Oliver Sacks (1933-2015) u njoftua me poetin e njohur anglez W. H. Auden (1907–1973) nga një mik i përbashkët, Orlan Fox, në një ndejë kokteji më 1967, pas së cilës Auden herë pas here e ftonte atë për çajin e pasditës në apartamentin e tij në St. Mark’s Place në East Village. Auden shprehte një interesim të thellë për mjekësinë; babai i tij kishte shërbyer si oficer mjekësor gjatë shpërthimit të parë të epidemisë letargjike encefalitike. Më 1969, Sacks e kishte ftuar Audenin të vizitonte Beth Abrahamin dhe të takohej me pacientët e tij. Më 1971 Audeni i kërkoi Foxit t’ia dërgonte Sacksit një poezi të re, “Talking to Myself (for Oliver Sacks)”1.
LETRA E PARË
Për W. H. Auden
15 maj 1971
[New York]
I dashur z. Auden,
Jam prekur thellësisht nga poezia e mrekullueshme që Orlani ma ka sjellë dhe nga dëshira juaj që të ma kushtoni atë mua. Vetë poezia ka rikumbuar në të gjitha mënyrat në mendjen time – përnjëmend, ka evokuar njëë mori imazhesh dhe ndjenjash sa e kam fare të pamundshme të shkruaj një letër që do t’i shprehte ato (i kam shkruar rreth njëzet sosh deri tash dhe i kam hedhur!). Poezia është mrekullisht e ndërtuar, evokative dhe e dendur me zanore si vetë Natyra.
Jam njeriu më i mikluar dhe i nderuar të kem një poezi të tillë që më kushtohet mua dhe më dhuron një kënaqësi të tillë që do të më përcjellë gjithë jetën.
Falemidnerit për poezinë tuaj dhe për gjithçka tjetër. Do të përpiqem t’jua shkruaj një letër më të gjatë dhe më koherente së shpejti.
Urimet më të mira,
Juaji sinqerisht
LETRA E DYTË
Për W. H. Auden
25 korrik 1971
[New York]
I dashur z. Auden,
Ju keni qenë pothuajse pabesueshmërisht i këndshëm ndaj meje dhe unë kam qenë pothuajse pabesueshmërisht i mërzitshëm. Mund t’ju them vetëm se kam qenë kryesisht në një gjendje shpirtërore të neveritshme dëshpëruese për javë të tëra dhe virtualisht nuk isha në gjendje të shkruaja asnjë letër; po shkoj në Londër sot, do të jem aty gjithë verës dhe po ndiej një ndriçim të papritur të gjendjes shpirtërore, një ndjesi lehtësimi; dhe se gjëja e parë që duhej të bëja, s’do mend, t’ju shkruaja jive.
Recensioni2 juaj ishte i mrekullueshëm – mendoj se ju keni zotësinë më të rrallë, zotësinë të jeni i interesuar absolutisht për gjithçka dhe t’i qaseni gjithçkaje në mënyra përherë të reja. Madje recensioni juaj më bëri po ashtu të shikoj librin tim me një interesim të ripëtërirë, çka nuk e kam bërë prej muajsh! Kam tashmë drojën se recensioni juaj e ka prezantuar librin para një seti lexuesish që kurrë, në një rrjedhë normale të gjërave, s’do të kishin dëgjuar për të, s’do të kishin treguar ndonjë interesim edhe sikur të kishin dëgjuar për të. Ajo çka unë më së shumti dëshiroj të bëj – në çkado që shkruaj – është të përpiqem të ringjall diçka nga komunikimi që duket të ketë humbur mes shkrimit shkencor dhe lexuesit të rëndomtë. Te migrena dhe (me gjasë edhe më shumë) te temat me të cilat merrem zakonisht – parkinsonizmi, tikët, transet, etj., – shohim fenomene që në shikim të parë duken të çuditshme dhe të parëndësishme për përvojën e rëndomtë; pastaj shohim se ato janë fort të lidhura me gjërat familjare dhe mund t’i ndriçojnë ato në të gjitha mënyrat si dhe të ndriçohen prej tyre; dhe, mbi të gjitha, na duhet gjuha e rëndomtë për t’i lidhur mes vete. Kudo e shohim këtë ujdi të mahnitshme (në të cilën çdo molekulë, qelizë, organ dhe funksion e ka vendin dhe rolin e vet, është sajuar në mënyrë të përsosur për të dhe e njeh atë) – kështu që, siç e thoni edhe ju në poezinë tuaj, trupi bëhet metafor e kosmosit3.
Ishte kujdes i posaçëm nga ana juaj të ma dërgonit poezinë e Danbarit për Heid-Ake4 e tij, ecila është shumë e bukur dhe e mprehtë. Dalëngadalë po e ngre një koleksion të konsiderueshëm aluzionesh mbi migrenën – janë pothuajse jashtëzakonisht të shumta dhe të larmishme, nga mbishkrimet sumere te znj.Gradgrind. Po munda ta nxjerr një antologji prej tyre, do të mund të paraqisnin çdo lloj komenti të pranueshëm që njerëzit kanë bërë rreth migrizmit. Poezia e Dunbarit do të jetë një ekzemplar i veçantë i çmueshëm.
LETRA E TRETË
Për W. H. Auden
18 gusht 1971
[37 Mapesbury Rd., London]
I dashur Wystan,
Letra juaj më është sjellë para pak ditësh dhe ishte (ose poezia juaj, ose ju) qetësuesi më i mirë. A vjen një moment (nëse je me fat, ose ke dhuntitë e duhura, ose favorin, ose ia bën hyzmetin) kru stili, ndjesia, përmbajtja, gjykimi që të gjitha rrjedhin së toku dhe marrin formën e duhur? Poezia juaj “Anthem” duket instinktivisht dhe lehtësisht lirike dhe absolutisht natyrore, si një zhvillim organik; dhe prapëseprapë e ka zgjedhjen e fjalëve më të kujdesshme, të sofistikuar dhe të stërholluar – pa asnjë ndjesi të ndonjë “shtese” askund, apo të ndonjë artifici, apo të ndonjë maipulimi. Mahnitëse. Do ta mbaj pranë vetes.
Po, mendoj se citimi i Coleridget ishte gjetje e mirë, kështu edhe pika kryesore. Pajtohem (e ndiej) plotësisht në lidhje me Novalisin5. Në njëfarë kuptimi, mendoj, sensi im mjekësor është muzikor. Diagnostikoj përmes ndjesisë së diskordancës, ose përmes ndonjë veçorie të harmonisë. Është e menjëhershme, totale dhe geshtalt. Pacientët e mi me sëmundje gjumi6 kanë tipa të ndryshëm “krizash” të çuditshme, pafundësisht komplekse, absolutisht specifike, po prapë krejtësisht të papërshkrueshme. Tash i njoh ata që të gjithë ashtu siç e njoh një masë të Brahmsit apo Mahlerit. Kështu bëjnë edhe pacientët. Harmoni kaq të çuditshme fizliologjike – shpresoj të mund të gjej ndonjë mënyrë t’i përshkruaj, ngase janë gjendje unike, në gati se ekzistuese, përtej ekzistencës së imagjinueshme, të pakapshme dhe kur pacienti i fundit i sëmundjes së gjumit vdes (tashmë janë goxha në moshë) s’do të mbetet pas asnjë kujtim i gjendjeve të tyre të jashtëzakonshme. Të shkruarit tash për tash duket më tepër si një mundim – mbase po provoj diçka më të rëndë – s’po e kap dot kuptimin, ose këtu ka ndonjë lloj “rënieje” mes fjalës dhe domethënies dhe fraza që dje dukej e drejtë sot është e vdekur. […] E zhargoni mjekësor është i shkretë. Nuk përçon imazh të vërtetë, kurrfarë përshtypjeje, të asaj që – të themi – ndihet të jetë parkinsoniane. Dhe prapë është një ndjesi absolutisht e veçantë dhe të patolerueshme. Një ndjesi veçimi, por e një sforcimi, veçimi, ngërçi, ndrydhjeje të brendshme, që është bukur analoge me depresionin (megjithëse nuk është emocionale sa ai) dhe, natyrisht, është goxha depresiv. Dhe një konflikt therës i brendshëm – një pacient e kishte quajrtur shtyj-e-tërhiq, një tjetër hosten-e-kapistër. Është gjendja më e urrejtshme, sado që ka një lloj strukture formale elegante. Por asnjë libër që njoh unë nuk e thotë se parkinsonizmi ndihet kpshtu – thjesht e tkurrin në një evidentim joevokativ të simptomave. Shpresoj që Osbert Sitwelli7 s’do ta marrë me të keq.
Kam lexuar diçka nga Gëte (për herë të parë, përnjëmend) dy javëve të fundit. Fillova me Ditarin italian – falë Zotit fillova me këtë, ose s’do të kisha vazhduar tutje. Pastaj me Faustin pelikan – mbase është i njëjti titull në të gjitha përkthimet. Më duhet të mësoj gjermanishten. Dhe esenë përrallore të Manit për Gëten dhe Tolstoin. Dhe Afinitetet përzgjedhëse. Dhe atë biografinë magjepsëse dredhuese dhe madhtështore të Lewesit8. Këtu ka një pikë (mendoj në kapitullin e tij për filantropinë e Gëtes) ku Lewesi thotë se mund ta “hajë Gëten nga dashuria” – dhe ma ha mendja se këto po fillojnë të jenë edhe ndjenjat e mia po ashtu.
Shpresoj të mund të bashkohem me Orlanin në vizitën e tij të shkurtër në Vjenë9. S’ka gjë që do të doja më shumë, por jam tmerrësisht i zënë me librin tim të radhës dhe mund të mos jem i lirë (ose ta ndiej veten të lirë) derisa ta kem përfunduar. Do të doja t’ju shihja në Kirchstetten tuaj, por nëse nuk mundem, sigurisht do t’ju takoj në Nju Jork ca javë më vonë.
Juaji gjithmonë
Shënime:
1) Megjithëse duket t’i jetë adresuar partneres së tij, Chester Kallman, Audeni i kishte thënë Foxit se ai ndihej se O. Sacksi “ishte pjesërisht përgjegjës për atë poezi”. Poeti dhe neurologu kishin biseduar shpesh për shumë tema, përfshirë migrenën, rastësinë, lëkundjet e humorit, aktivitetin neuronal, etj. 2)Audeni e kishte recensuar librin ‘Migrena’ të Sacksit për The New York Review of Books. 3) Referencë në një varg nga ‘Talking to Myself’: “You can serve me as my emblem for the Cosmos”. 4) Poeti skocez William Dunbar (1459-1530) kishte shkruar rreth migrenës së vet, duke përshkruar dhimbjen dhe ndjeshmërinë ndaj dritës. 5) Poeti gjerman Novalis kishte shkruar “Every disease is a musical problem; its cure a musical solution”, aforizëm që Sacks e citonte shpesh. 6) Tjetër emër për encefalitisin letargjik. 7) Osbert Sitwell (1892-1969), shkrimtar dhe vëlla i Edith Sitwell. 8) George Henry Lewes, autor i librit The Life of Goethe (1855). 9) Audeni e kishte kaluar verën në një fermë në Kirchstetten, jashtë Vjenës.
/Marrë nga Oliver Sacks, ‘Letters’, Alfred A. Knopf, 2024
/Gazeta Express