Epistula e javës/ Seamus Heaney për Seamus Deanen, dy letra - Gazeta Express
string(57) "epistula-e-javes-seamus-heaney-per-seamus-deanen-dy-letra"

Epistula e javës/ Seamus Heaney për Seamus Deanen, dy letra

Arte

Gazeta Express

17/01/2025 15:42

Seamus Deane (1940–2021) ishte njëri prej miqve më të hershëm të Heaneyt, duke qenë se kishin ndjekur St Columb’s College në të njëjtën kohë, ai si student që jetonte aty, Heaney si konviktor. Deane pastaj kishte shkuar të merrte baçelorin dhe masterin në anglisht në Queen’s University Belfast, para se të merrte një bursë që i mundësonte të studionte për një PhD në Pembroke College (jo Peterhouse), Cambridge.

Death of a Naturalist ishte botuar në maj, së pari në Britani, ku ishte pritur ngrohtë ng kritika dhe ishte shitur mirë, pastaj në SHBA. Pas kthimit në shtëpi, familja Heaney u bart në një shtëpi më të madhe në Belfast; Saemusi filloi punën e mësimdhënies në Queen’s University. Duke qenë se kishte botuar më herët pamfletin e tij, Eleven Poems, S. Heaney ishte tashmë editorialisht dhe administrativisht i përfshirë me botimin e pamfleteve për Festivalin e Belfastit, që organizohej nga Queen’s.

Lexo Edhe:

LETRA E PARË

Për Seamus Deane

MS Emory

30 janar 1966

37 Beechill Park South, Belfast 8

I dashur Deansie,

(Përderisa duket se ti e kujton Quinnin me diçka të afërt me dashurinë), siç edhe e kishe marrë me mend, vetëm dikush mburravec si unë do ta kishte marrë letrën tënde të këndshme dhe të mirëseardhur ashtu siç pritej. Punë e paq. Dhe vetëm dikush i denjë (si ti, pra) do ta falte vonesën time që ta pranojë atë, nëse jo që t’i përgjigjet asaj. Sidoqoftë, më dha një kënaqësi të madhe. Dhe të gjitha asociacionet që bart me vete fraza.

Po plakem. Marie, po, po, po pret fëmijën në qershor. Kështu që mund ta nisësh poezinë tënde kurdo që të duash. Asnjë nga ato shfrimet e tua të dreqit improvizuese, diçka pindarike ose tekembramja një vilanelë. Dhe ti, e kam të qartë, po pret të doktorosh. Unë do t’i kem vargjet e mia, dedikuese, përnderuese, kremtuese, gati. Isha i gëzuar të dëgjoja se e ke kompletuar skicën e parë. Në mënyrën time të pavërejtshme, shkel e shko, amatoreske dhe të druajtur, edhe mua më është kruar prapanica të bëj një hulumtim të përbindshëm, duke e kompletuar para pak ditësh kapitullin e parë të një disertacioni rreth veprës së një tjetër poeti të përqendruar te patatja – Patrick Kavanagh. Ky tipi nga Delta e fundit – J.M. Newton – është goxha i zoti në lidhje me K., por mos i thuaj gjë derisa të jetë ekzaminuar teza, çka do të m’i marr nja tri vjet të mira.

Duke folur për Patrick Kavanaghun, Marie ma ka vënë nofkën ‘i diplomuari i rrënjës bimore’. Jam i gëzuar që ti e ke parë ‘Follower’ – nuk jam i sigurt nëse nuk ke të drejtë rreth ‘goditjes me bisht të domethënies’, në stancën e fundit. Mendoja se mbase nuk ishte e kondensuar mjaftueshëm, por nuk mendoj se është aq e pavend a arbitrare sa të jetë jolegjitime: a nuk e jep vragu i fundit dimensionin e metaforës së diçkaje që ishte njohje e domosdoshme në prapavijë për pohimin në vargun e fundit? (Duhet ta them këtë që të ketë kuptim). A nuk ndriçon në mënyrë retrospektive? (Si i bëhet me këtë atëherë?). Prapëseprapë, po e fut në pako pa këmbëngulur (e kundërta e druajtjes?) një kopje të pamfletit dhe kur ta shikosh kopertinën e prapme, dridhu, mblidhi në një vend dymbëdjetë poezi dhe nisi në adresën sipër, për mua, bordin botues. Meqë ra fjala, ‘For the Commander of The Eliza’ nuk është botuar në asnjë revistë. Pra, nëse e do për Cambridge Review, s’prish punë fare. Gjatë dy muajve të fundit kam qenë jashtëzakonisht i ngarkuar: Encounter dhe Dublin Magazine kanë kërkuar poezi dhe gjithë ajo që kam shkruar së fundmi e kanë pasur ata me javë të tëra, kështu që s’kam në dorë ndonjë poezi të hairit. – Mbase e fundit që e kam pasur nëpër duar ia vlen, nuk e di, por po ta nis gjithsesi. Nëse nuk je i kënaqur me asnjërën, prit dhe lutu. Mjaft rreth poezive.

Shpresojmë të jemi në Londër ca kohë para pashkëve dhe do të donim t’ju vizitonim, nëse jo edhe edhe të qëndrojmë. Nuk e di kur pritet libri. – ‘Spring’ mund të zërë shumë – por sa shihet ne do ta harxhojmë avancin enorm të botuesit prej 25 funtash në një udhëtim për në Londër kur të na jepet. Tani kemi një dhomë gjumi ekstra të pajisur, meqë ra fjala, së fundmi kemi berë një shtrat dysh të dorës së dytë i cili e zë gjysmën e hapësirës së zhveshur, kështu që nëse do të jeni në Irlandë, ju lutemi të organizoheni të kaloni natën në Belfast. Por merreni djepin tuaj, nëse është para qershorit. Si u gjende në Paris? Dhe si e përballove? Mos u përgjigj në këtë.

Papritur e folura ime e shpejtë po resht. E kam rrëmuar gropën e të folurës. Po e humb formën dhe po trashem. A jam unë në gjendje të jem baba? Sa më shumë që shtyhet, aq më e kot duket. Mjaft me kaq. Po pse jo? I vëzhguari i të gjithë vëzghguesve, qetë-qetë. Mjaft tash, buzëqeshi marrëzisht gruas tënde të bukur, siç do të thoshte Tierny. Eh, eh.

Më duhet t’ju kërkoj falje që s’e shkrova gjithë letrën me këtë avaz. Mezi po pres përgjigjen tënde përnderuese. Përqafime për Marionin dhe Conorin.

Jini mirë.

Juaji përgjithmonë

Heaney.

Shënime:

‘I dashur Deansie … Quinn-in’: Deane kujton një shok të studimeve në St Columb’s, John Joseph Quinn, i cili jetonte në të njëjtën strehë me Saemus Heaneyn dhe nuk e pëlqente fare. Ajo ndjesi do t’i jetë kthyer dhe Heaney ia kishte ngjitur nofkën ‘Quinsy’.

‘Kapitulli i parë i disertacionit’ të S. Heaney për poetin Patrick Kavanagh (1904–67), nga Co. Monaghan rural, ka mbijetuar dhe është në pronësi private. Delta ishte revistë letrare trevjeçare që botohej në Cambridge University; ishte themeluar nga poeti anglez Peter Redgrove (1932–2003) s ishte student aty. Një redaktor i mëvonshëm ishte edhe poeti dhe mësimdhënësi Philip Hobsbaum (1932–2005), i cili nga viti 1963 deri më 1966 kishte organizuar dhe drejtuar takimet e poetëve të rinj irlandez. – Heaney, Deane dhe Michael Longley (1939), në mesin e tyre – të cilët pastaj u bënë të njohur si The Group, ose Belfast Group.

‘kur ta shikoni kopertinën e prapme, dridhuni’: Dymbëdhjet poezitë e Heaneyt përcillnin edhe paralajmprimin se seria e Festivalit do të përfshinte edhe një pamflet të Deanet.

‘For the Commander of The Eliza’, nga Death of a Naturalist, ishte marrë nga Cambridge Review për numrin e 7 majit 1966, si edhe ‘The Peninsula’, të cilën Heaney e kishte botuar më vonë në Door into the Dark (1969).

‘Eamon Tierney’ ka qenë mësimdhënës matematike në St Columb’s.

LETRA E DYTË

Për Seamus Deane

TS Emory

24 mars 1966

37 Beechill Park South, Belfast 8

I dashur Deansie,

Pash Krishtin dhe dhe pa-sh-sh-sh Krishtin! Si ia dole mbanë? Po mendoj, poezitë janë të mrekullueshme dhe mund të them se më godasin si të pasura dhe të ngopura, jourbane, joklithëse. Të favorizuarat janë ‘The Roads You Walked’, ‘Against All Non Socialist Lovers’ (megjithëse nuk jam i afërt me titujt), ‘Alone and Together’, dhe (megjithëse jam pakëz i hutuar sa u përket implikimeve të vjetra këtu) ‘Come You from Wittgenstein?’

Por, më pëlqen secila nga to dhe shpresoj të bëj një muhabet të mirë (siç më kishte thënë ai burri imëcak i Oxfordit) javën e ardshme: Marie dhe unë do të shkojmë në Londër nesër (e premte) (po e rrethoj veten disi si Keatsi me gjithë këto kllapa në letrat e mia) ngase kam një intervistë ne lidhje me Gregory Award të shtunën. Jam në listën e ngushtë me pesë shjkrimtarë kreativë të tjerë të rinj britanikë dhe kam gjasa 4/6 të zë nja njëqind e ca stërlina. Ata do t’i paguajnë shpenzimet e mia, por mendoj se Marie duhet të përfitojë nga rasti të dalë pak nga fshati derisa është gjë që mund të bëhet – mbase. Pra po tregohemi bukur të papërgjegjshëm dhe po i japim drejtorit tonë të bankës arsye të tjerrë hollë e hollë, por si s’do ta lodhë kokën gjersa të jetë bërë dëmi: do të qëndrojmë deri të enjten në mëngjes. Hajt, gëzohu, se shpresoj të vij atje poshtë të të takoj o të dielen o të martën. A mund të më thërrasësh në telefon (Belfast 649298) nesër në mbrëmje rreth orës gjashtë e gysmë dhe do të shohim si ku dhe kur. Po, kam bërë telefon.

Jam i kënaqur me ikjen e trurit. Në të vërtetë, ta kam zili për ardhjet tua semestrale, sofomorët e tu të këndshëm, verat e tua të qeta. Është zor të hasësh në një vend që është liberal dhe eksperimental ku vlerësohet, shpresojmë, dehja si ekscentricitet dhe jopërpikëri dhe josfikasiteti si damkë e individualitetit. Është mirë që e gjithë kjo të jetë e rregulluar pak a shumë në këtë pikë: shpresoj të të paguajnë bukur mirë.

Cilat poezi t’i kam dërguar përveç ‘The Peninsula’ (Mendoj se është mjaftueshëm e mirë tash që po bëhet kohë që po jetoj me të)? Ngase sapo e kam shkruar atë që e konsideroj poezinë time më të mirë prej një kohe të gjatë dhe nëse ti mund ta vësh në vend të asaj të paktës (e marr me mend se mund të kenë qenë të pakta)) do të ma bëje qejfin – duke prezumuar, natyrisht, se pajtohesh se ato që ta dërgova është mjaftueshëm e mirë. A mos ka nevojë titulli për këtë: Shënim. Pavarësisht legjislacionit preventiv të rreptë, ‘lufta me gjela’ – ose ‘përleshjet’ – ende mbahen mëngjesin e Pashkëve në ndonjë vend në Iralndë?

Me shpresën ta dëgjoj kuakjen tënde të moçme nesër.

Sinqerisht,

Samues

Shënime:

Heaney tashmë formalisht e kishte ftuar Deanen t’i dërgonte poezitë për Festivalin e Belfastit.

‘burri i imët i Oxfordit’ mbetet i paidentifikuar, por me gjasë ishte një përfaqësues i Oxford University Press.

Heany ishte njëri prej tri aplikanëtve që kishte marrë më 1966 një Eric Gregory Award; Robin Fulton (tash i njohur si Robin Fulton Macpherson) (1937) dhe Hugo Williams (1942) ishin dy të tjerët. Gregory Awards u jepete poetëve të rinj premtues.

‘ikje e trurit’: frazë mjaft e përhapur në atë kohë që i referohej situatës së Deane, i cili po bëhej gati të shkonte të jepte mësim në University of California, Berkeley.

‘Shënim’: një frazim pakëz më ndryshe i këtyre fjalëve formon epigrafin e poezisë ‘Triptych for the Easter Battlers’, botuar në revistën New Statesman më 23 dhjetor 1966, por nuk është përfshirë nga autori në asnjë përmbledhje.

/The Letters of Seamus Heaney

/Gazeta Express