Leonid Osipoviç Pasternak (1862 – 1945), ka qenë piktor rus; babai i shkrimtarit Boris Pasternak.
Korrespondenca me nam mes Rilkes, Cvetajeves dhe Boris Pasternakut ishte vënë në lëvizje nga një letër urimi që i ati i poetit, Leonid Pasternak, ia kishte shkruar njohjes së tij të vjetër, Rainer Maria Rilkes, me rastin e ditëlindjes së tij të pesëdhjetë. Kjo letër, e filluar me një gjermanishte të stilizuar dhe paksa jokorrekte dhe vazhdonte në rusisht, ishte komunikimi i parë mes tyre pas njëzet vjetësh.
LEONID PASTERNAK PËR RILKEN
BERLIN
8 dhjetor 1925
[Gjermanisht]
Shumë i nderuari Rainer Maria Rilke, i dashur zotëri!
Nuk është vërtet ëndërr që unë, emrin e të cilit – Leonid Osipoviç Pasternak – do ta mbani në mend, mund t’i lejoj vetes kënaqësinë të përqafoj korrespondentin tim të dikurshëm të dashur – tash me famë evropiane – (ta përshëndes) dhe t’ia uroj ngrohtësisht ditëlindjen e pesëdhjetë!
[Rusisht]
A ju kujtohet Moska e vjetër magjepsëse, tashmë veçse legjendë, përrallë?… A ju kujtohet Tolstoj, shtëpia e tij, çifligu i tij në Jasnaja Poljana?… A ju kujtohet ajo mbrëmja e mrekullueshme e nxehtë në Romë, në atë vilën ngjitur Villa Botghese dhe kuvendimin tonë rreth, në mesin e gjërave të tjera, Slovo o pŭlku Igorevě1?… Dhe a ju kujtohet takimi ynë i rastësishëm në korridorin e një vagoni hekurudhor me një përroskë bjeshke avulluese që rridhte poshtë nesh? Kjo ka qenë hera e mbrame që jemi parë.
Që nga atëherë “ka rrjedhur shumë ujë nën,” dhe ngjarje historike të paprecedentë na kanë rënë mbi kokë si një shtjellë – na kanë rënë në kokë, por popullit tim në veçanti.
Në kohën e revolucionit tonë, të veçuar nga Evropa dhe bota e kulturës, në kushtet më të tmerrshme të jetës sonë ruse, ne – pra, familja ime dhe unë – kemi vajtuar me hidhërim vdekjen tuaj, rreth së cilës kishim dëgjuar fjalë.
Sipas proverbit rus, për këtë arsye ju jeni i destinuar të jetoni një jetë shumë të gjatë, jubilarian i dashur. Pra mund ta merrni me mend sa i lumtur jam të jem tash në gjendje t’i dërgoj, nga një vend jo aq larg (megjithëse nuk e di saktësisht ku gjendeni, adresën tuaj) urimet e mia të përzemërta dhe t’i uroj “shumë urime për ditëlindjen” poetit tonë të dashur!
Sikur ta dinit se sa e duan fëmijët e mi çdo varg tuajin – sidomos ai i madhi, Borisi, i cili është tashmë një poet i njohur në Rusi. Ai është adhuruesi juaj më i flaktë, ai që ju çmon pa asnjë dyshim, që, madje do të mund të shtoja, e konsideron veten nxënësin tuaj; ai ishte njëri ndër të parët që ka përhapur namin tuaj në vendin tonë, kur ju ishit ende i panjohur.

Ishim marrëzisht të lumtur kur, pasi mbërritëm në Evropë, morëm vesh se ishit shëndosh e mirë, falë Zotit, dhe në kulmin e fuqisë suaj kreative. Ku po jetoni tani dhe si është gruaja juaj? Në vitin 1921, kur udhëtimi jashtë ishte i lejuar, gruaja ime, vajzat dhe unë jemi vendosur në Berlin, ku vajzat e mia tash po mbarojnë studimet universitare dhe unë po punoj kryesisht me portrete2. Dy bijtë e mi kanë mbetur në Moskë. Nëse do të vini ndonjëherë në Berlin, bënani me dije.
Kam shumë dëshirë të bëj një portret tuajin para se të vdes.
Edhe njëherë, shumë urime për ditëlindjen dhe Zoti e shumëfishoftë namin dhe nderin tuaj. Përshëndetje të sinqerta gruas suaj magjepsëse dhe përcilljani urimet e mia edhe asaj. Ju uroj gjithë të mirat
Me dashuri
LEONID PASTERNAK
Duke mos ditur adresën tuaj, lërmëni t’jua nis tek Insel Verlag, me kërkesën që ata t’jua përcjellin juve.
Shënime:
1) Rrëfenja e kampanjës së Igorit, poemë epike anonime, e shkruar në gjuhën sllave antike lindore, diku në shekullin XII.
* Portreti që i kam bërë profesor Ajnshajnit është ekspozuar vitin e kaluar në Secession.

Letra e Leonid Pasternakut i kishte mbërritur Rilkes në sanatoriumin Val-Mont, ku ai ishte pacient i rregullt asokohe. Letra e parë e Rilkes i bën jehonë fatit të tij tragjik: leukemia, që tashmë ishte duke e rraskapitur, e kishte detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore, por Rilke, që gjithë jetën kishte shmangur doktorët, naivisht shkonte me mendjen se shkaku i shqetësimeve të tij ishte jeta e tij e vetmuar, asketike. (Ai shkruan për këtë në letrën e tij drejtuar Cvetajevës, 17 maj 1926)
RILKE PËR LEONID PASTERNAK
VAL-MONT PAR GLION SUR TERRITET (VAUD)
Zvicër
14 mars 1926
[rusisht]
I dashur im Leonid Ossipoviç* Pasternak!
Jo, nuk mund t’ju shkruaj në rusisht, por lexoj letrën tuaj / (gjermanisht) dhe edhe po të mund të lexoja në rusisht prapë (ende ia dal goxha mirë, medet, nuk më jepet rasti shumë shpesh…), por edhe po të mos mund ta bëja më, gëzimi dhe befasia e madhe që t’ju lexoj ju, miku im i dashur dhe i mrekullueshëm, do të ma kthente për një moment gjithë atë që dija dikur: këtë letër të mirë do ta kisha kuptuar në çfarëdo rrethane dhe në çfarëdo gjuhe. Dhe tash nuk dua të humb kohë më, por t’ju shpreh atë se sa gjuha juaj dhe gjithë ajo që ka të bëjë me Rusinë e vjetër (skazka** shtëpiake, intime dhe e paharrueshme) dhe çkado që ma keni përkujtuar në letrën tuaj ka mbetur e afërt, e dashur dhe e shenjtë tek unë, e ngulitur përgjithmonë në themelet e jetës sime. Po, të gjithë ne duhet t’i nënshtrohemi një ndryshimi të madh, vendi juaj më shumë se çdo tjetër: por edhe nëse nuk do të jetojmë që të shohim atë në ringjalljen e tij, Rusia tjetër mbijetuese, e thellë, reale vetëm sa është kthyer mbrapa në sistemin e saj sekret të rrënjëve, siç kishte bërë edhe më parë, nën zgjedhën tatare; kush mund ta vërë në dyshim se ajo është ende aty dhe po mbledh forcat e veta në atë vend të errët, e padukshme për fëmijët e vet, qetësisht me ngadalësinë e vet, për një të ardhme ende të largët të mundshme?
Mërgimi juaj, mërgimi i shumë atyre që i ishin më besnikët, e ushqejnë, të themi kështu, këtë mbijetesë nëntokësore; se ashtu siç Rusia e vërtetë është fshehur nëntokë, brenda tokës, po ashtu ju të gjithë, pas së gjithash, jeni larguar vetëm më qëllim që të mbeteni besnikë ndaj saj në fshirjen e saj të tashme nga faqja e dheut; sa fuqishëm, me sa emocion e kam ndier këtë, i dashur Leonid Ossipoviç Pasternak, vitin e kaluar në Paris: atje takova sërish miqtë e mi të vjetër rusë dhe gjeta po ashtu edhe miq të rinj, si dhe fama rinore e birit tuaj, Borisit, më preku më shumë se sa nga një aspekt. Për më tepër, gjëja e fundit që u mundova të lexoja atje ishin poezitë e tij, vërtet shumë të bukura (në një antologji të vogël nga Ilia Ehrenburgu***, të cilën fatkeqësisht ia dhashë pastaj vallëzueses ruse Mila Sural; thashë “fatkeqësisht” ngase që nga ajo kohë shpesh kam dashur ta kisha prapë në dorë). Jam i prekur tash të di se jo vetëm që ai, Borisi, tashmë poeti më i njohur i gjeneratës së re, nuk ka reshtur së qeni i dhënë pas poezisë sime dhe së ndjekuri atë hap pas hapi, por se po ashtu edhe për gjithë familjen tuaj ekzistenca ime ka mbetur një çështje zemre, diçka që ju e ndani – se ju, i dashur mik, jeni kujdesur që kujtimi juaj, simpatia juaj për mua të lulëzojë dhe të rritet tek më të dashurit tuaj, duke e shtuar kështu pafundësisht një të mirë që e kam dashur. Se ju jetoni dhe punoni në një normalitet relativ, i rrethuar nga disa prej familjarëve tuaj, është një gjë e mirë dhe inkurajuese! Për aq sa jam kundër pozimit për portret, po ma lejoi gjendja fizike dhe nëse do të takohemi sërish, po aq do të jem krenar të zë një vend modest në galerinë e modelëve tuaj. Po me më shumë gjasë ju do të silleni rreth Clara Rilkes, e cila jeton në Gjermani (në afërsi të Bremenit), ose vajzës së saj, e cila është e martuar dhe jeton në një çiflig në Saksoni dhe e cila, ka dy vjet e ca, më ka bërë mua gjysh me lindjen e një vajze!
Ju e dini se para luftës Parisi po bëhej gjithnjë e më tepër vendi im i qëndrimit të përhershëm. Kur zezona e luftës së gjatë nisi më 1914, rasti e deshi që të vizitoja Munihun dhe aty prita gjatë atyre viteve të gjata dhe të tmerrshme, pothuajse vdekjeprurëse; më 1919 u vendosa në Zvicër, ku tash banoj në një chateau të vjetër nga shekulli XIII, që gjendet në kantonin e mrekullueshëm të du Valais (Wallis), mu mbi Sierre, në një peizazh që na e sjell ndërmend atë të Spanjës dhe Provancës – në vetmi të plotë, i zënë me punën time dhe trëndafilat në kopshtin tim. Herëpashere shkoj në Paris për pak muaj, ose në Itali, kurdo që vetmia e tepërt e rezidencës sime, të cilës i kam shumë borxhe, rrezikon të bëhet më e papërballueshme dhe kërcënuese. Për momentin nuk jam në shtëpi; që nga dhjetori jam në këtë sanatorium të Val-Mont, mu mbi Territet, për shkak të disa shqetësimeve të shëndetit tim, në të kaluarën bukur të besueshëm. Kjo shpjegon përgjigjen time të vonuar (Zor se shkruaj ndonjë letër këtu.) Shpresa ime është që përmes këtyre faqeve ju do ta harroni vonesën time dhe do të më falni. Përcilljani përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithëve, ju përqafoj ngrohtësisht dhe me mirënjohje.
Juaji
RILKE
Pikërisht tani, në botimin dimëror, periodiku parisien i rëndësishëm Commerce, botuar nga Paul Valery, poeti i madh, ka botuar një poezi bukur interesante të Boris Pasternakut, në një version frëngjisht nga Héléne Izvolskaya**** (të cilën po ashtu e kam takuar në Paris).
Shënime:
* Rusishtja e luhatur e Rilkes reflektohet në gërmëzimin e gabuar të ‘Osipoviç’ dhe në fjalinë e parë në letër, përdorimi i gabuar i foljes ‘lexoj’.
** Përrallë, rrëfenjë
*** Ilia Ehrenburg (1891-1967), shkrimtar dhe gazetar rus.
**** Poete dhe përkthyese, mike e Marina Cvetajevës në fillim të viteve 1930.
/Marrë nga Boris Pastgernak, Marina Tsevetayeva, Rainer Maria Rilke, ‘Letters: Summer 1926’ New York Review Book, 2001
/Përkthimi Gezeta Express