Henry David Thoreau, (Concord, 12 korrik 1817 – Concord, 6 maj 1862), ka qenë filozof, prozator dhe poet amerikan, paraprijës i ambientalizmit dhe jodhunës. Autori i romanit të njohur ‘Walden’ dhe i esesë ‘Resistance to Civil Government’, e njohur ndryshe edhe me titullin ‘On the Duty of Civil Disobedience’
Për Lucy Jackson Brown
21 korrik 1841
Concord
E dashur mike,
Mos mendo se kam nevojë për ndonjë nxitje të të shkruaj; por çfarë ene balte të fortë duhet të vë në valixhe që të udhëtoj nëpër shumë kodra dhe të përshkoj shumë pyje, si ato që shtrihen mes Concord dhe Plymouth? Falë fatit e gjitha rruga është teposhtë kodrës, kështu që udhëtimi do të jetë i sigurt; prapëseprapë duket sikur të kisha kundër kohën dhe diellin, që të dërgoj një letër në lindje, se asnjë forcë natyrore s’e shtynte tutje. Duhet të shkosh të banosh në perëndim dhe atëherë do të të mbys me letra, si fëmijët që i hedhin puplat në ajër që të shohin se si po i merr era. Më shumë të përfytyroj në mbrëmje duke jetuar shumë larg mbrapa perdeve të çelëta në perëndim, shtëpia e motit të mirë – pastaj në burimet e freskëta të erës lindore.
Çfarë mendimesh të qeta ke në këtë moment – që do të fluturojnë ne atë erë lindore drejt perëndimit, se kështu mund shndërrojmë shërbyesit tonë më të këqij në bartësit tonë – çfarë progresi është bërë nga të mos mund te mund, nga praktika te teoria? Nën këtë kategori, ti e mban mend, kishim zakon të mbështesnim filozofinë tonë. A ke momente të qeta, befasuese, të mira, kur mendon në mënyrë të fuqishme dhe flet me emfazë? Mos e merr këtë për sarkazëm, se në asnjë vit të zotit, kam frikë, një qasje e tillë e artë e të folurit të rrafshët s’do të jetë e mundshme më. Por harroje një frikë të tillë; në pak milje distancë, ne s’e kemi distancuar sinqeritetin tonë.
Për çdo ditë po bëhem gjithnjë e më i egër, si të isha duke u ushqyer me mish të thatë dhe zbutja ime është vetëm zbutësia ime e prehur në gjumë. Ëndërroj të shikoj tutje, verës dhe dimrit, me shikimin e lirë, nga ndonjë anëmal, derisa sytë e mi notojnë në një llucë shëndeti egjiptiane – të jem natyra që shikon në natyrë, me të njëjtën simpati spontane me ë cilnë bari sykaltër në lëndinë e shikon qiellin. Nga një skutë e tillë do të doja të shprehja për çdo ditë mendime sublime, ashtu siç bima i nxjerr gjethet. Tash, natën, dal në kodër të shikoj perëndimin, siç kthehemi në shtëpi në mbrëmje – uturima e fshatit ka vazhduar gjithë ditën, duke më lënë krejtësisht të qetë; por po e shikoj perëndimin dhe po zbuloj se mund ta presë virtytin tim të ngadaltë.
Por harrova se ti mendon më tepër për këtë natyrë njerëzore se sa për këtë natyrë që e çmoj unë. Pse s’do të besosh se e imja është më njerëzore se sa që mund të jetë cilido burrë a cilado grua? Se në këtë – në perëndimin e diellit këtu, janë të gjitha cilësitë që mund të stolisin një vatër – dhe se nganjëherë në një gjeth në fluturim mund të dëgjosh të gjitha predikimet e tua të krishtera.
Po e sheh pra se çfarë letërshkruesi i pazoti jam, mbërrita në fund të fletës sime ndërkohë qe ende s’e kam filluar mirë atë që desha të them. Desha të jem i përkorë, të siguroj, por tash ka mbetur vetëm hapësira të ta ofroj – nëse fati të dhuron një orë të qetë, mos harro të ma përcjellësh një çikëz të asaj qetësie, mua mikut tënd,
Henry D. Thoreau.
Jo, jo. Përmirësoje një dhuratë kaq të rrallë, dërgoma pakëz nga koha jote e lirë.
Shënime:
Lucy Cotton Jackson (1798-1868), e bija e Charles dhe Lucy Cotton Jackson nga Plymouth, Massachusetts, si dhe kunata e Emersonit, e martuar me Charles Brownin më 1820. Charlesi e kishte braktisur familjen më 1835 kur kishte dështuar aktiviteti i tij biznesor; kishte lundruar drejt Evropës dhe kishte vdekur në Dublin, më 1870. Lucy ishte shoëqruar me familjen Thoreau kur Henry ishte në Harvard dhe shpesh e kishte vizituar shtëpinë e Emersonëve. Emersoni ia kishte ndërtuar një shtëpi afër të tijës, më 1845.
Lluca egjiptiane – asociohet me plleshmërinë e lumit Nil, balta e të cilit “shërben për fertilizimin e tokave të përmbytura” (Encyclopae dia Americana, 9:292).
/Marrë nga Henry D. Thoreau, “The correspondence, I, 1834-1848”, Princeton University Press, 2013