string(60) "epistula-e-javes-saul-bellow-per-bernard-malamudin-tri-letra"

Arte

Gazeta Express

30/05/2025 15:41

Epistula e javës/ Saul Bellow për Bernard Malamudin: tri letra

Arte

Gazeta Express

30/05/2025 15:41

Saul Bellow (1915 2005), shkrimtar amerikan. Fitues i çmimit Nobel për letërsi më 1976, i çmimit Pulitzer dhe Medaljes Kombëtare të Arteve; i vetmi autor që ka fituar tri herë National Book Award

LETRA E PARË

Për Bernard Malamud

I dashur Bernard:

Nuk marr shumë letra rreth romanit Augie që të ndihem se duhet të përgjigjem. Nga presioni i numrave, shoqëria mund të të bëjë specialist, nëse jo në ndonjë mënyrë tjetër. Augie ka rrezik të bëhet specialiteti im ashtu siç fluturimi mbi Atlantik është bërë i Lindbergëve – lejoma edhe një analogji jomodeste – siç është bërë kërcimi nga ura për Steve Brodien.

Me këtë parathënie, lërmë të të them se letra jote është njëra ndër më të mirat, një kritikë tmerrësisht e mprehtë. Nuk jam fare i prirë të kundërshtoj kritikën tënde. Ti vetë je shkrimtar, nga ata të vërtetët; ti e di se vetëmbrojtja nuk është ajo tek e cila duhet ta kemi mendjen. Unë bëj shumë gabime; duhet të ndihem fajtor për një mori akuzash që m’i bën. Po, Augie është shumë pasiv, mbase. Po, episodet nuk kanë mjaft varietet; presioni i gjuhës është tepër konstant dhe uniform. Se ai është shumë madhështor mendoj se është e diskutueshme. Tekembramja, e ndiej vuajtjen e tij fort – ndoshta nuk ia kam dal ta përçoj. Ai nuk është, për mua, olimpian. Vetëm se, ai është i zotuar në një Luftë për Pavarësi dhe zaret janë shumë kundër tij. Ai lufton me zhvlerësimin e personit. Pa dyshim se në këtë luftë, si në çdo luftë, ka teprime. Pasiviteti ynë është aq i thellë sa nuk e kuptojmë se shpirti aktiv përfund ndërkohë ka organizuar një kundërshtim, një kundërshtim që vesh fytyrën e pasivitetit. Disa prej trazimeve janë të Augiet, disa janë të botës. Ky nuk është shfajësim në letërsi, megjithëse mund të ketë një në histori. Por unë nuk mund të pretendoj se po përpiqesha të arrija përsosmërinë. Ka momente kur mendoj sa e këndshme do të ishte të nxirrja një roman të ri dhe më të mirë prej tij. Por s’mund t’i lejoj vetes të harroj se kam marrë një pozicion kur e kam shkruar këtë roman. Deklarohem kundër asaj që ti e quan qasje konstruktiviste. Romani, si letra, duhet të jetë i lirë, të zërë më shumë hapësirë, të ngarendë shpejt, të ndërmarrë rrezikun e vdekjes dhe rënies. Jam larguar nga Floberi në drejtim të Walter Skotit, Balzakut dhe Dikensit. Pasi që kurorëzuar përpjekjen time ashtu siç kam mundur, tash më duhet ta paguaj çmimin. Ne i lëmë gabimet të dalin. I lëmë të mbesin në libër siç mëkatet tona mbesin në jetët tona. Shpresoj që ca prej tyre të mund të falen. Do të bëj ç’të mundem; kusuri është në dorën e Zotit.

Dy gjëra rreth librit tim ende më kënaqin: komedia dhe personazhet.

Shumica e njerëzve s’e kanë kapur atë që, për mua, është hareja e librit. Ata vuajnë nga rëndesa e kulturës. Ata thonë “piktoresk” dhe nuk qeshin. Ekspertët e bejsbollit që godasin te romani ty Natural me të dy këmbët janë në të njëjtën ligë: mëkatarët kundër imagjinatës dhe shpirtit të komedisë.

Të jam shumë mirënjohës që më ke shkruar,

Yti

Shënim:

Mbajtës regjistrash njujorkez, Steve Brodie, kishte pohuar se i kishte mbijetuar një kërcimi të çmendur nga ura e Bruklinit, më 1886. Nuk dihet nëse e kishte bërë vërtet. Shprehja të shtysh Brodin, ose të bësh si Steve Brodien ka hyrë në anglisht si term që do të thotë të bësh diçka spektakulare dhe të rrezikshme.

LETRA E DYTË

Për Bernard Malamud

25 mars 1979 Chicago

I dashur Bern,

Si trashëgimi e drejtpërdrejtë nga plaku im kam zakonin të pres deri në një pikë të nevojshme para se të nisem në një udhëtim – pastaj e kuptoj se çka e konsideroj më të nevojshme. Alexanda dhe unë jemi gati të nisemi për në Washington të presim nënshkrimin e Marrëveshjes egjiptiane dhe nuk mund të shkoj pa menduar për romanin tënd Dubin’s Lives. Isha i lumtur që e gjeta, i kënaqur se po udhëhiqesha nga shkrimi i mirë, nga inteligjenca, stili, drejt një bote të artikuluar më mirë dhe të rregulluar se sa ajo në të cilën kam qenë duke jetuar. Libri i rendit të parë zhvillon organe tek unë që i bart me vete në një gjendje latente dhe verbërie. Shoh më qartë prej se kam lexuar Dubinin.

Intimiteti yt natyror më zë në befasi, befasi e këndshme. Nuk ke qenë i shtyrë nga kërkesat e një libri. Është diçka që ke e bërë vetë, e ke korrur. Për hebrenjtë nga Çikagoja ose Nju Jorku është diçka që duhet të bëjnë më vonë në jetën e tyre. Nuk është e drejtë e lindur. Jo të jenë të privuar nga lulet dhe peizazhet, duke jetuar dhe vdekur nën rrjetat e metrove apo trenave të shpejtë – kështu janë gjërat.

Tema e Lawrence nuk bën shumë për mua. E kam lexuar bukur për së afërmi një kohë. Adhurim i devotshëm, po; megjithatë jo shenjtëri, prej kohësh tashmë. Sidoqoftë, kam shkuar nëpër territorin e Lawrencet me dritat ndezur. Ajo që më ka bërë përshtypje bukur fort ishte dimri i rëndë, dimri paralizues. Kurrë s’kam vuajtur nga “bllokimi” fatal. Kam qenë i dëshpëruar, në ferr, por po të pyetesha çka po ndodhte, kurrë s’do ta përshkruaja atë si “bllokim”.

Kam simpati të madhe me gruan, më pak me Fannyn. Por po ta them ty këtë naivisht, jo në mënyrë kritike. Si mund të jem kritikues? Jam shumë mirënjohës për kënaqësinë që ti ma jep.

Ndoshta kam njohur tepër atë lloj trishtimi seksual që të jem në gjendje ta gjykoj atë në mënyrë të besueshme. Nuk jam i kualifikuar, prandaj; nuk i besoj vetes në këtë departament he shpresoj se s’do ta marrësh parehatinë time si cikërrimë. Libri yt më ka kënaqur.

Përzemërsisht

LETRA E TRETË

Për Bernard Malamud

22 dhjetor 1981 Chicago

I dashur Bern:

Tash po e shoh – ky libër (God’s Grace) ishte për ty një ikje ashtu siç kishte qenë për mua Dean. Ti më thoshe se ky libër do të jetë ndryshe, kështu që disi isha i përgatitur por jo aq sa duhet. Edhe lexuesit më të mirë si gjeneralët janë gjithmonë duke e bërë luftën e fundit. Jo që të të mbaj pezull, God’s Grace më kënaqi dhe në fund më vuri në lëvizje. Pse a si nuk jam në gjendje ta them. Ndoshta qasja më e mirë ndaj këtij misteri është të them se çka po mendoja teksa po e lexoja.

E para, sa i përket performances: ne jemi përherë të lumtur kur lexojmë dikë që e ka mësuar rrugën e vet, e ka përsosur. Mund t’i zëmë besë. E dorëzojmë veten tek ai dhe kjo është etapa e parë e lumturisë.

Pastaj përpiqemi të identifikojmë hapësirat. Çfarë lloj libri është? Kufiri i dëmit dhe tutje: shkatërrimi i planetit, vërshimi, apokalipsi, zëri i Zotit. Cohn është Noah, Cohn është Jobi, ai bile është edhe Robinson Kruzo. Fundi i botës nuk mund të sjellë fundin e mendjemprehtësisë hebreje. Zoti yt është shumë humorist, sidoqoftë, dhe romani është njëmend apokaliptik. Për më tepër, është roman, jo shpalosje e një eskatologjie. Ka të bëjë me përgatitjen tonë me gjërat e fundit, fundin. Mendjet dhe ndjenjat tona, dekadë pas dekade, janë shtyrë në atë drejtim. Nuk është çështje e një teme që gjen “korrelativë objektivë”. I kemi përjetuar korrelativët së pari. Ata na përgatisin kryesisht për më të keqen; e kemi parë të vijë dhe jemi pajtuar se e kemi e merituar ose do ta meritojmë atë. Me aprovimin e hakmarrjes, ne e kemi mbështetur atë. Këtë kemi bërë gjersa kemi thithur ajrin e nihilizmit dhe gjersa kemi aplikuar metodat e “shkencës” (puna e kësaj shkence të na thotë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e realitetit), por po ashtu edhe gjersa përpiqeshim të kapemi pas mirësjelljes së liberalizmit. E gjithë kjo është te libri yt. Isha i intriguar, nganjëherë i tmerruar, nganjëherë i irrituar, por në fund gjeta veten time të vazhdonte tutje pa problem. Gjërat ishin ashtu siç duhej të ishin në fund. Dyshimet e mia kaluan në prapavijë. S’kishte asgjë për të dyshuar te një emocion i tillë, apo pas-emocion.  

Mund të befasohesh kur të mësosh se sa hebreje, hebreo-amerikane, Breg perëndimore dhe “liberale” më duket God’s Grace: Cohn që u jep mësime shimpanzeve, dega kryepeshkopore më e poshtme e destinuar që më gjasë të zërë majat; Cohn që vendos të japë kontributin e tij njerëzor për këtë zhvillim. Zoti refuzon këtë; ligjet e natyrës kafshërore nuk mund të largohen për një ditë, lypsen mijëra mijëvjeçarë për këtë. Po, dhe madhështia shekspiriane që bie përkohësisht mbi Mary M.

Pas fatkeqësisë së fundit Cohn fillon nga e para (siç hebreu i mirë duhet të vazhdojë të përpiqet), mban fjalime, jep leksione, kultivon mendjet dhe moralin. E identifikoj veten shpesh me bletët. Po ashtu kam qenë i magjepsur (shumë kohë më parë) nga ortodoksia e Dawin-Wallace, por më vonë m’u duk se ajo ortodoksi materialiste nuk mund t’u përgjigjej çështjeve të thella rreth natyrës së vetëdijes njerëzore. Gjithë kjo u jep leksioneve të Cohnit njëfarë patosi. Kështu bëri edhe shpirti i Kulturës Etike i komunitetit që donte të krijonte. E tëra duhej të shkonte mirë. Ti e trajton këtë me ironinë që meriton dhe sheh qartë defetizmin implicit në këtë formë të “mirësisë”, por ti duket se sugjeron se kurrë asnjë alternativë nuk mund t’i nevojitet Cohnit. Sensi politik i kësaj të është i qartë. Dëshira e mirësisë sentimentale e Cohnit është fatale. Nuk mund t’i paraprijë të keqes, nuk ka forcë, nuk është në gjendje ta mbrojë veten dhe është e papranueshme për Zotin si dobësi njerëzore; në të vërtetë Cohni duhet, si pjesa tjetër e njerëzimit, të vdesë. Apo mos duhej më parë të thosha “si Perëndimi të cilin Cohni e reprezenton krejtësisht”? Sidoqoftë, flijimi i Isakut i Cohnit më ka prekur thellë. S’di ta them pse, ose ishte alles bedeutet1.

Mund të mos jem lexuesi yt më përfaqësues, por jam adhurues yti. Mund të të duken të çuditshme reagimet e mia. Për një arsye ato janë në mënyrë të papritur politike (unë vetë s’e prisja të ishin të tilla). Por ti ke shkruar me një çiltërsi të caktuar, libri është trazues dhe parashikoj se do të nxisë një shumësi të pazakontë interpretimesh. Ngase është libër trazues. Në këtë aspekt ka shumë të përbashkëta me romanin Dean’s December. Çka kjo mund të bedeut është se si shkrimtarë të nderuar ne s’kemi asgjë tjetër të regjistrojmë këtyre kohëve.

Të përgëzoj dhe të përqafoj me dashuri,

/Marrë nga Saul Bellow, Letters, Viking Penguin, 2010

/Gazeta Express