Indro Montanelli (1909 – 2001), shkrimtar, eseist dhe një prej gaetarëve më të mëdhenj italian të shekullit të kaluar.
Në vjeshtën e vitit 1973 Montanelli kërkon financues për projektin e «Giornale Nuovo». Pas refuzimit të shtëpisë botuese Rizzoli, hapet traktativa me Mondadorin, që s’do të ketë fund të mbarë. Në këtë letër drejtori i ardhshëm i gazetës ia paraqet kushtet e tij administratorit të deleguar të shtëpisë botuese Mondadori, Mario Formentonit.
I dashur Mario,
e kam kaluar natën duke bluar në mendje atë që më ke thënë dhe përfundimisht u binda se këtu ka diçka që nuk shkon. E kjo diçka është vlera që ju ia atribuoni emrit të Modnadorit.
Tash, rreth kësaj çështjeje duhet të flasim krejtësisht troç dhe, po qe e nevojshme, edhe brutalisht. Gazeta jonë do të ishte e lumtur dhe e nderuar të fuste në syth një emër të ndritshëm si ai i Mondadorit, por jo më shumë se sa që duhet të ndihet i lumtur dhe i nderuar Mondadori të fusë në syth emra si ky i yni, që paraqesin trustin më të mirë të trurëve gazetareskë me të cilët disponon sot Italia.
Ky trust nuk arrin te ju me duart bosh. Arrin me 10 miliardë dhe ju ofron të bëheni botuesit e gazetës dhe të bëheni bashkëpjesëmarrës për një të tretën.
Tash, për aq sa po marr vesh unë, ti po thua: «Këtë të tretën e paguaj me emrin e Mondadorit dhe me përvojën e tij». Eh, jo, i dashur Mario. Emri i Mondadorit peshon shumë-shumë. Por ata të Montanellit, Piovenit, Bettizes, Zappullit, Piazzesit, Stillit, të mbledhur bashkë, peshojnë po aq, posaçërisht nëse paraqiten me dy të tretat e financimit. Sa i përket përvojës, ose, po parapëlqeve kështu, know-how, ju në lidhje me botimin keni aq sa të na e zini frymën; por në lidhje me gazetën e përditshme, ne kemi aq sa t’ua zëmë frymën juve. Pra, jemi baras.
T’i shohim propozimet e financuesve tonë. Ata thonë: «Ne jua japim mënyrën si ta pasuroni shtëpinë tuaj me një të përditshme që, me autoritetin e emrave të saj dhe me pritjen që tashmë e ka krijuar në publik, prezantohet si më prestigjozja ose ndër më prestigjiozet e Italisë». Ajo do të bartë emrin tuaj, jo tonin, që as që duhet të shfaqet. Në planin organizativ dhe administrativ mund të zgjidhni funksionet dhe detyrat më të rëndësishme. E për të gjitha këto privilegje, s’keni nevojë të nxirrni një qindarkë nga xhepi. Do t’i paguani me shërbimet tuaja. Është e vërtetë se edhe këto shërbime janë para. Por janë për ne që do t’jua llogarisim me çmimin e tregut, jo për ju që tashmë i keni dhe që me shumë gjasë as që do të detyroheni të merrni personel të ri».
Nëse ju të tjerët, i dashur Mario, e vini në dyshim ndershmërinë dhe barazinë e këtyre propozimeve me pretendimin se jeni, sado që me një kuotë më të vogël, botuesit dhe bashkëpronarët, pra në thelb të zotët e kësaj gazete, jo vetëm pa e nxjerrë nga xhepi një lirë të vetme (çka është paqësore), por për më tepër duke e ngarkuar me shpenzimet e shërbimeve, do të thotë duke e trajtuar si një klientë të jashtëm të Shtëpisë; do të thotë se nuk dëshironi të bëni gazetë, por thjesht biznes. Në një rast të tillë, le të mos humbim kohë më shumë.
Megjithatë dua t’jua kujtoj, Giorgios dhe ty, një «precedent» të vogël. Shumë vite më parë erdha te Mondadori t’ia ofroja kolanën time historike, atëherë në zanafillë. Presidenti më priti me britma gëzimi, pastaj më dërgoi te zyrat administrative, të cilët nisën të nxirrnin pengesa dhe të sajonin marifete aq dinake sa dy ditë më vonë nënshkrova me Rizzolin. Prej atëherë, saherë që takoheshim, i shkreti Arnoldo më thoshte: «Jam bërë t’ia nxjerr vetes sytë». E ma ha mendja se kishte arsye të forta ta bënte.
Kini mendjen: do të mund t’ju ndodhte përsëri.
/Marrë nga Indro Montanelli, “Nella mia lunga e tormentosa esistenza – Lettere da una vita”, Rizzoli, 2012
/Përkthimi Gazeta Express