Maurice Ravel (1875-1923), kompozitor, pianist dhe drejtor orkestre francez. I njohur për veprën e tij Bolero, bashkë me Debussy-n ai është konsideruar një prej përfaqësuesve të impresionizmit
Për Maurice Delage
Mbi Ren, Dyseldorf, Yacht Aimée
5/7/1905
Miku im i dashur,
Prej dje jemi në Gjermani, mbi Renin gjerman. Ky s’është fare Reni që e imagjinoja, tragjik dhe legjendar, të populluar, në mungesë të nimfave, me gnomë dhe valkirë, me burgs-ë mbi shkëmbinj të thiktë, në mes të pishave, Hygoja, Wagneri, Gustave Doreja. Duket se mund të gjesh gjëra të tilla pakëz më larg, afër Këlnit. Për momentin është goxha bukur, mbase edhe më mirë. Ajo që e pashë mbrëmë më ka mbetur në sy, bashkë me portin e Anversës. Pas një dite të mërzitshme, mbi një lumë që rridhte vrullshëm mes dy brigjeve dëshpërimisht të rrafshëta, pa karakter, nxjerrë kokën një qytet me oxhaqe, kupolash që vjellin flakë e tym të kuq ose të kaltër. Është Ahumi (Ahaus), një shkritore gjigante ku punojnë ditë e natë 24.000 punëtorë. Ndalemi këtu, meqë Rerorth (Ruhrort) është tepër larg. Aq më mirë, sepse përndryshe s’do të kishim mundur të shihnim këtë spektakël mahnitës. Zbritëm deri te fabrikat, teksa po binte terri. Si t’jua rrëfej përshtypjen që pata para këtyre kështjellave të gizës së shkrirë, këtyre katedraleve magjepsëse, simfonisë së mrekullueshme të shiritave transportues, fishkëllimave, të rënave aq të forta të çekanëve. Ngado një qiell i kuq, i errët dhe ndritës. Atje lart shpërtheu një stuhi. U rikthyem krejtësisht qull, me gjendje shpirtërore të ndryshme. Ida, e lemerisur, donte të qante. Edhe unë, por nga gëzimi. Sa muzikale është e gjithë kjo! Njëmend më duhet të shërbehem me të. Po binte shi kur u nisëm sot në mëngjes. Një diell shumë i zbehtë, atje lart në qiell. Në çdo çast, masa të kaltra profilizohen përmes mjegullës së verdhemë. Pastaj ndërshihen ndërtime të ngjashme me pallate të mëdha magjike. Janë gjithmonë fabrikat monumentale që e mbulojnë tërë regjionin.
Tash peizazhi bëhet paqësor. Brigjet përsëri të rrafshëta me pjesë malore aty-këtu. Sonte llogarisim të flemë në Dyseldorf.
Më shkruaj në Frankfurt, do të jetë më me mend. Do të arrijmë atje pas pesë a gjashtë ditësh.
Një shtrëngim dashuror i putrës,
Maurice Ravel
Marrë nga: Ravel “Lettere”, EDT, 1998
/Përkthimi: Gazeta Express
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...