Letërkëmbimi Pse lufta?, ishte bërë i mundur më 1931 nga Komiteti i përhershëm i letrave dhe arteve i Shoqërisë së Kombëve, i cili e ftoi Institutin ndërkombëtar intelektual të promovonte një debat epistolar mbi tema të interesit të përgjithshëm mes eksponentëve më domethënës të kulturës së asaj kohe
Përgjigjja e Freudit
Vjenë, shtator 1932
I dashur zoti Einstein,
Kur mora vesh se Ju kishit për synim të më ftonit në një shkëmbim idesh mbi një temë që Ju intereson dhe që Ju duket e denjë edhe për interesin e të tjerëve, e shprehuar pëlqimin tim menjëherë. Prisja që Ju do të zgjidhnit një problem në limitin e të njohurës në ditët e sotme, të cilës, secili nga ne, si fizikani ashtu edhe psikologu, do të mund t’i hapte udhën e tij të veçantë të qasjes, në mënyrë që nga kënde të ndryshme pastaj do të takoheshin në të njëjtin terren. Ndërkohë Ju më keni zënë në befasi me pyetjen mbi atë se çfarë mund të bëhet për ta mbajtur larg njerëzve fatalitetin e luftës. Fillimisht u tremba nga përshtypja e jo-kompetencës sime – gati isha duke thënë: tonë –, meqë kjo më dukej një detyrë praktike që u përket burrave të shtetit ta zgjidhin. Po pastaj i rashë në të se Ju keni parashtruar pyetjen jo si hulumtues natyror dhe si fizikan, porse si mik i njerëzimit, që i kishte ndjekur nxitjet e Shoqërisë së Kombeve ashtu siç kishte bërë eksploratori polar Fridtjof Nansen, atëherë kur mori përsipër detyrën t’u dilte në ndihmë të uriturve dhe viktimave pa atdhe të luftës botërore. Pastaj reflektova se nuk pretendohej prej meje të bëja propozime praktike, por se duhej thjesht të tregoja se si paraqitet problemi i parandalimit të luftës në shqyrtimet e një psikologu. Megjithatë, edhe në lidhje me këtë ajo që ishte për t’u thënë ishte thënë tashmë në një pjesë bukur të mirë në tekstin Tuaj. Në njëfarë mënyre Ju ma keni hequr përparësinë, por unë udhëtoj me shumë qejf në atë vazhdë, prandaj përgatitem ta konfirmoj gjithë atë që Ju e vëni përpara, në masën që e zhvilloj më gjerësisht duke i ndjekur njohjet (ose hamendjet) e mia më të mira.
Ju keni filluar me raportin mes forcës dhe të së drejtës. Sigurisht kjo është pikënisja e duhur për hulumtimin tonë. Mund ta zëvendësoj fjalën «forcë» me fjalën më të mprehtë dhe më të rëndë, «dhunë»? E drejta dhe dhuna janë për ne sot terma të kundërt. Është e lehtë të dëshmojmë se njëri është zhvilluar nga tjetri dhe, nëse ngjitemi te zanafilla e jetës njerëzore për ta verifikuar si ka ndodhur kjo qysh atëherë, zgjidhja e problemit na duket i lehtë. Falmëni nëse në vijim flas për atë që është e njohur universalisht si të ishte e re; bashkëlidhja e së tërës më obligon ta bëj këtë.
Konfliktet e interesit mes njerëzve pra, parimisht, zgjidhen nëpërmjet përdorimit të dhunës. Kjo ndodh në të gjithë mbretërinë kafshërore, në të cilën njeriu bën pjesë pa fijen e dyshimit; njerëzve u shtohen, thënë të vërtetën, edhe konfliktet e opinioneve, që arrijnë deri te majat më të larta të abstraksionit dhe duket se kërkojnë, për t’u zgjidhur, një teknikë tjetër. Por ky është një komplikim që ndërhyn më vonë. Fillimisht, në një hordhi të vogël njerëzore, forca më e madhe muskulore vendoste kujt duhej t’i takonte diçka, ose vullneti i kujt duhej të zbatohej. Shumë shpejt forca muskulore u rrit dhe zëvendësua përmes përdorimit të instrumenteve; fiton ai që i ka armët më të mira, apo që i përdor në mënyrë më të shkathët. Me ndërfutjen e armëve superioriteti intelektual nis tashmë të zërë vendin e forcës muskulore bruto, sado që qëllimi final i përleshjes mbetet i njëjti: njëra prej dy palëve, për shkak të dëmit që pëson dhe të zgërlaqjes së forcave të saj, duhet të detyrohet të heqë dorë nga rivendikimet apo kundërshtimet e saj. Kjo arrihet në mënyrën më radikale kur dhuna e heq qafësh kundërshtarin përfundimisht, do të thotë e vret. Sistemi i ka dy përparësi: kundërshtari nuk mund të ndërmarrë veprime luftarake në raste të tjera dhe fati i tij i dekurajon të tjerët të ndjekin shembullin e tij. Nga ana tjetër, vrasja e armikut e kënaq prirjen impulsive për të cilën do të flas më vonë. Te qëllimi i vrasjes ndërfutet shpesh reflektimi se armiku mund të angazhohet në punë të ulëta të dobishme nëse frikësohet dhe lihet në jetë. Atëherë dhuna mjaftohet me nënshtrimin e tij, në vend se ta vrasë. Kështu fillohet të kursehet armiku, por fituesi tash e tutje duhet t’i lajë hesapet me maninë e hakmarrjes të të mposhturit, gjithnjë në pritë, dhe kësodore heq dorë pjesërisht nga siguria e vet.
Kjo pra është gjendja zanafillore, predominimi i më të fortit, i dhunës bruto apo të mbështetur nga inteligjenca. E dimë se ky regjim ka ndryshuar në rrjedhën e evolucionit, se një rrugë çoi nga dhuna tek e drejta, por cila? Një e vetme, sipas mendimit tim: ajo që kalonte përmes sigurisë se stërforca e njërit të vetëm mund të bilancohej nga bashkimi i më të dobëtëve. L’union fait la force. Dhuna thyhet nga bashkimi i të shumtëve, fuqia e atyre që janë bashkuar paraqet tash të drejtën përballë dhunës së individit. Kështu shohim se e drejta është fuqia e një komuniteti. Përsëri është gjithmonë dhunë, e gatshme të kthehet kundër kujtdo që i kundërvihet, operon me të njëjtat mjete, ndjek të njëjtat qëllime; dallimi qëndron vetëm në faktin se nuk është më dhuna e një individi ajo që triumfon, por ajo e komunitetit. Por që të bëhet ky kalim nga dhuna tek e drejta e re duhet të përmbushet një kusht psikologjik. Bashkimi i më të shumtëve duhet të jetë stabil, jetëgjatë. Nëse ai bashkim do të ndërtohej vetëm me qëllimin e luftimit të prepotentit dhe do të shpërbëhej pasi ta ketë mundur atë, atëherë me këtë nuk do të arrihej asgjë. Personazhi i ardhshëm që do të quante veten më të fortë do të synonte sërish të mbizotëronte me dhunë, e kështu loja do të përsëritej pafundësisht. Komuniteti duhet të mbahet përherësisht, të organizohet, të normëzojë statutet që do t’i parandalonin rebelimet e mundshme, të ndërtonte organe që do të vigjilonin respektimin e normave – ligjet – dhe që do të kujdeseshin për ndëshkimin e akteve të dhunës konform ligjeve. Në pranimin e një bashkëpronësie të tillë interesash instaurohen mes anëtarëve të një grupi njerëzor koheziv ato lidhje emotive, ato sentimente komunitare mbi të cilat mbështetet forca e vërtetë e grupit.
Me këtë, ma ha mendja, është thënë e gjithë ajo që është thelmbësore: triumfi i dhunës nëpërmjet transmetimit të fuqisë te një komunitet më i gjerë që mbahet bashkë nga lidhjet emotive mes anëtarëve. Kusuri janë saktësime dhe përsëritje.
Kjo është e thjeshtë derisa komuniteti përbëhet vetëm nga një numër i caktuar individësh të fortë në mënyrë të barabartë. Ligjet e kësaj vëllazërie përcaktojnë kësodore deri në çfarë pike duhet të jetë e limituar liria e çdo individi për të përdorur forcën e tij në mënyrë të dhunshme, me qëllim që të bëhet e mundshme një jetë kolektive e sigurt. Por një gjendje e tillë paqeje është e mendueshme vetëm teoritikisht, në realitet rrethanat komplikohen ngase komuniteti që në fillim përfshin elemente të forcës së pabarabartë, burra e gra, prindër e fëmijë, dhe shumë shpejt, si pasojë e luftës dhe nënshtrimit, fitues dhe të mundur, që shndërrohen në pronarë dhe skllevër. E drejta e komunitetit bëhet kështu shprehje e raporteve të forcës të pabarabarta brenda shtëpisë, ligjet bëhen nga dhe për ata që komandojnë dhe u japin të drejta të mangëta atyre që janë nënshtruar. Nga atëherë e tutje brenda komunitetit ka dy burime të parehatisë – por edhe të përsosjes – të së drejtës. Në radhë të parë përpjekja e këtij a atij zotërie të ngrihet mbi shrëngimet e vlefshme për të gjithë, pra për t’u kthyer nga mbretëria e së drejtës tek ajo e dhunës; në radhë të dytë mundimet e përhershme të të nënshtruarve për të siguruar më shumë pushtet dhe për ta detyruar ligjin t’i pranojë ato ndryshime, pra, e kundërta, për të kaluar nga e drejta e pabarabartë drejt asaj të barabartë për të gjithë. Kjo lëvizje në vijim bëhet e njohur në mënyrë të posaçme kur ndodhin zhvendosjet efektive të raporteve të pushtetit brenda kolektivit, siç mund të ndodhë shkaku i veprimit të faktorëve të shumëfishtë historikë. Atëherë e drejta mund të bëhet gradualisht konforme me raportet e reja të pushtetit, ose, çka ndodh më shpesh, klasa dominuese nuk është e gatshme të kutpojë këtë ndryshim, arrihet deri te kryengritjet, luftërat civile, pra te një pezullim i përkohshëm i së drejtës dhe deri te dëshmitë e reja të dhunës, në vijim të të cilave instaurohet në rendim i ri juridik. Ka edhe një burim tjetër të ndryshimit të së drejtës, që manifrestohet vetëm në mënyra paqësore, do të thotë transformimi i anëtarëve të një kolektiviteti, por ajo i përket një konteksti që mund të merret në shqyrtim vetëm më vonë.
Shohim pra se edhe brenda një kolektiviteti nuk mund të shmanget zgjidhja e dhunshme e konflikteve. Por nevoja dhe koincidencat e interesave që rrjedhin nga jeta e përbashkët në të njëjtën tokë e favorizojnë një përfundim të shpejtë të përplasjeve të tilla dhe gjasat që në këto kushte të arrihet në zgjidhje paqësore janë në rritje të vazhdueshme. Një shikim në historinë e njerëzimit na e shfaq megjithatë një seri të pandërprerë të konflikteve mes një kolektiviteti dhe një tjetri a më shumë sish, mes bashkësish më shumë a më pak të gjera, qytete, vendbanime, tribu, popuj, shtete, konflikte që zgjidhen pothuajse gjithmonë me anë të provës së forcës së luftës. Luftërat e tilla zgjidhen ose me një plaçkitje ose me një nënshtrim të plotë, pushtimin e njërës palë në dëm të palës tjetër. Nuk mund të gjykohen njëzërit luftërat pushtuese. Disa sosh, si ato të mongolëve dhe të turqve, kanë sjellë vetëm gjëma, disa të tjera përkundrazi kanë kontribuuar në transformimin e dhunës në të drejtë, duke prodhur bashkësi më të mëdha, në brendi të të cilave mundësia e përdorimit të dhunës u asgjësua dhe një rendim i ri juridik arriti t’i fashitë konfliktet. Kësodore pushtimet e romakëve u dhanë vendeve mesdhetare të çmuarën pax romana. Gjakimi i mbretërve francezë për t’i zmadhuar pronat krijoi një Francë paqësisht të bashkuar, lulëzuese. Sado paradoksale që të mund të duket kjo, gjithsesi duhet ta pranojmë se lufta nuk është një mjet i papërshtatshëm për ndërtimin e paqes së lakmuar të «përjetshme», meqë do të mund t’ia dilte të krijonte ato bashkësi më të gjera në brendi të të cilave një pushtet i fortë qendror i bën të pamundshme luftërat e mëvonshme. Sidoqoftë, lufta nuk arrin këtë rezultat, ngase sukseset e pushtimit rëndom nuk janë jetëgjatë; bashkësitë e sapo krijuara shpërbëhen, prë më tepër për shkak të kohezionit të pamjaftueshëm të pjesëve të bashkuara forcërisht. Nga ana tjetër pushtimi deri më sot ka mundur të krijojë veç inifikime të pjesshme, edhe pse të një shtrirjeje të madhe, dhe pikërisht konfliktet që kanë lindur brenda këtyre unfikimeve e kanë bërë të pashmangshme përdorimin e dhunës. Kështu, pasoja e vetme e të gjitha këtyre përpjekjeve luftarake është se njerëzimi ia zëvendësuar lufërat e vogla të vazhdueshme me luftërat e mëdha, sa më pak të shpeshta aq më shkatërrimtare.
Sa i përket epokës sonë, na imponohet i njëjti përfundim tek i cili keni arritur Ju përmes një rruge më të shkurtër. Një preventivë e sigurt e luftës është e mundshme vetëm nëse njerëzit bien në ujdi të themelojnë një autoritet qendror, verdiktit të të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjitha konfliktet e interesit. Këtu përmbyllne qartë dy nevoja të ndryshme: ajo e krijimit të një Gjykate supreme të ngjashme, dhe ajo që asaj t’i sigurohet pushteti që i nevojitet. E para pa të dytën s’do të hynte në punë për asgjë. tash Shoqëria e Kombeve është konceptuar si bashki supreme e atij lloji, por kushti i dytë nuk është përmbushur; Shoqëria e Kombeve nuk e ka forcën e vete dhe mund ta ketë një të tillë vetëm nëse anëtarët e asocacionit të ri – shtetet e veçanta – ia lejojnë. Sidoqoftë, për momentin ka fare pak gjasa që kjo të ndodhë. Do të shmangej domethënia e institucionit si ai i Shoqërisë së Kombeve po ta injorinim faktin se këtu gjendemi përballë një tentative guximtare, rrallëherë të ndërmarrë në historinë e njerëzimit, e mbase kurrë në këtë masë. Ajo është tentativa për ta fituar, përmes thirrjes te parimet e caktuara ideale, autoritetin (do të thotë influencën detyruese) që zakonisht bazohet në posedimin e forcës. Kemi parë se elementet që e mbajnë bashkë një komunitet janë dy: detyrimi i dhunshëm dhe lidhjet emotive mes anëtarëve të tij (pra, në terma teknikë, atë që quhen identifikime). Në rastin kur mungon njëri prej dy faktorëve nuk përjashtohet që tjetri të mund të mbajë të bashkuar komunitetin. Idetë të cilave u bëhet apel natyrisht kanë një domethënie vetëm nëse shpresin elemente të rëndësishme të përnbashkëta për anëtarët e një komuniteti të caktuar. Pastaj lind problemi: çfarë force mund t’iu atribuohet atyre ideve? Historia në mëson se njëfarë funksioni edhe e kanë pasur. Ideja panhelenike, për shembull, vetëdija e të qenit diçka më mirë se babrbarët përreth, ide që gjeti shprehje aq të fuqishme tek anficionitë, tek orakullët dhe Lojërat olimpike, qe mjaftueshëm e fortë për të zbutur zakonet në kushtet e luftës mes grekëve, por sigurisht nuk qe në gjendje të ndalonte përdorimin e armëve mes komponentëve të ndryshëm të popullit helenik, as nuk qe kurrë në gjendje të ndalonte një qytet a një federatë qytetesh nga lidhja e aleancave me armikun pers për ta mundur një rival. Në të njëjtën mënyrë sentimenti që i përbashkonte të krishterët, që poshtu ishte mjaft i fuqishëm, nuk i ndaloi, gjatë Rilindjes, shtetet e krishtera të mëdha e të vogla të lypin ndihmën e Sulltanit në lufëtrat e tyre civile. Edhe në epokën tonë s’ka asnjë ide të cilës do të mund t’i atribuohej një autoritet unifikues të atij lloji. Është fare e qartë se idealet kombëtare nga të cilët sot dominohet popujt çojnë në një drejtim tjetër. Ka që parashikojnë se vetëm depërtimi universal i mënyrës së të menduarit bolshevik do të mund t’u japë fund luftërave, por sidoqoftë sot jemi larg një caku të tillë, që mbase do të arrihet vetëm me çmimin e luftërave të llahtarshme civile. Pra duket se tentativa për ta zëvendësuar forcën reale me forcën e ideve për momentin është e destinuar të dështojë. Është gabim llogarish të mos e marrim në konsideratë faktin se e drejta në zanafillë ishte dhunë e egër dhe se edhe sot e kësaj dite nuk mund të bëjë pa përdorimin e dhunës.
Tash mund të shkoj tutje me komentimin e një premise tjetër Tuajën. Ju habiteni se si është aq e lehtë të nxiten aq lehtë njerëzit në luftë dhe presupozoni se tek ta duhet të ketë diçka, një puls urrejtjeje dhe shkatërrimi, që është i gatshëm ta mirëpresë një nxitje asodore. Sërish s’më mbetet veçse të jem i një mendjeje me Ju. Ne besojmë në ekzistimin e një instinkti të tillë dhe në vitet e fundit tamam jemi munduar t’i studiojmë manifestimet e tij. A do të më lejoni, në lidhje me këtë, t’jua paraqes një pjesë të teorisë së pulseve tek e cila kemi arritur në psikanalizë pas shumë hapave të gabuar dhe shumë mëdyshjeve?
Ne presupozojmë se pulsimet e njeriut janë vetëm të dy llojeve, ato që anojnë të ruajnë dhe të bashkojnë – që ne i quajmë qoftë erotike (saktësisht në kuptimin e Erosit nga vepra e Platonit, Gostia), qoftë seksuale, duke e nderë qëllimisht konceptin popullor të seksualitetit – dhe ato që anojnë të shkatërrojnë dhe të vrasin; këto të fundit i përfshijmë të gjitha në emërtimin e impulsit agresiv apo shkatërrues. Po e shihni pra se me tamam bëhet fjalë vetëm për qartësimin teorik dhe kundërvënies mes dashurisë dhe urrejtjes, të njohur universalisht, dhe që mbase në zanafillë është e lidhur me polaritetin mes tërheqjes dhe neverisë, e cila ndërhyn edhe në fushën Tuaj të studimeve. Mos na kërkoni tani të kalojmë rrëmbimthi te vlerat e së mirës dhe së keqes. Që të dy pulsimet janë barabar të domosdoshme, ngase fenomenet e jetës varen nga puqja dhe kundërshtia e tyre. Tash, duket se një impuls i një lloji nuk mund të veprojë kurrë i izoluar, ai është përherë i lidhur – i shtrënguarm siç themi ne – me njëfarë shtimi të kundërpjesës, që e modifikn gjysmën e tij, ose, nganjëherë, vetëm kështu e lejon përmbushjen. Për shembull, impulsi i vetëruajtjes s’do mend se është erotik, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përdorë agresivitetin për ta përmbushur atë që pret prej vetes. Në të njëjtën mënyrë, impulsi dashuror, i drejtuar kah objektet, ka nevojë për një quid të impulsit të përvetësimit, nëse përnjëmend dëshiron të marrë në zotërim objektin e tij. Vështirësia për të izoluar dy llojet e impulseve në manifestimet e tyre na ka penguar për aq shum kohë që t’i pranojmë.
Nëse Ju jeni i gatshëm të vazhdojmë me mua edhe për pakëz, do të shihni se veprimet e njeriut zbulojnë edhe një komlikim të një lloji tjetër. Rrallë ndodh që veprimi të jetë vepër e një shtytjeje të vetme impulsive, i cili nga ana tjetër duhet të jetë një kombinim i Erosit dhe shkatërrimit. Normalisht duhet të ngarendin motive të shumta të struktuara ngjashëm për ta bërë të mundshëm veprimin. Njëri prej kolegëve Tuaj e kishte vërejtur tashmë, njëfarë profesori G.C. Lichtenberg, që ligjëronte fizikën në Gottingen në kohën e klasikëve tanë; por mbase ai ishte më i njohur si psikolog se sa si fizikan. Ai zbuloi rrethin e shkakut, kur deklaroi: «motivet shkaku i të cilave veprohet do të mund mund të viheshin në lëvizje si tridhjetë e dy erërat dhe të tregohen me emra analogë, për shembull “Bukë-Bukë-Uri”, ose “Uri-Uri-Bukë». Andaj, kur njerëzit nxiten të shkojnë në luftë, është e mundshme të zgjohen brenda tyre një seri e tërë motivesh pranuese, të fisme dhe vulgare, për disa prej të cilave flitet hapur e disa sosh heshten. Nuk është rasti t’i numërojmë të gjitha. Kënaqësia e sulmimit dhe shkatërrimi sigurisht se bën pjesë aty; mizori të panumërta të historisë dhe të jetës së prëditshme konfirmojnë ekzistencën dhe forcën e tyre. Fakti se këto impulse shkatërruese përzihen me impulse të tjera, erotike e ideale, natyrisht se e lehtëson plotësimin e tyre. Nganjëherë, kur dëgjojmë të flitet për egërsitë e historisë, kemi prështypjen se motivet ideale iu kanë shërbyer si erëpritës lakmive të shkatërrimit; herë të tjera, për shembull për muzoritë e Inkuizicionit të Shenjtë, se motivet ideale spikaten në vetëdije, ndërsa motivet shkatërruese u japin atyre një përforcim të pavetëdijshëm. Që të dy rastet janë të mundshme.
Kam ca skrupuj të abuzoj me interesimin Tuaj, që i drejtohet parandalimit të luftës dhe j teorive tona. Megjithatë do të doja të ndalesha edhe pak te impulsi jonë shkatërrues, më pak i njohur se sa që do të kërkonte rëndësia e tij. Me pakëz spekulim jemi bindur se ai vepron te çdo qenie e gjallë dhe se aspirata e tij është ta rranojë, ta tkurrë jetën në gjendjen e materies së ngurtë. Me gjithë seriozitetin i shkon për shtati emri i impulsit të vdekjes, ndërsa impulset erotike përfaqësojnë përpjekjet e jetës. Impulsi i vdekjes bëhet impuls shkatërrues atëherë kur, me ndihmën e disa organeve, drejtohet jashtë, kah objektet. Qenia e gjallë e mbron, të themi kështu, jetën e vet duke e shkatërruar një të jashtme. Një pjesë e impulsit të vdekjes, megjithatë, mbetet aktive në brendi të qenies së gjallë dhe ne jemi munduar të nxjerrim një seri të tërë fenomenesh normale dhe patologjike nga ai përbrendësim i impulsit shkatërrues. Bile kemi arritur te herezia që ta shpjegojmë origjinën e vetëdijes sonë morale me këtë kthim të agresivitetit drejt brendisë. Shikoni se nuk është aspak e parëndësishme nëse ky proces ka shkuar shumë larg në mënyrë të drejtpërdrejtë; në këtë rast sigurisht është i dëmshëm. Ndërsa kthimi i këtyre forcave impulsive kah shkatërrimi i botës së jashtme e shkarkon qenien e gjallë dhe nuk mund të mos ketë një efekt mirëbërës. Kjo shërben si shkak biologjik për të gjitha impulset e urryera dhe të rrezikshme kundër të cilave rropatemi. Duhet ta pranojmë se ato janë më afër natyrës se sa që është rezistenca me anë të së cilës iu kundëvihemi dhe të cilës ende duhet t’ia gjejmë një shpjegim. Mbase Ju keni prështypjen se teoritë tona janë një lloj mitologjie, në këtë rast bile as gazmore. Po a nuk ankorohet çdo shkencë në një lloj mitologjie? A nuk është kështu edhe për Ju, në fushën e fizikës?
Për qëllimet e këtushme që ia kemi propozuar vetes, nga ajo që është thënë nxjerrim përfundimin se s’ka shpresë se mund të shfuqizohen tendencat agresive të njerëzve. Thuhet se në vendet e lumtura, ku natyra ofron me bollëk gjithë atë për të cilën ka nevojë njeriu, ka popuj jeta e të cilëve rrjedh në butësi, pranë të cilëve shtrëngimi dhe agresioni janë të panjohura. Zor të besoj; do të doja të dija më shumë, për këta popuj të lumtur. Edhe bolshevikët shpresojnë të arrijnë ta zhdukin agresivitetin njerëzor, duke garantuar plotësimin e nevojave materiale dhe duke stabilizuar barazinë nën të gjitha aspektet e tjera mes pjesëtarëve të komunitetit. Për mua është iluzion. Ndërkohë, ata tashmë janë armatosur deri në dhëmbë dhe mes atyre mënyrave përmes të cilave i mbajnë të bashkuar ndjekësit e tyre nuk është e fundit përdorimi i urrejtjes kundër të gjithë të huajve. Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë, siç vëreni edhe Ju vetë, për shfuqizimin e plotë të agresivitetit nejrëzor; mund të prëpiqemi ta devijojmë në pikën sa të mos mund të gjejë shprehje në luftë.
Duke u nisur nga doktrina jonë mitologjike e impulseve, arrijmë lehtësisht te një formulë për t’i përkufizuar rrugët indirekte të përpjekjeve kundër luftës. Nëse prirja për luftë është produkt i impulsit shkatërrues, është e natyrshme që kundër saj të përdoret antagonisti i atij impulsi: Erosi. E gjithë ajo që bën të lindin lidhje emotive mes njerëzve duhet të veprojë kundër luftës. Këto lodhje mund të jenë të dy tipave. Në radhë të parë relacione që sado që janë të privuara nga qëllimi seksual u ngjajnë atyre që kemi me një objekt dashurie. Psikanaliza nuk ka nevojë të turpërohet nëse këtu flitet për dashuri, ngase religjioni thotë të njëjtën gjë: «Duaje të afërmin tënd i veten tënde». Tash, ky është porosi e lehtë për t’u kërkuar, por e vështirë për t’u aplikuar. Tipi tjetër i lidhjes emotive është ai i identifikimit. E gjithë ajo që shkakton solidaritete domethënëse mes njerëzve rizgjon sentimente të përbashkëta të këtij lloji, identifikimet. Mbi to mbështetet në një pjesë të mirë aseti i shoqërisë njerëzore.
Abuzimi me autoritetin për të cilin ankoheni Ju më sugjeron një metodë të dytë për t’i bërë ballë në mënyrë indirekte tendencës së luftës. Është pjesë e pabarazisë së lindur dhe të paeliminueshme mes njerëzve ndarja e tyre në udhëheqës dhe ndjekës. Këta të fundit janë shumica e stërmadhe, kanë nevojë për një autoritet që të marrë vendime për ta, të cilit për më tepër i nënshtrohen pa kushte. Duke u thirrur në këtë realitet, do të duhej t’i kushtohej më shumë vëmendje, më shumë se sa që është bërë deri më tash, edukimit të një kategorie superiore të personave që kanë dhuntinë e mendimit të pavarur, të paprekshëm nga frikësimet dhe lëvrues të së vërtetës, të cilëve do të duhej t’u përkiste udhëheqja e masave pa autonomi. Se ndërhyrjet e pushtetit shtetëror dhe ndalimi i mendimit i ratifikuar nga kisha nuk janë të favorshme për të rritur qytetarë të ngjashëm nuk ka nevojë të demonstrohet. Kushti ideal do të ishte natyrisht një komunitet njerëzor që do t’ia kishte nënshtruar jetën e vet impulsive diktaturës së arsyes. Asgjë tjetër s’do të mund të prodhonte një bashkim mes njerëzve aq të përsosur dhe kryeneç, deri edhe në mungesë të lidhjeve reciproke emotive. Por sipas të gjitha gjasave kjo është një shpresë utopike. Rrugët e tjera për ta ndaluar në mënyrë indirekte luftën janë sigurisht më të praktikueshme, por nuk premtojnë asnjë sukses të shpejtë. Është e trishtë të mendosh për mullinjtë që bluajnë aq ngadalë sa njerëzit vdesin urie ende para se të marrin miellin.
Shikoni se, kur konsultohet teoricieni që s’di shumë për botën, për detyra praktike urgjente, nuk del në dritë ndonjë gjë. është më mirë nëse në secilin rast të veçantë mundohemi të përballemi me rrezikun me mjetet që i kemi pranë dorës. Sidoqoftë, do të doja të trajtoja edhe një problem, që në tekstin Tuaj Ju nuk e parashtroni dhe që më intereson veçanërisht. Pse indinjohemi aq shumë me luftën, Ju unë dhe shumë të tjerë, pse s’e marrim si njërën prej gjëmave të rënda dhe të shumta të jetës? Lufta duket të jetë konform natyrës, plotësisht e justifikuar biologjikisht, në praktikë bukur pak e shmangshme. Mos u irritoni që po e parashtroj këtë pyetje. Me qëllim të realizimit të një hulumtimi si ky mbase është e lejuar të shtiremi se kemi një shkëputje të cilën në realitet nuk e posedojmë. Përgjigja është: sepse çdo njeri ka të drejtë të ketë jetën e vet, ngase lufta i asgjëson jetët njerëzore plot me premtime, i vë individët në kushte që i çnderojnë, i detyron, kundër vullnetit të tyre, të vrasin individë të tjerë, i shkatërron vlerat e çmueshme materiale, produkt i punës njerëzore, e shumë gjëra të tjera. Ndërsa lufta nëë formën e saj aktuale nuk lejon më asnjë mundësi të aplikohet ideali antik heroik dhe lufta e së nesërmes, për shkak të përsosjes së mjeteve të shkatërrimit, do të thoshte shfarosjen e njërit a mbase të të dy kundërshtarëve. E gjithë kjo është e vërtetë dhe duket aq e pakontestueshme sa habitemi vetëm me atë se përdorimi i luftës nuk është hedhur poshtë ende përmes një ujdie të përgjithshme të njerëzimit. Ndonjëra prej çështjeve të përmendura këtu me shumë gjasë mund të diskutohet: mund të pyetemi a duhet të ketë edhe komuniteti një të drejtë mbi jetën e individit; nuk mund të dënohen në të njëjtën masë të gjithë tipat e luftës; derisa të ekzistojnë shtetet dhe kombet të gatshme të asgjësojnë pa mëshirë shtete e kombe të tjera, këto e kanë të domosdoshme të përgatiten për luftë. Por ne duam të kapërcejmë shkarazi mbi gjithë këtë, duke qenë se ky nuk është diskutimi në të cilin më keni angazhuar Ju. Kam në mendje diçka tjetër, besoj se arsyeja kryesore pse indinjohemi kundër luftës është se nuk mund të mos indinjohemi. Jemi pacifistë, ngase duhet të jemi për arsye organike; pastaj është e lehtë të justifikojmë qëndrimin tonë me argumentime.
E d se duhet të shpjegohem, përndryshe nuk do të kuptohem. Ja çka doja të thosha: Prej kohësh që nuk mbahen në mend njerëzimi është subjekt i procesit të çcivilizimit (të tjerët, e di, e quajnë me më qejf këptë proces: civilizim). Ia kemi borxh atij më të mirën e asaj që jemi bërë dhe një pjesë të mirë të asaj nga e cila vuajmë. Shkaqet dhe zanafillet e tij janë të errëta, rezultati i tij i paqartë, disa prej tipareve të tij lehtësisht të dukshme. Mbase çon në shterjen e llojit njerëzor, meqë në shumë mënyra e cenon funksionin seksual, dhe sot tashmë shumëfishohen në përpjestime më të mëdha racat e pangritura dhe shtresat e vonuara të popullsisë se sa ato të ngritura në shkallë të lartë. Mbase ky proces mund të krahasohet me zbutjen e llojeve të caktuara të kafshëve; pa dyshim sjell modifikime fizike; sidoqoftë ende nuk jemi familjarizuar me idenë se çcivilizimi është proces organik i natyrës së tillë. Modifikimet psikike që ndërvijnë tok me çcivilizimin janë të dukshme dhe aspak ekuivoke. Ato konstistojnë në një zhvendosje progresive të qëllimeve impulsive dhe në një restriksion të lëvizjeve impulsive. Ndjesitë që për pararendësit tonë ishin plot me kënaqësi janë bërë për ne indiferente ose tamam të padurueshme; ekzistojnë baza organike të faktit se nevojat tona ideale, qoftë etike qoftë estetike, kanë ndryshuar. Nga tiparet psikologjike të qyterërimit, dy duken të jenë më të rëndësishmet: përforcimi i intelektit, që nis të dominojë jetën impulsive, dhe përbrendësimi i agresivitetit, me të gjitha përparësitë dhe rreziqet që vijojnë. Mirë pra, duke qenë se lufta është në kundërthënie në mënyrën më të dukshme me gjithë qëndrimin psikik që na është imponuar nga procesi civil, domosdoshmërisht duhet të rebelohemi kundër saj: thjesht nuk e durojmë më; nuk po flas vetëm për një refuzim intelektual dhe afektiv, për ne pacifistët bëhet fjalë për një jotolerancë kushtetuese, të themi kështu me idiosinkrazinë më të lartë. Dhe më duket se degradimet estetike të luftës nuk kanë, në refuzimin tonë, një pjesë më të vogël se mizoritë e saj.
Sa duhet të presim që edhe të tjerët të bëhen pacifistë? Nuk mund ta themi, por ndoshta nuk është shpresë utopike që ndikimi i dy faktorëve – një qëndrim më civil dhe frika e justifikuar e pasojave të një lufte të ardshme – t’u japë fund luftrave në një të ardhme të afërt. Se në çfarë rrugësh të drejtpërdrejta a të tërthorta, nuk mund t’ia qëllojmë. Ndërkohë mund të themi: gjithë ajo që promovon evolucionin civil punon po ashtu kundër luftës. Ju përshëndes përzemërsisht dhe Ju kërkoj ndjesë nëse observimet e mia Ju kanë zhgënjyer.
I Juaji
SIGM. FREUD
/Marrë nga Albert Einstein, Sigmund Freud, “Perche la guerra”, Bollati Boringhieri, 1997
/Përkthimi Gazeta Express