string(48) "epistula-e-javes-shostakoviq-dy-letra-nenes-1923"

Arte

Gazeta Express

31/05/2024 16:09

Epistula e javës/ Shostakoviq: Dy letra nënës, 1923

Arte

Gazeta Express

31/05/2024 16:09

Dmitri Dmitriyevich Shostakovich (25 shtator 1906 – 9 gusht 1975) kompozitor dhe pianist rus

Nënës, Koreiz, 3 gusht 1923

E dashur mamush,

< … > ti pomë shkruan duke m’u lutur të jem i kujdesshëm të mos hidhem në vorbull. Në lidhje me këtë dua të shprehem pakëz në mënyrë filozofike. Dashuria krejtësisht kafshërore < … > është një neveri e tillë, sa nuk ia vlen fare barra qiranë të flasim për të. Nuk po më besohet se ti ke pasur përkitazi me mua mendime të tilla. Në të qenia njerëzore nuk dallohet për asgjë nga kafsha. Por ta zëmë se një grua nuk e do më burrin e saj dhe i jepet një tjetri, njërit që e do, dhe ata, pa e çarë kokën fare për paragjykimet e shoqërisë, fillojnë ta jetojnë lidhjen e tyre nën dritën e diellit. Nuk ka asgjë të keqe në këtë. Përkundrazi, madje është më mirë që Dashuria të jetë përnjëmend e lirë. Marrëveshja e lidhur në altar: ky është aspekti më i tmerrshëm i religjionit. Dashuria nuk mund të zgjasë gjatë.

Natyrisht, gjëja më e mirë që mund të merret me mend është ndërprerja e plotë e martesës, do të thotë e çfarëdo zinxhiri a obligimi që rrjedh nga dashuria. Po natyrisht kjo është utopike. Po të mos ishte martesa, s’do të kishte familje, e kjo njëmend do të ishte negative. Por që, sidoqoftë, dashuria duhet të jetë e lirë, për këtë as që bëhet fjalë më. E, mamush e dashur, po të paralajmëroj se, me shumë gjasë, nëse një ditë prej ditësh do të dashurohem, qëllimi im nuk do të jetë lidhja martesore. Po nëse do të martohem dhe gruaja ime do të dashurohet me një tjetër, unë s’do ta them asnjë fjalë; nëse ajo do ta donte shkurorëzimin, do t’ia lejoja, duke e marrë unë vetë fajin < … >.

Por në të njëjtën kohë ekzistojnë emrat e shenjtë të babait dhe nënës. Kështu, duke menduar për të gjitha këto gjëra, njeriu nis të ndihet i hutuar. Po për çdo rast, dashuria është e lirë! Ti, mamush, falmë, që po të flas në këtë mënyrë. Në këtë moment s’po të flas si yt bir, po si një filozof njëfilozofi tjetër < … >.

Do të më pëlqente shumë që ti të më shkruaje ca radhë në lidhje me këtë. Është imorale që një njeri ta blejë një grua me para. Përveç kësaj, ekzistojnë dashuria e lirë dhe imoraliteti i lidhjeve detyruese.

Të dërgoj shumë puthje

Biri yt shumë i dashur Mitja

Nënës

3 shtator 1923

E dashur mamush,

larg nga Piter1 jam mërzitur tmerrësisht shumë dhe mezi po pres të kthehem. Kurrë s’më kishte shkuar në mendje se malli për vendin e lindjes ishte kaq i fortë. Shumë të dashurit e mi, kur të takohemi, do t’ju përqafoj fort. < … >

Këtu në konvaleshneciar po mërzitem tmerrësisht. Në Pjeterburg tashmë është vjeshtë, ma ha mendja. Me shumë gjasë bie ai shiu i hollë, fryn ajo era therëse. Oh sa i ëmbël është moti i Pjeterburgut! Të gjithë njerëzit interesant janë larguar nga këtu dhe kanë mbetur vetëm pedagogët. Moti, falë Zotit, vazhdon të jetë i mbarë. Dielli, si të ndiente se lypset ta shërojë krejtësisht lythin2, po djeg me të gjitha forcat… Dje këtu ka kënduar një këngëtare, Epanesnikova. Këngëtare e shkëlqyeshme. Një zë njëmend kristalor. Në përgjithësi nuk jam shumë i dhënë pas kantos dhe romancave, por ajo këndonte aq bukur sa përnjëmend më pëlqeu shumë. Po çfarë gëzimi të shkoj në teatrin Marinskij, ta dëgjoj Legjendën e Kitezhit, Damën e maçëve, Kopelian, Arrëthyesin, s’ta them dot se sa!… A mos e ke parë rastësisht Maksimilian Oseviçin3? Si është puna me të? Pse nuk u është përgjigjur letrave të mia? Të njëjtën gjë e ka bërë edhe L. V. Nikolajevi. E kjo më duket bash një gjë e poshtër. I kisha paralajmëruar si njërin si tjetrin se nuk mundem dhe nuk dua të shkruaj letra, por që të dy kanë pretenduar në monmentin e ndarjes që t’u shkruaja letra dhe nuk jan përgjigjur. Hajt merre vesh si është puna atëherë… Sapo erdha nga deti: aty kishte njerëz me goma shpëtimi. E vura edhe unë, kuptohet, por edhe pse nuk shkoja në fund, nuk arrita të notoja, nuk kam lëvizur as një pëllëmbë. Pra më duhet të heq dorë nga ëndrra që të mësoj të notoj. Por tash mezi po pres të vij në Peterburg, të të shoh ty dhe strehëzen tonë, qenin… Ah, po pra! Në letrën tënde të fundit shkruahej se e keni larguar maçokun. Mëkat, përnjëmend, ishte aq i lezetshëm… Do të shihemi sç shpejti.

D. Shostakoviq

Shënime:

1 Rusët shpesh Peterburgun e quajnë thjesht Piter.

2 Referim në sëmundjen e gjëndrave limfatike.

3 Bëhet fjalë për Maksimilian Oseeviç Shtejnberg, docent i kompozimit i Shostakoviçit në konservatorin e Peterburgut.

/Marrë nga D. Shostakovic, “Trascrivere la vita intera. Lettere 1923 – 1975”, Il Saggiatore, 2006

/Përkthimi Gazeta Express

aaaaa