materialë dhe pasi të jemi bindur se ne perëndimorët nuk mund ta ndjekim një lumturi “tonën” në kurriz të lumturisë së të tjerëve, si liria edhe lumturia është e pandashme.

Hekatomba e Nju Jorkut na e ka dhënë rastin ta rimendojmë të gjithën dhe na ka vënë para zgjedhjesh të reja. Ajo më e menjëhershmja është t’ia shtojmë ose t’ia heqim fundamentalizmit islamik arsyet e tij të të qenit, t’i shndërrojmë vallëzimet e palestinezëve jo në dëlire makabre nga gëzimi për tragjedinë e tjetrit, por në lehtësim për një rifitim të dinjitetit të tyre. Përndryshe çdo bombë ose raketë që do të bjerë mbi popullsitë e botës jo-tonë do të mbjellë dhëmbë të tjerë dragoi dhe do t’u japë jetë të rinjve të tjerë të gatshëm të ulërijnë «Allahu Akbar», «Allahu është i madh», duke pilotuar një aeroplan të mbushur me të pafajshëm kundër një qiellgërvishtësi apo, nesër, duke hedhur bomba bakteriologjike apo ndonjë bombë xhepi atomike në ndonjë supermarket tonin.

Vetëm nëse do t’ia dalim ta shohim universin si një të vetëm në të cilin secila pjesë pasqyron totalitetin dhe ku e bukura e madhe qëndron në diversitetin e tij, vetëm atëherë do të fillojmë ta kuptojmë kush jemi dhe ku jemi. Përndryshe do të jemi vetëm si ajo bretkosa e proverbit kinez, e cila, nga fundi i një bunari, shikon lart dhe mendon se ajo që sheh është i gjithë qielli. Dymijë e pesëqind vjet më parë një indian, i quajtur pastaj “i ndriçuari”, shpjegonte një gjë të zakonshme: se «urrejtja sjell veç urrejtje» dhe se «urrejtja luftohet veç me dashuri». Pakkush ia ka vënë veshin.

Mbase ka ardhur momenti tash.

/Marrë nga Tiziano Terzani: CONTRO LA GUERRA, Longanesi, 2002

/Përkthimi: Gazeta Express