Epistula e javës / Seneka për Lucilin, Letra I - Gazeta Express
string(43) "epistula-e-javes-seneka-per-lucilin-letra-i"

Epistula e javës / Seneka për Lucilin, Letra I

Arte

Gazeta Express

15/09/2023 16:29

“Letra morale Lucilit”, njëra prej veprave më të njohura të Senekës, ishte përmbledhur në 20 libra, të shkruara mes viteve 62 dhe 64 të erës sonë.

Letra I.

Lexo Edhe:

Seneka e përshëndet Lucilin e tij

1.

Bëj kështu, o Lucili im: bëhu zot i vetvetes dhe kohën që deri më tash të ishte marrë me zor apo që të ishte zhvatur me mashtrim, apo që të shpëtonte dore mblidhe dhe ruaje. Bindu, bën vaki bash kështu si po të shkruaj: disa momente na hiqen dorësh me brutalitet, disa na merren pabesisht dhe të tjerat shkapërderdhen andej-këndej. Megjithatë, çuarja dëm më e turpshme është ajo nga shpërfillja. E nëse begenis t’i kushtosh kujdes, ki mendjen: pjesa më e madhe e jetës ikën tutje derisa veprojmë në mënyrë të gabuar, një porcion i konsiderueshëm derisa nuk bëjmë asgjë, e gjithë jeta derisa jemi të dhënë pas gjërash që nuk na përkasin.

2.

A do të ma tregosh me gisht një njeri që i atribuon një vlerë efektive kohës, që di ta peshojë çdo ditë, që i bie në të se po vdes për çdo ditë?

Gabojmë, në të vërtetë, në këtë: se e shquajmë vdekjen para nesh; mirë de: një pjesë e mirë e vdekjes i përket tashmë të kaluarës. E gjithë ajo nga ekzistenca jonë që është mbrapa nesh, vdekja e mban fort pas vetes. Bëje pra, o Lucili im, atë që më ke shkruar se po e bën: mbaji shtrëngueshëm të gjitha orët e tua, kësodore do të ndodhë ashtu që të varesh më pak nga e mesërmja. Ndërkohë që ndryshojnë zotimet, jeta na kalon para syve.

3

E gjitha, o Lucil, është përtej njeriut: vetëm koha është e jona; këtë të mirë të vetme rrëshqitëse dhe ikanake na e ka besuar natyra në posedim dhe mund ta lërë pa të kë të dojë. Mandej, shih sa e madhe është marrëzia e vdekatarëve: tolerojnë t’iu përplasen për surrati si borxh, pasi t’i kenë marrë, dhuratat më të parëndësishme, me pak vlerë dhe sidoqoftë të zëvendësueshme; ndërsa askush nuk e kosndieron veten borxhli të diçkaje, nëse ka fituar pak kohë; e megjithatë kjo është e mira e vetme që as edhe ndonjë person mirënjohës nuk mund të të japë.

4

Mbase do të pyesësh veten se çka bëj unë që po të jap mësime të tilla. Do ta pranoj krejt çiltërsisht: pikërisht ajo që i ndodh një një njeriu të që e do luksin, por që është me skrupuj: i mbaj në mënyrë të përsosur regjistrat e shpenzimeve. Nuk kam të drejtën të pohoj se nuk prish as një trohëz nga koha, por do të them se sa humb, pse dhe në çfarë mënyre; kështu ndërmendem për varfërinë time. Nga ana tjetër, më bën vaki ajo që i ndodh pjesës më të madhe të njerëzve në mjerim për fajin e tyre: të gjithë janë mirëkuptues, mirëpo askush nuk vjen t’i ndimojë.

5.

E pra? Nuk e konsideroj mjeran atë që kënaqet me atë pak gjë – nuk ka rëndësi se sa – që i ka mbetur. Megjithatë parapëlqej që ti t’i ruash burimet e tua dhe do të nisësh ta bësh këtë në momentin e duhur. Në të vërtetë, siç vërenin me të drejtë të moçmit tonë, është tepër vonë të kursesh kur ke arritur në fund të vazos, ngase ajo që mbetet është përnjëmend pak gjë dhe, për më tepër, më e keqja. Ji mirë.

/Marrë nga: Seneca, “Lettere morali a Lucilio”, Mondadori, 2013

/Përkthimi: Gazeta Express