Epistula e javës / Susette Gontard për Holderlin-in, Letra VIII - Gazeta Express
string(60) "epistula-e-javes-susette-gontard-per-holderlin-in-letra-viii"

Epistula e javës / Susette Gontard për Holderlin-in, Letra VIII

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:05

Susette Gontard (1769-1802), e quajtur Diotima nga Holderlin-i, sipas Diotimës së Mantinesë, qe frymëzimi i tij për veprën Hiperioni, të botuar më 1797-1799. Ajo ishte gruaja e punëdhënësit të poetit, Jakob Friedrich Gontard-it. Përgjithësisht besohet se pasioni fatal i poetit për të ka kontribuuar në përkeqësimin e shëndetit të tij dhe vdekjen e tij. Holderlin-i dhe Dontard-i kanë shkëmbyer një mori letrash, të cilat janë ruajtur dhe botuar nga botues të ndryshëm

Letra e tetë

Lexo Edhe:

[…] Do të mund, më sjell shumë kënaqësi dhe nuk e lë të kuptohet se sa e kam për zemër ta realizoj këtë plan ende aq të paqartë. Të enjten e dytë të gushtit me gjasë do të më gjeje përsëri këtu. Vëllai im dëshiron që pastaj ta bëjë me ne një shëtitje të shkurtër në Ren deri te Koblenca, nga aty do ta shoqërojmë gruan e tij për në Ems, ku ajo duhet t’i bëjë banjat termale dhe ai më këshillon të përfitoj edhe unë nga një kurim me ujërat e Pyrmontit. Ky udhëtim nuk do të duhej të zgjaste në maksimum më shumë se katër javë dhe unë do të përpiqem të ta dërgoj një ditar të vockël. Kështu ti do të mund të ndaje me mua çdo gjë dhe për mua do të ishte një mënyrë e këndshme për t’i bërë bisht mërzisë grupore dhe të jetoj bashkë me vëllezërit e mi të dashur. Natyrisht, më vjen keq të largohem nga këtu, si zakonisht, meqë mendoj se ky vend është strumbullari i fortë i bashkimit tonë.

Këmbëngul shumë të të them edhe diçka rreth të ardhmes tënde, duke qenë se po ma kërkon; por më është e vështirë të të këshilloj nga çdo pikëpamje, do të mund të isha gjithmonë tepër mirëkuptuese për ty dhe një mik i besueshëm, me më përvojë, do të mund të të ndihmonte më mirë. E di, ti s’do të arrije ta bëje një hap pa tumirjen time; e sado që zemra ime të dojë të kundërvihet, e druajtur dhe e llastuar siç është nga afërsia jote, duhet ta lë të mbizotërojë bindja ime e thellë: nëse ti do t’i hyje një karriere që do të ishte motiv i lavdisë për ty dhe e dobishme për botën, të gjithë lotët e mi për ty do të bëheshin lot gëzimi, por unë do të duhej të kisha lajme nga ti dhe shpresa ime nuk do të duhej të shkonte huq. Diskutoje të ardhmen tënde me miqtë e besuar, me njerëz me përvojë, e nëse rastësisht nuk do të të hapet një rrugë e sigurt, atëherë rri aty ku je duke u munduar të shkosh përpara, më parë se sa të rrezikosh edhe një herë të të vërë përfund fati; forcat e tua s’do të mbanin dhe do të ishe i humbur për botën dhe për pasardhësit e tu, për të cilët ti jeton, sado që i veçuar. Jo, kjo hiç s’të lejohet! Nuk mund ta vësh në rrezik veten tënde, natyrën tënde të fisme, pasqyra e të bukurës që është në ty nuk mund të thyhet. Mbaje në mend se je në borxh me botën: e ke për detyrë ta përhapësh atë ty të duket e shpërfytyruar në forma të shumta dhe të kujdesesh për veten. Pak veta janë si ti! – E ajo që nuk realizohet, patjetër reziston për kohët e ardhshme. A nuk do të mund të vazhdoje të jepje mësime private në shtëpinë tënde për mendjet e reja? Falmë nëse kjo ide nuk të pëlqen. Por unë mbaj mend se njëherë kishe qëllim të mbaje kurse të këtij lloji, që sigurisht nuk do të ishin të vështira për ty. Por, mos vepro kurrë në bazë të idesë së gabuar se duhet të më bësh nder, të besosh se ajo që ti e bën diku tjetër nuk më është po aq e dashur, të detyrohesh të justifikohesh për shkak të dashurisë sime. Mua më mjafton të jem e nderuar nga dashuria jote dhe do të më mjaftojë përgjithmonë, nuk më hyn në punë ajo që përgjithësisht nënkuptohet me fjalën nder; të nderojnë njerëz të mëdhenj dhe unë të gjej ty kudo që përshkruhen natyra të fisme, nuk kam fare nevojë për dëshminë e mjerë të kësaj bote. Sot, duke e lexuar Tasson kam gjetur tipare të pangatërrueshme të tuat, rilexoje edhe ti.

3 qershor

Edhe dy minuta vetmi, dua të t’i përkushtoj ty, shoqja ime e shtëpisë ka shkuar te fqinjët, sonte do të duhej të mbërrinte te ne S…, dashtë zoti që të enjten në mëngjes të mos më sillet nëpër këmbë. Frika se s’do të mund të vij te ti shpesh ma kall mendjen. Lë veten në duart e gjenisë së dashurisë, sepse a nuk ka shkuar gjithçka ashtu si uronim, prej se jemi ndarë? Do të na shkojë për së mbari edhe në të ardhmen. Më duhet të të lus përsëri të bëhesh i gjallë të enjten e parë të gushtit: në rast se, sado që s’ka gjasë, udhëtimi ynë nuk përmbushet, atëherë do të kthehesh të enjten e ardhshme, po nëse kthehemi më herët, atëherë do të nisemi menjëherë për shkak të stinës termale dhe nuk është e mundshme ta shtyj. Vëllai im ka shkruar dje se do të mund të nisemi më datë 12.

E enjte në mëngjes

Sa do të doja rrija me ty edhe pak me qetësi, por mendimi «burri im është duke ardhur!» më trazon dhe është po ashtu shkaku pse nuk të kam shkruar sa do të doja, para së gjithash për të të thënë ende diçka rreth letrës tënde të fundit. Ji i qetë, zemër e adhuruar dhe ki më shumë besim te njerëzit: nganjëherë ndodh të jenë më të mirë se sa që i imagjinojmë ne dhe duke qenë se ne përballemi me ta gjithmonë me atë që e njohim te njëri-tjetri si me të mirën dhe më të lartën, edhe ata kanë goxha shumë për të humbur. Lër hapësirë në zemrën tënde për dhembshurinë ndaj tyre, duke e shmangur urrejtjen dhe dashakeqësisë. Më fal nëse po i bie të njëjtit avaz, por disi kisha përshtypjen se e kisha harruar dhe më duhej të ta thosha.

Lamtumirë! Lamtumirë!

Udhëtimi është tash i sigurt, do të nisemi më datë 12.

/Marrë nga ‘Friedrich Hölderlin & Susette Gontard: Lettere d’amore’, Mondadori, 2021

/Përkthimi Gazeta Express